Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj: Të vërtetat mund të jenë shumë, por flamuri është një

‘Shqipërinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë edhe shqiptarët’. Thonë se kështu tha Ismail Qemali në muajt që pasuan shpalljen e pavarësisë.  Kjo frazë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe, çdo herë të përftojë mesazhe të ndryshme. Plaku i Vlorës duhet të ketë qenë në një çast depresiv. Ditë të vështira, plot intriga dhe pabesi pati me shumicë pas atij 28 Nëntori. Kur vështirësitë të venë poshtë, i sheh gjërat muzgët dhe ke gjithë të drejtën e botës që të bëhesh cinik.

Me gjasë në një çast të tillë, Ismail beu, bëri sikur harroi se Shqiptarët ekzistonin prej shekujsh. Madje esenca e tyre kish gjalluar prej kohësh që s’mbaheshin mend, në mileniume të shkuara bashkë me parardhësit, pellazgë dhe ilirë. Kot shkroi Naimi: ‘Neve jemi më të parë në Evropë nga çdo farë’? Në ditë më të qeta Plaku i Vlorës mund të kishte thënë t’i edukojmë shqiptarët, t’i pastrojmë nga zhuli otoman, t’u heqim huqet që ua solli peshqesh halldupi etj. etj., por jo t’i bëjmë. Interpretime si këto mund të bëheshin nga ata që mbështeten tek teoritë esencialiste të nacionalizmit. Dhe s’janë pak, qoftë në botë, qoftë ndër ne. Klima antiemigracion, që po pushton Perëndimin, duket se po i inkurajon dhe, mbase edhe po i shton. Në mos në radhët e studiuesve, të paktën në radhët e politikanëve dhe të vulgut.

Të tjerë, që mbështeten tek teoritë moderniste të nacionalizmit, do të thoshin: Ka folur drejt Ismail bej Vlora, kaq drejt sa s’e luan as topi. Është shteti ai që krijon bashkëkombasin, duke venë në punë instrumente të shumtë dhe të shtrenjtë si shkollat, mediet, shërbimin ushtarak etj. Pastaj mund të shtonin: Po të qe i bërë shqiptari, do ta kishim fituar pavarësinë edhe ne, kur e fituan fqinjët dhe s’do prisnim fundin e meselesë, kur i Sëmuri i Bosforit po shëmbej dhe rrëmeti mund të na zinte nën vete.

Mund të shtonin edhe një tjetër argument: Po të qe i bërë shqiptari, shteti shqiptar nuk do t’i ngjante Kalasë së Rozafës, kemi një shekull që e bëjmë dhe e zhbëjmë periodikisht dhe, çdo herë ia nisim nga themelet. Bina-dalë, thoshin plakat gjirokastrite.

Por historianët, ata të sojit, që mbështeten në dokumente dhe jo në folklor, do të mbanin tjetër qëndrim dhe do të ofronin tjetër të vërtetë. Nuk ka asnjë dëshmi që Plaku i Vlorës të ketë thënë kështu. Madje, sipas rastit e sipas oreksit, disa pseudo historianë dhe gazeta shkrues ia kanë veshure këtë thënie jo vetëm Ismail beut, por edhe Fishtës e Konicës. E vetmja gjë e provuar, do të shtonin historianët, është se, më 1861 statisti italian Massimo d’Azeglio pat thenë: ‘Italinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë dhe italianët.’ Analistët e ligjërimit mund ta shihnin gjënë nga një tjetër kënd dhe të thoshin: Përkthimi i kësaj fraze nga italishtja, trillimi i autorësisë duke synuar shqiptarët më të shquar dhe më me ndikim të asaj periudhe, janë fakte që dëshmojnë se ligjërimet për nacionalizmin shqiptar mbeten tejet heterogjene.

Vështirë që gjithë shqiptarët të bëhen bashkë në ndonjërin prej këtyre ligjërimeve. Dhe kjo është gjëja më e natyrshme për kohën tonë, kur ka shumësi të vërtetash, kur çdo pikëvështrim zbulon anë të reja të dukurisë që analizohet, shpesh edhe e rikonstrukton të gjithën.

Duke pranuar këtë status të ri ontologjik, e rëndësishme është që të  kuptojmë dhe të pranojmë se kombi është një, paçka se të vërtetat mbi të janë shumë dhe vështirë që ndonjëra të ketë monopolin.

Gjithsesi, siç ndodh shpesh me tributë, e kemi bërë modë që secili të thotë të vërtetën e vet dhe të shtyjë e pështyjë opsionet e tjera, bashkë me ata që i artikulojnë. Pas gjasash edhe në dekadat e ardhshme do të vazhdojmë të jemi të ndarë e të përçarë, secili në të vërtetën e vet dhe kundër tjetrit.

Trojet mund të bëhen bashkë, kur të hyjmë në Evropën e bashkuar, por jo ligjërimet për nacionalizmin dhe historinë. Gjithsesi: Gëzuar festat dhe gjithë bashkë! Flamurin e kemi dhe, po qe se s’do marrosemi më keq, do vazhdojmë ta  kemi të përbashkët.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …