Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë, ish-e burgosura Zahrije Podrimçaku ka rrëfyer për torturat dhe përjetimet e rënda gjatë mbajtjes në burgun e Lipjanit dhe më pas në atë të Beogradit. Duke dëshmuar për përvojën e saj në burgun e Beogradit, Podrimçaku ka treguar se gjendja e rëndë psikologjike, pagjumësia dhe torturat e kishin çuar në pikën kur nuk besonte se do të dilte e gjallë prej aty. Ajo ka rrëfyer se, pas një periudhe të gjatë lodhjeje, kishte gjetur ujë të vakët në tualet dhe kishte vendosur të pastrohej, pavarësisht bindjes se mund të mos kthehej më në Kosovë. “E konsideroja veten të vdekur dhe s’besoja se do të kthehesha në Kosovë. Kam hyrë dhe i kam pastruar flokët dhe krejt trupin. Thashë, e vdekur se e vdekur, të pastrohem”, ka rrëfyer Podrimçaku, duke përshkruar gjendjen në të cilën ndodhej pas torturave psikike dhe netëve pa gjumë. Ajo ka folur edhe për qëndrimin në burgun e Lipjanit, ku, sipas dëshmisë së saj, kishte kaluar rreth tre muaj e vetme në një dhomë pa dritare, në errësirë të plotë. Podrimçaku ka thënë se gjatë kontrolleve nuk arrinte t’ua shihte as fytyrat personave që hynin në dhomë, ndërsa frika nga dhuna seksuale e kishte rënduar edhe më shumë gjendjen e saj. “Kisha frikë mos po vijnë meshkuj me të dhunuar. Vetëm ta kam vetëdijen, ta kontrolloj veten”, ka deklaruar ajo gjatë seancës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
