Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe me karakter politik. Tahiri ka deklaruar se UÇK-ja nuk luftoi vetëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe kundër dhunës, dëbimit dhe përpjekjeve për zhdukjen e popullit shqiptar nga Kosova. “UÇK-ja luftoi kundër gjenocidit, në një kohë kur tragjedia e Bosnjës ishte ende e freskët. Injorimi i këtij konteksti dëshmon se vendimi është politik dhe i padrejtë, jo akt drejtësie”, ka deklaruar Tahiri. Sipas tij, lufta e UÇK-së përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë së Kosovës dhe një përpjekje për mbrojtjen e popullit, dinjitetit dhe lirisë. “Për ne, lufta e UÇK-së përfaqëson një kapitull të lavdishëm të historisë sonë dhe një përpjekje të drejtë për mbrojtjen e popullit, dinjitetit dhe lirisë së Kosovës. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta zhbëjë këtë të vërtetë historike dhe sakrificën e mijëra njerëzve”, është shprehur ai. Tahiri ka thënë se do të mbështesë çdo iniciativë që synon lirimin e liderëve të UÇK-së, mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe vendosjen e drejtësisë së plotë. “Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet”, ka shkruar Tahiri, duke e përmbyllur reagimin e tij me mesazhin: “Jo në emrin tim!”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
