Betimi i një fëmije
Fëmijët kanë një mikroçip
që nuk e shohim.
Mban mend
dorën që i preku krahun,
zërin që i foli butë,
frikën e gjilpërës,
zhurmën e aparatit,
fytyrën e atij
që u tha:
“Mos ki frikë.”
Atë ditë
nuk pata një paciente.
Pata një asistente të vogël.
E ula pranë meje
dhe i tregova
si lind një imazh.
Organet u bënë
fruta,
forma,
figura të vogla
që një fëmijë
mund t’i kuptojë
pa pasur nevojë
për fjalët e mjekut.
Ajo pyeste.
Unë shpjegoja.
Ajo shikonte.
Unë prisja.
Dhe frika,
pak nga pak,
filloi të largohej.
Sepse fëmija
nuk ka nevojë vetëm
për një mjek që di.
Ka nevojë
për dikë
që nuk e frikëson
me atë që di.
Ka nevojë
për një dorë
që nuk nxiton.
Për një zë
që nuk ngre tonin.
Për një buzëqeshje
që i thotë:
“Je i sigurt këtu.”
Ajo erdhi tek unë
me frikën e saj
dhe iku
duke lënë dritë.
Dhe unë kuptova përsëri:
një imazh i mirë
nuk fillon me aparatin.
Fillon
me besimin.
Sepse as loti,
as dhimbja,
as frika
nuk e ndihmojnë
një imazh të flasë.
Por dashuria,
durimi,
bashkëpunimi
dhe përkushtimi
i hapin derën
së vërtetës.
Atë ditë
ajo nuk kishte nevojë
për një betim.
Betimin ia bëra unë asaj:
sa herë që një fëmijë
do të vijë i frikësuar,
do të mundohem
që takimi i parë
të mos bëhet
kujtesa e tij e keqe.
Sepse takimi i parë
nuk harrohet.
Dhe ndoshta
një ditë,
kur të rritet,
ajo nuk do ta kujtojë
çfarë kishte në imazh.
Por ndoshta
do të kujtojë
se një mjeke
i tha:
“Mos ki frikë.”
15.08.2021
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
