Eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk ka reaguar lidhur me lëshimin e melodisë së një kënge nacionaliste serbe në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel, duke theksuar se Kosova meriton respekt dhe përfshirje në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Kyuchyuk ka vlerësuar se promovimi i melodive nacionaliste në një ngjarje të organizuar në kryeqytetin e BE-së bie ndesh me frymën e pajtimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Kosova meriton respekt të plotë dhe përfshirje në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Dhënia e skenës për meloditë nacionaliste në ceremoninë hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel minon frymën e pajtimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Në mbështetje të Kosovës dhe progresit të saj demokratik”, ka shkruar ai.
Reagimi i eurodeputetit vjen pas deklarimit të komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhje për muzikën e këngës nacionaliste serbe të lëshuar gjatë koncertit, duke ua lënë përgjegjësinë muzikantëve për përzgjedhjen e melodisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
