Faton B. Mehmetaj: Mos ta marrim si opsion regresin për të qeverisur. Progresi është kërkesa jonë dhe e atyre që ia duan të mirën Kosovës

Qeveria Kurti, deputetët e Parlamentit të Kosovës, institucionet, ministrat dhe mekanizmat e tjerë të kësaj qeverie është dashur të mendojnë dhe të gjejnë forma dhe mundësi, në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë, për t’i korrigjuar disa padrejtësi që i janë bërë popullit tonë në periudha të ndryshme historike. Madje, VV-ja ka ardhur në pushtet duke u thirrur në realizimin e këtyre projekteve. Siç dihet, njëra prej këtyre padrejtësive që iu bë shqiptarëve lidhet me Kongresin e Berlinit, që u mbajt më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit, ku morën pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Britania, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Në Kongresin e Berlinit, shqiptarëve iu grabit Sanxhaku i Nishit, si pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës. Në këtë grabitje, që u bë nga Fuqitë e Mëdha të Evropës, 720 fshatra shqiptare të Toplicës iu dhuruan Serbisë. Si pasojë e vendimeve të Kongresit të Berlinit, prej trojeve të veta etnike u përzunë 350.000 shqiptarë nga (Ulqini, Plava, Gucia, Pazari i Ri dhe Toplica, më 1878–1879). Si pasojë e Luftërave Ballkanike, më 1912 Serbia okupoi Kosovën dhe Maqedoninë. Ajo tradhtisht i grabiti edhe 39.000 km², ku jetonin 1.296.000 banorë. Prej tyre, në Kosovë kishte 90% shqiptarë, ndërsa në Maqedoni popullsia shqiptare përbënte 56% të strukturës. Qyteti më i madh shqiptar në Ballkan ishte Shkupi. Më 1912, Mali i Zi okupoi edhe 7.000 km² territor shqiptar, çka do të thotë se Mali I Zi u rrit edhe për 260.000 banorë, të gjithë shqiptarë, të cilët gradualisht u asimiluan dhe u dëbuan, përmes presioneve, jashtë territorit të Malit të Zi. Greqia, më 1912, u zgjerua edhe për 51.300 km² dhe për 1.624.000 banorë. Prej tyre, rreth 500.000 ishin shqiptarë. Në atë kohë, Çamëria filloi të spastrohej etnikisht. Në saje të okupimeve që bënë fqinjët tanë, të mbështetur edhe nga Fuqitë e Mëdha, prej 92.000 km² të Shqipërisë, në Londër shtetit shqiptar iu njohën vetëm 28.000 km². Pas të gjitha këtyre padrejtësive, Serbia kërkon përsëri nga Kosova Asociacionin e Komunave, enklavizimin e Kosovës dhe krijimin e një entiteti të ri që Kosovës ia humb ose ia zbeh dukshëm pavarësinë dhe shtetësinë. Përballë kësaj situate kaq dramatike, shteti ynë hesht. Heshtin institucionet dhe mekanizmat e tjerë të shtetit, ndërsa mohohet liria që e solli Ushtria Çlirimtare e Kosovës me gjak dhe sakrifica të mëdha, në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë: NATO-n, SHBA-të dhe miqtë e tjerë të Evropës dhe botës. Pavarësimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, lirinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës po e kundërshton garda pansllaviste, ata që e kundërshtuan lirinë e Kosovës edhe në vitin 1945, edhe në vitin 1968, edhe në vitin 1981. Kundërshtarët e lirisë ishin me Rankoviqin në kohën e tij dhe me Millosheviqin, kasapin e Ballkanit, të cilit UÇK-ja ia tregoi vendin. Këto struktura, në bashkëpunim me puçistët e heshtur, krijuan anarki dhe bllokadë institucionale për t’ia hapur rrugën këtij procesi degradues ndaj Kosovës. Por populli ynë, në të gjitha proceset, ka ditur t’u kundërvihet qeverive, individëve dhe klaneve të caktuara që i kundërshtuan proceset progresive, demokracinë, çlirimtarët dhe lirinë e fituar me gjak. Po shihet qartë se një pjesë e popullatës së Kosovës nuk e ka pranuar lirinë e Kosovës dhe, si e tillë, ka punuar pareshtur për ta rikthyer ndikimin e Serbisë në Kosovë. Kjo shtresë e njerëzve, në bashkëpunim me Serbinë, me minoritetin serb në Kosovë, që është i instrumentalizuar nga Serbia, dhe me aleatët e Serbisë, e ka lënduar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Por i gjithë ky proces do t’i kthehet si bumerang secilit që ka marrë guximin të dalë dhe ta mohojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e secilit veteran të UÇK-së. UÇK-ja lindi nga populli dhe, sa herë që vendi të rrezikohet nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, do të jetë në ballë të proceseve. Kjo ushtri hyjnore, nga viti 2000 e këndej, kaloi sprova të mëdha, kaloi pengesa që as ushtritë më të përsosura nuk do të mund t’i kalonin, i hoqi të zinjtë e ullirit, por i mposhti të gjitha pengesat, duke dalë fitimtare. Fitorja është e UÇK-së. Edhe sot, e sa të ketë shqiptarë, nuk ka ndonjë forcë që mund ta mposhtë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Bashkohuni rreth UÇK-së, sepse ishte projekti i vetëm që ëndrrat e baballarëve tanë, të cilët luftuan e u sakrifikuan me shekuj për liri, i bëri realitet.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Hertica

Mr.Ali Hertica: Liritë politike shoqata, tubimi dhe liria e shprehjes

Tradicionalisht, legjislatura ka është ngurruese për të rregulluar partitë politike si shoqata private, partitë tradicionalisht …