Fitim Selimi

Fitim Selimi: KOHA PËR BASHKIM — VENDIT DUHET T’I DALIM ZOT!

Pas gjithë kësaj që po ndodh me vlerat tona kombëtare, me trashëgiminë e sakrificës dhe me vetë substancën e shtetit tonë, nuk mund të vazhdojmë të shpërndarë, secili me shqetësimin e vet dhe pa një qëndrim të përbashkët.
Të gjithë njerëzit që, pa hile e me dashuri për atdheun, kanë bërë atë që kanë mundur për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin, duhet të bëhen bashkë. Koha kërkon një qëndrim të qartë, një organizim serioz dhe një vullnet të përbashkët për t’i dalë zot vendit.
Kam shpresuar që LDK-ja do të pozicionohej në përputhje me kontributin e saj pozitiv në rrugëtimin tonë kombëtar. Për fat të keq, në vlerësimin tim, ajo po mbetet peng i llogarive politike që e afrojnë me veprimet destruktive të LVV-së. Megjithatë, thirrja për bashkim duhet të mbetet e hapur edhe për të gjithë ata brenda saj që përgjegjësinë ndaj Kosovës e vendosin mbi interesin e çastit.
PDK-ja, AAK-ja, Nisma, të burgosurit politikë, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta çlirimtare dhe qytetarët që ndajnë këtë shqetësim duhet të ndërtojnë një front të përbashkët, të organizuar në një subjekt të vetëm politik, për t’i dalë përballë asaj që e konsideroj politikë rrënuese e Albin Kurtit. Kjo më nuk do shumë argumente; ato janë shteruar plotësisht!
Ky bashkim duhet të ketë program, përgjegjësi dhe zotime të qarta: mbrojtjen e vlerave të lirisë, forcimin e institucioneve demokratike, rikthimin e besimit qytetar dhe ruajtjen e miqësive që ndihmuan çlirimin e shtetndërtimin tonë. Kundërshtimi merr kuptim kur shoqërohet me një alternativë të besueshme për vendin.
Askush nuk duhet të kërkojë që pesha e sakrificës së tij të shndërrohet në privilegj. Ajo duhet të përkthehet në përgjegjësi më të madhe për të sotmen dhe të ardhmen. Prandaj, ambiciet personale, inatet dhe llogaritë partiake duhet t’ia lëshojnë vendin interesit të Kosovës.
Çdo hap i pakoordinuar i yni humb kohë, shpërndan energjitë kombëtare dhe dobëson mundësinë për ndryshim. Nëse e shohim rrezikun dhe megjithatë mbetemi të përçarë, marrim edhe pjesën tonë të përgjegjësisë për pasojat.
Bashkimi duhet të marrë formë tani: me një tryezë të përbashkët, një marrëveshje publike dhe veprim të bashkërenduar demokratik.
Vendit i kemi dalë zot në ditët më të vështira. T’i dalim zot edhe sot — me maturi, guxim dhe bashkim!

Kontrolloni gjithashtu

Agim Gjeli: Shefqet Zeka – rrugëtimi i një të riu nga besimi dhe vetëdija kombëtare te sakrifica për lirinë

Disa njerëz e jetojnë jetën duke kërkuar siguri; të tjerë, në momente të caktuara të …