Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama, ka shprehur bindjen se katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallen të pafajshëm nga Gjykata Speciale në Hagë. Rama tha se vazhdon të besojë në drejtësi dhe se kjo përballje është beteja e fundit, të cilën, sipas tij, do ta fitojnë jo vetëm të akuzuarit, por edhe populli i Kosovës. “Unë besoj prapë, jam i prirur që të besoj në drejtësi dhe po besoj që, siç thonë në ushtri, betejën mund ta humbësh, por është shumë me rëndësi luftën mos me e humb”, deklaroi Rama. Ai kujtoi se Kosova ka kaluar shumë beteja ndër vite, duke shprehur bindjen se edhe kjo përballje do të përfundojë me sukses. “Ne kemi fituar shumë beteja. E di që është beteja e fundit […] Jam shumë i bindur që do ta fitojmë edhe këtë betejë, jo vetëm ata si individë, por i gjithë populli i Kosovës”, tha Rama.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
