Waters: Teoria e Prokurorisë mund të shtrihet përtej Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Profesori i së Drejtës në Universitetin e Indianës dhe eksperti i drejtësisë penale ndërkombëtare, Timothy Waters, ka vlerësuar se teoria juridike mbi të cilën Prokuroria Speciale ka ndërtuar rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, mund të ketë implikime shumë më të gjera sesa vetëm katër personat që po gjykohen në Hagë. Në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Waters ka shpjeguar se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” i mundëson Prokurorisë të ndërtojë një lidhje mes të akuzuarve dhe krimeve që pretendohet se janë kryer nga persona të tjerë, edhe në rastet kur të akuzuarit nuk pretendohet se i kanë kryer vetë ato vepra. Sipas tij, pjesa më e vështirë e një procesi të tillë nuk është domosdoshmërisht dëshmimi se krimet kanë ndodhur, por vendosja e lidhjes mes këtyre krimeve dhe personave që ndodhen në bankën e të akuzuarve. Waters, i cili ka punuar edhe në rastin e Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, ka thënë se kjo teori është kritikuar pikërisht për shkak të shtrirjes së saj të gjerë, pasi mund të krijojë një narrativë që lidh të akuzuarit me një gamë të gjerë veprimesh të UÇK-së. “Formalisht, askush nuk po thotë se UÇK-ja është në gjykim. Në gjykim janë këta katër persona. Por, teoria që përdoret nuk përfundon domosdoshmërisht me ta; logjikisht, implikimet e saj mund të shtrihen edhe te shumë njerëz të tjerë”, ka deklaruar Waters. Ai ka theksuar se kjo nuk nënkupton se persona të tjerë do të gjykohen, por se mënyra se si është ndërtuar teoria e Prokurorisë mund të ndikojë në mënyrën se si interpretohet më gjerë lufta dhe organizimi i UÇK-së. Sipas tij, pikërisht kjo e bën rastin veçanërisht të ndërlikuar, pasi përtej përgjegjësisë individuale të katër të akuzuarve, procesi mund të perceptohet edhe si një gjykim i një strukture apo lëvizjeje më të gjerë.

Kontrolloni gjithashtu

“Liria ka Emër” fton krerët institucionalë e partiakë t’i bashkohen marshit të 12 shtatorit

Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje të gjithë krerëve institucionalë dhe përfaqësuesve të …