Mustafë Krasniqi

Hysen Matoshi: Ideali atdhetar i Mustafë Krasniqit

Të nderuar familjarë, bashkëveprimtarë, shokë, miq, dashamirës të Mustafë Krasniqit,

Të nderuar kryetarë z. Halil Thaqi dhe z. Ramiz Lladrovci, i nderuari Françesk Fusha, konsull i Shqipërisë në Kosovë,

Vëllezër dhe motra,

Para se të filloj këtë fjalë përkujtimore, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, bashkëveprimtarëve, të gjithë juve që e keni njohur Mustafën, që e keni vlerësuar e nderuar punën dhe veprimtarinë e tij.

Tokës shqiptare sot po i kthehet njëri ndër bijtë e saj më të devotshëm, po i kthehet Mustafë Krasniqi, njeriu i cili jetoi dhe bëri gjithçka mundi për të. Por jetoi edhe me mallin për këtë tokë Atdheu, me atë mall mërgimtari që aq fuqishëm e shpërfaq në vargjet e tij:

 

Ndonëse i etur për një pikë ujë

Të kroit tim të fshatit

Ndonëse i harruar si i huaj

Të fala fshatit e varrit të nënës

Ju lisat e bjeshkës së Çyçavicës

Kasollja ime ku u linda.

Të fala edhe ju urtakë me plisa

Kosëtarë e fshatarë të fshatit tim

E ti rruga ime e përbaltur

Dhe ti fusha e rritës sime.

Vdekja nuk është absolute nëse njeriu lë prapa vetes vepra e gjëra që jetojnë. Përveç familjes, përveç më se dhjetë veprave të shkruara, përveç një historie të rrallë angazhimesh të vazhdueshme kombëtare, përveç kujtimeve të paharrueshme të të gjithëve që e kanë njohur, Mustafa ka lënë edhe këtë përshëndetje të pavdekshme për vendlindjen, për Atdheun, në një konceptim më të gjerë. Sot, kur jemi mbledhë për ta nderuar, këto vargje marrin një kuptim lapidar të përtej komunikimit.

    Atdheu është kryefjala dhe sinteza e tërë jetës së Mustafë Krasniqit. Jeta e tij familjare, shoqërore, veprimtare e tërësore i është kushtuar Atdheut dhe bashkëkombësve të tij. Mustafa ishte dhe mbetet format i rrallë njeriu, i cili gjatë tërë jetës nuk vuri në plan të parë ambicie personale, nuk bëri planifikime karriere, nuk bëri garë pushteti, nuk u shfaq autoritar para të tjerëve. Jo se nuk e donte mirëqenien e vet, jo se nuk kishte zotësi për t’i zhvilluar edhe më shumë prirjet e lindura intelektuale e artistike, jo se shoqëria nuk kishte nevojë për dijetarë me dinjitet siç ishte ai. Të gjitha këto ia pamundësoi vetes vetëm për një arsye: Pa u hamendur asnjëherë e vuri gjithë potencialin e tij intelektual, profesional e moral në aktivitete për të mirën e Atdheut, për të mirën e kombit. Nga kjo rrugë nuk e zmbrapsi as sëmundja e rëndë e as të tëra vështirësitë jetësore që dita-ditës po ia shkaktonte ajo. Nuk u ankua dhe nuk hoqi dorë nga programi i tij deri në frymën e fundit. Vetëm vdekja ia ndërpreu këtë hapërim drejt idealit të tij të vetëm: t’i shihte shqiptarët të bashkuar, nën një ombrellë të përbashkët institucionale shtetërore, në një shoqëri të zhvilluar mbi parimet e lirisë së plotë njerëzore, kombëtare e sociale, t‘i shihte bashkëkombësit në një ndërveprim të përgjithshëm përballë furtunave të historisë e përballë djallëzisë gllabëruese të fqinjëve të pabesë, nën të cilët fatkeqësisht rënkonte pjesa më e madhe e kombit. Megjithëse mund të bëhej shkrimtar edhe më i njohur, apo përfaqësues i dalluar në institucionet e periudhës së lirisë në Republikën e Kosovës, madje edhe profesor i dëgjuar në institucione arsimore, Mustafa zgjodhi rrugën e vështirë të angazhimit për punët kombëtare që kishin mbetur përgjysmë. Atdheu i copëzuar dhe një grimë pushteti në kuadër të bajraqeve ballkanase nuk e përbënin idealin e tij. Ai zgjodhi që si një luftëtar i pathyeshëm dhe i përhershëm t’i shërbente idesë madhore të bashkimit kombëtar. Edhe pse gjatë jetës së tij ndërroi hapësira e vende të ndryshme, përcaktimin e tij programor, të brumosur që në rininë e hershme, nuk e ndryshoi kurrë. Ndonjëherë shprehte pezmin e tij atdhetar kur shihte se dikush nga bashkëmendimtarët e së djeshmes e kishte këmbyer idenë më madhore në jetën shqiptare me ndonjë çiflig të përkohshëm pushtetar. Ndjeshmërinë  reaguese si atdhetar dhe si intelektual do ta manifestonte publikisht e pa kompromis në raport me të gjitha dukuritë devijuese e frenuese në jetën tonë politike, institucionale e shoqërore përgjithësisht. Me kohë do të fliste për të meta dhe për orientime të gabuara e jo gjithnjë do të kuptohej drejt. Në shumë prej shkrimeve të tij parapëlqente të mbetej qoftë edhe zë i vetmuar, por nuk pranonte të bënte kompromise me të pavërtetën dhe me të padrejtën.

