Ismet Begolli: PSE RAMË NË KËTË NIVEL?

Në ditët si këto, kur nga Haga vjen një tjetër goditje e rëndë për krerët e UÇK-së dhe, bashkë me ta, vihet përballë gjykimit edhe vetë lufta jonë për liri, është e pamundur të mos kthehemi pas në kujtesën tonë.

Të kthehemi te rruga e gjatë e një populli që për shekuj me radhë vuajti, luftoi, u burgos, u dëbua dhe derdhi gjak për një qëllim të vetëm: lirinë dhe atdheun.

Por sot, pas gjithë atyre sakrificave, duhet ta bëjmë pyetjen që dhemb:

  • Çfarë ndodhi me idealin për të cilin u flijuan breza?
  • Ku mbeti ajo liri që e pritëm me aq shumë shpresë?

Dhe si arritëm deri këtu?

-A mund të jetë kjo ajo liri për të cilën u luftua?

-A mund të jetë ky përfundimi i një rrugëtimi që nisi me sakrificën e atyre që nuk kërkuan as lavdi, as pasuri, por vetëm të drejtën për të qenë të lirë në tokën e tyre?

Këto pyetje nuk kërkojnë përgjigje të lehta. Ato kërkojnë kujtesë, ndërgjegje dhe guxim për ta parë historinë edhe në dhimbjen e saj.

Në këtë kujtesë na kthejnë vargjet e Ismet Begollit, ish-të burgosurit politik, gazetarit dhe njohësit të diplomacisë, i cili përmes poezisë sjell përpara nesh zërin e një kohe të mbushur me vuajtje, sakrificë, ideal dhe shpresë.

Vargjet e tij na kujtojnë se për liri u derdh shumë gjak.

Se pas çdo emri të harruar kishte një jetë.

Pas çdo varri të pashënuar kishte një familje.

Pas çdo luftëtari kishte një nënë, një baba, një bashkëshorte, një fëmijë dhe një ëndërr.

Dhe pikërisht për këtë, pyetja bëhet edhe më e rëndë:

Nëse dikur luftuam që të bëheshim të lirë, çfarë ndodhi me atë liri më pas?

-Çfarë ndodhi me idealin?

-Çfarë ndodhi me sakrificën?

-Çfarë ndodhi me UÇK-në dhe me ata që e bartën mbi supe barrën e luftës?

A u përmbush ëndrra për të cilën u derdh aq shumë gjak, apo rrugës diçka u humb, u deformua dhe u përçmua?

Këto nuk janë vetëm pyetje për të kaluarën.

Janë pyetje për ne sot.

Dhe ndoshta, pikërisht për këtë arsye, duhet t’i dëgjojmë me vëmendje këto vargje.

“Urtësia e gjyshit” na kthen te kujtesa, te gjaku, te sakrifica dhe te këshilla për të mos harruar.

Ndërsa “Lirinë na e vodhën…” ngre pyetjen e dhimbshme se çfarë bëmë me atë liri që aq shumë e ëndërruam.

Dy vjersha, një kujtesë dhe shumë pyetje që nuk duhet t’i shmangim.

Sepse një popull që harron sakrificën e vet rrezikon të mos e kuptojë as të tashmen, as të ardhmen.

Vargjet në vazhdim janë të Ismet Begollit dhe po i sjell këtu ashtu siç janë në librin e tij, pa asnjë ndërhyrje apo ndryshim në tekstin origjinal.

URTËSIA E GJYSHIT

Gjyshi thirri fëmijët

E ju tha disa fjalë

Jeni të rinjë mos u lazdroni

E vërteta është tjetër

Mos u bëni të marrë

Shihni fushën kroin e shterrur pak

Dikur nga fusha e lame

Kroi rridhte gjak

Bëhuni të urtë mendoni pak

S’iu them të bëheni hakmarrës

Mjekrra ime e bardhë

E plisi i shtjerrur pak

Kurorë ishte

Kala e lame në gjak

Shumë trima i varrosëm pa kurora

E emrat s’ua ditëm dot

Bilbilat këndonin në heshtje

Ishte kohë e vjetër

Ishte kohë e keqe

Zogjtë i ndiҫnin nga strofujt

Gjarprinjtë rrinin hendeqeve

Ikni

Na thanë jeni të marrë

Na thanë se i keni do vese

Sështë kjo tokë e juaja

Sështë për ju ku bëhet gruri

Sështë për ju ku rrjedhë lumi

Kombi mori vesh vuajtjet

Trimat u ngritën

Të urtit shkruan fjalë

Të lirë o jo të gjallë.

Deri këtu ishte kështu

Por ç’u bë pastaj ?!

Lirinë na e vodhën…

Ajo nuk erdhi me krenari e lavdi.

Qëndron pranë nesh si një jetime,

E ftohtë,e heshtur, pa zë, pa fuqi.

Nuk ndriçon me shkëlqimin e gjakut,

Që u derdh për të –

Nuk peshon sa dhimbja e nënave,

As sa plagët e luftëtarëve.

E tha ushtari i UÇK-së

“Liria… nuk u mor.

Ajo mbeti ëndërr.”

Një ëndërr e gjallë,

Por e lidhur me pranga.

Po cila është e vërteta?

UÇK-ja lindi me lirinë në shpirt,

UÇK-ja nuk luftoi për emra, apo për interesa.

Në damarët e saj rrahte shpresa, jo urrejtja, jo pushteti.

Ajo lindi me lirinë në zemër, me lirinë në gjak

.

Por për ta marrë peng atë liri,

Duhej që UÇK-ja të shpërbëhej –

Dhe ajo u zhduk,

Në heshtje, në tradhti, u zhvesh nga nderi dhe u përçudnua nga qëllimi

Nga titistët e rinj,

Nga miqtë ndërkombëtarë të pushteteve

U përkul historia,

Dhe u shit gjaku ynë për lavdi të rreme.

E sot?

Rinia largohet, Largohet nga toka për të cilën gjaku rridhte si lumë, E mashtruar nga fjala “liri”,

Ndërsa toka mbetet më e vetmuar se kurrë

Ndërkohë, të huajt shkelin pa peng mbi gjeografinë tonë,

Gërmojnë mbi pasuritë tona natyrore, Gërmojnë mbi tokën që s’është më e jona,

Ndërtojnë mbi rrënjët tona

Blejnë tokat tona me çmime turpi, Dhe na kujtojnë çdo ditë

Se nuk jemi më zot të shtëpisë sonë

Dhe ne… heshtim.

A ishte kjo liria?

A ishte kjo ëndrra që na mbajti gjallë nëpër burgje,

Nëpër male, në heshtjen e varreve të pashënuara?

A ishte ky premtimi i betejës?

A ishte ky çmimi i gjakut të shenjtë?

Jo!

Liria jonë sot është një pengesë e fshehur në fjalë të mëdha.

Një mashtrim i bukur që të verbon, por nuk të ngroh.

Kjo është një liri e vjedhur,

Një iluzion që na mban të përgjumur,

Një emblemë pa shpirt,

Një flamur i zbehur në qiellin e huaj.

Dhe derisa të zgjohemi,

Do mbetemi robër të vetvetes –

Të një lirie që nuk e fituam kurrë,

Të një shprese që na e vodhën ditën për diell.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Marenglen Kasmi

Marenglen Kasmi: Shqiptaria në zi, Beogradi në festë

Ende pa u mbyllur mirë mikrofonat në sallën e gjyqit në Hagë, nga Beogradi erdhi …