PDK kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës: Vrasja e Arlinda Zekajt nuk mund të mbetet pa përgjegjësi politike

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke i bërë përgjegjës politikisht për dështimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj ka kritikuar mungesën e përgjegjësisë politike, pavarësisht se, sipas saj, ministrja Gërvalla-Schwarz ka pranuar dështimet institucionale. Ajo ka theksuar se përgjegjësia e ministres është edhe më e drejtpërdrejtë për shkak të funksionit të saj si koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Deputetja e PDK-së i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të kërkojë dorëheqjen e dy ministrave, ndërsa në rast refuzimi t’i shkarkojë ata. Ajo ka paralajmëruar gjithashtu angazhim përmes një komisioni hetimor parlamentar, me qëllim zbardhjen e plotë të përgjegjësive institucionale. Kabashi-Ramaj ka vënë në pikëpyetje edhe përgjegjësinë e ministrit Sveçla, duke theksuar se dorëheqja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, nuk mund ta përjashtojë ministrin nga përgjegjësia politike për drejtimin dhe menaxhimin e institucionit. Ajo ka kritikuar gjithashtu anulimin e ceremonisë së diplomimit të 300 policëve të rinj për shkak të mungesës së uniformave, duke e paraqitur këtë si një tjetër dëshmi të problemeve në menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas Kabashi-Ramajt, institucionet nuk mund të kufizohen në raporte dhe deklarata pas tragjedive, por duhet të japin përgjegjësi konkrete për mosveprimet që mund të kenë cenuar sigurinë e qytetarëve. “Arlindën nuk mund ta kthejmë. Por kemi një detyrim ndaj saj, ndaj familjes së saj dhe ndaj çdo gruaje e vajze në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ajo, duke kërkuar përgjigje se kush kishte dijeni për rrezikun, kush kishte detyrim të vepronte dhe pse nuk ndërhyri në kohë.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Limaj kritikon gjuhën e politikës, por kush mban përgjegjësi për degradimin e debatit publik?

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar ashpër gjuhën e përdorur në skenën politike …