Që në rininë e hershme Mustafë Krasniqi u përfshi në strukturat atdhetare të organizuara në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës. Ndër të tjera, bashkëpunoi ngushtë me një varg atdhetarësh, dëshmorë të mëvonshëm, sikundër ishin Afrim Zhitia, Fadil Vata, Xhavit Haziri e shumë të tjerë. U shqua për guximin dhe vizionin e organizimit të një rezistence të armatosur si mënyrë e vetme e mundshme e realizimit të lirisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës e pati njërin ndër mbështetësit e saj më të denjë, pikërisht në kohën kur, jo rrallë, kontestoheshin hapur edhe roli edhe misioni i saj.

Ndonëse e pati në krye të interesimeve të tij, atë luftë heroike Mustafë Krasniqi nuk ishte vetëm një veprimtar i çështjes shqiptare. Ishte gjithashtu edhe autor me një varg kontributesh shkrimore, ku përfshihen përmbledhjet poetike, sprovat kritiko-letrare, shkrimet publicistike dhe veprat e karakterit të historiografisë sonë, në të cilat trajtohen personalitete e organizata atdhetare. Në poezitë e tij shpërfaqet një botë e pasur intelektuale dhe emocionale. Ideja është ajo që i prin ligjërimit poetik, Atdheu është edhe këtu kryetemë poetike. Mund të thuhet se vetëdijshëm e angazhon artin e tij, madje edhe duke e zbehur në disa raste të shprehurit e figurshëm dhe duke e kthyer atë në një ligjërim deklarativ, me qëllim që ideja e tij themelore të përçohet më lehtë dhe më kuptueshëm te lexuesi i saj.

Ndër veprat më të rëndësishme të Mustafë Krasniqit do të përmend monografinë kushtuar Xhavit Hazirit për të cilën pati punuar gjatë dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Fatmirësisht nuk shkoi në atë botë pa e sjellë mes nesh një monument shkrimor për njërin ndër personalitetet e shquara të fillimeve të organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikurse ishte Xhavit Haziri, emrin e të cilit e mban me krenari shtëpia e kulturës në të cilën jemi mbledhë në këtë orë përkujtese historike.

Gjithsesi veprimtaria shkrimore e Mustafë Krasniqit është shumëdimensionale dhe besoj që, në një të ardhme, do të bëhet objekt interesimesh studimore. Madje, edhe aktiviteti i fundit publik, në të cilin mori pjesë, ishte ai i përurimit të librit të tij “Shkolla shqipe në Republikën e Bavarisë – ndërgjegje e atdheut”, organizuar më, 31 maj 2026, në të cilin Mustafë Krasniqi u nderua me mirënjohje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, por njëkohshëm u vlerësua nga përfaqësues diplomatikë e institucionalë, veçmas nga folës të shumtë e kompetentë që u shprehën lidhur me librin dhe veprimtarinë e tij të begatë pedagogjike në mesin e mërgatës sonë.

Mustafë Krasniqi, ndonëse bartte mundimet e sëmundjes, nuk e pushoi aktivitetin e tij si mësues e si drejtues në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe të Prindërve Shqiptarë në Bavari, duke e shtrirë ndikimin e vet pozitiv në mbarë Gjermaninë e në Zvicër me qëllim të hapjes së sa më shumë shkollave shqipe. Një ndihmesë të dalluar e dha edhe në kuadër të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës gjithashtu me synimin e përbashkët që sa më shumë fëmijë shqiptarë të përfshiheshin në mësimin institucional të gjuhës shqipe dhe në ruajtjen e traditave themelore shqiptare, si shenja qenësore të identitetit kombëtar. Ishte për integrimin e shqiptarëve në shoqëritë pritëse evropiane, por jo edhe për asimilimin e tyre. Kisha përshtypjen se asimilimi i fëmijëve shqiptarë e rëndonte edhe më shumë se sa vetë sëmundja.

Të nderuar të pranishëm,

Një veçanti e Mustafë Krasniqit ishte edhe fryma e tij optimiste, shpirti i tij luftarak, vullneti si shtysë për të mposhtur secilën pengesë në rrugën e jetës drejt përmbushjes së idealeve madhore. Mendja dhe fuqia e tij vepruese ishin përqendruar tek Atdheu, tek e ardhmja e tij, sidomos te shqiptarët e mbetur jashtë kufijve kombëtarë, te ëndrra e mbetur përgjysmë e bashkimit kombëtar. Ikja e tij e hershme nga kjo jetë shënon një humbje të madhe për familjen, për shkollën shqipe, për Kosovën dhe për kombin shqiptar gjithandej. Dhimbja është e madhe dhe e kuptueshme, mirëpo, e them me bindje, se është trashëgimia e tij morale, autoriale, humane, kombëtare ajo që e nderon më shumë se sa një faqe të historisë sonë të re.

Vdiq njeriu që i dha pa kursim gjithçka Atdheut dhe që nuk kërkoi asgjë prej tij!

Ka vdekur një idealist i madh, shpresojmë të rrojnë përjetë idealet e tij!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Atdhetarin Mustafë Krasniqi!

Në Kastriot, më 4 shtator 2026

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi – Basha: LIRIA NUK GJYKOHET- UÇK-JA, KOSOVA DHE ORA E PRITJES

Rastisa një ditë të udhëtoja me bashkëshortin tim- Tefikun, drejt Dardanës (Kamenicës) dhe, pothuajse gjatë …