Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: Letër kryetarit të Shqipërisë, Bujar Nishani për Shqipërinë e vogël me ushtri të madhe

Më 4. 12.2016 me rastin e përkujtimit  të 104 vjetorit të ushtrisë shqiptare,  keni  thënë se “…ushtria shqiptare,  përpara , ishte ushtri e madhe por eksportonte  konflikte, kurse tani  është  ushtri e vogël por eksporton vetëm paqe”. Meqenëse jam një vit më i ri ( i lindur jam më 10 korrik 1946 në Prishtinë) se ushtria e ”madhe”( e themeluar më 10 korrik 1945 si trashëgimtare e UNÇSH ), sipas jush, desha të di se cilat konflikte i ka shkaktua ajo ushtria e “madhe” e për të cilat unë, si moshatar i ushtrisë së “madhe” nuk paskam dëgjuar kurrë deri tani?, Por së pari, si laik që jam në punët ushtarake, dua të mësoj, nga Ju, si student Skënderbegas që keni qenë, se çka nënkuptohet me ushtri të madhe dhe çka me ushtri të vogël? A mund të kenë ushtri të madhe shtetet me popullatë të vogël? Nga ju e mësova se ushtri të madhe mund të kenë Kina, India, Brazili, SHBA-ja, Rusia dhe shtetet me mbi 100 milion banorë. Tani, nga Komandanti i Përgjithshëm, e kuptova se edhe Shqipëria e vogël paska pasur ushtri të madhe. Dhe prandaj  paska patur mundësi që të prodhoi dhe eksportoi konflikte. Shqipëria ka pasu, sipas jush, ushtri të parregullt, të paorganizuar, të pa disiplinuar, të pajisur dobët me armatim, të pastërvitur dhe të papërgatitur për asnjë situate serioze. Pra mund të thuhet lirisht se ka qenë ushtri e madhe bashibozukësh dhe kaçakësh  dhe e organizuar në baza fisnore dhe krahinore e cila nuk ka mund të mbrojë asnjë dynym të tokës së Shqipërisë por se ka patur prirje tu bie në qafë shteteve fqinje dhe t’ua grabis nga një copë të mirë të tokave, aq sa me na lënë ne, brezit të tanishëm belanë në derë  dhe me na futë në borxhe deri në fyt.

Të përkujtojmë me radhë disa nga  konfliktet  të cilat i paska prodhua dhe eksportua ushtria e “madhe” shqiptare aq  sa mbaj mend unë e për të tjerat të më plotësoi Komandanti i  ynë  i Përgjithshëm:

Futja e ushtrisë së “madhe” shqiptare thellë në territorin e Greqisë me ç’rast zhvillohen luftime të rrepta në tokën greke ku vritet heroikisht, Sadik ( Abdullah) Kani në vitin 1949. Dhe pikërisht për këtë betejë, mbase  edhe deri tani Greqia nuk e heq gjendjen e luftës me Shqipërinë!

Dërgimi  i shumë grupeve diversantësh me parashuta në SHBA, Angli, Egjypt, Francë, Itali, Greqi, Jugosllavi dhe në shumë shtete tjera me qëllim të stërvitjes të emigracionit tonë politik dhe përgatitjen e tyre për t’i rrëzuar qeveritë e atyre shteteve. Ndoshta iu kujtohet kur këta parashuta të dërguara nga ushtria e “madhe” e zunë rob Hamit Matjanin në diku në xhunglat  e  SHBA-ve dhe e vranë Xhevdet Mustafën diku në malet e Jugosllavisë, apo të Greqisë ( sepse tani nuk më kujtohet mirë).

Është e njohur tani beteja e rreptë mes ushtrisë së “madhe” shqiptare dhe ushtrisë “mjerane” të ish-Bashkimit Sovjetik për disa nëndetëse. Ushtria e “madhe” shqiptare kaloi dete dhe oqeane për të shkua në Odesa  dhe nga atje i  zuri, si rob lufte, disa nëndetëse dhe në mënyrë të dhunshme i pruri deri në bazën e Pashalimanit të Vlorës. Kjo ishte edhe arsyeja e vetme që Shqipëria pastaj të përjashtohej nga Traktati i Varshavës e me të cilin rast ia panë “sherrin” e gjithë Europa dhe mbarë bota perëndimore me që kishte ushtri të “madhe” dhe eksportonte vetëm konflikte.

Akt tjetër i dukshëm i eksportimit të konfliktit  mund të quhet edhe përkrahja e hapur që iu dha Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë së “madhe” demonstratave masive të studentëve dhe popullit të Kosovës që nga 1 prilli i vitit 1981… Bile, sipas Azem Vllasit, edhe bunkerët bëheshin gati për lansim. Sepse ata (bunkerët) ishin projektuar nga ushtria e madhe si zëvendësim i raketave me rreze veprimi deri në 10.000 km. largësi. Nuk vonoi shumë dhe më 1982 erdhi kërkesa prej kryeministrit të Greqisë  (më duket se ishte Papandreu) drejtuar kryeministrit shqiptar Adil Çarçanit që të shqyrtohej mundësia që të gjitha shtetet e Ballkanit të ç’armatoseshin sepse mendohej nga shtetet paqësore si Jugosllavia dhe Greqia se nuk ishte më koha e konflikteve por vinte koha e një “koegzistence” paqësore në rajon. Nuk shkoi shumë kohë dhe kryeministri Adil Çarçani i ktheu një përgjigje kryeministrit grek përafërsisht me këtë përmbajtje “…pajtohem plotësisht me këtë propozim shumë të vyer. Por me kënd të mirremi vesh ne kur dihet se Greqia është në Paktin Nato, Italia po ashtu në Nato, Bullgaria në Traktatin e Varshavës e Jugosllavia është, gjoja, neutrale e në të vërtetë iu shërben të dyjave sipas rastit. Edhe ky rast mund të merret si eksportuese e konflikteve. Sepse politika e shtetit të ushtrisë së “madhe” e lë rajonin tonë pa u çmilitarizua…

Për fatin tonë të mirë në fillim të viteve të 1990-ta fillojnë të fryjnë erëra demokratike në të gjithë hemisferën e lindjes. Në Shqipërinë tonë erdhi një stuhi me uragan dhe i ktheu për së mbari  të gjitha përpjekjet e dyzetepesë vjetëve të fundit. Filloi të shembet ushtria konfliktuoze dhe të shndrrohet në ushtri paqësore e cila, me dekret të komandantit të ri të përgjithshëm, i ndaloi  eksportet e konflikteve dhe ato tani shërbejnë vetëm për përdorim të brendshëm.

Në mars të vitit 1992 u bënë zgjedhjet e lira dhe shumë partiake. Iu hap rruga edhe riformatimit të ushtrisë nga ushtri e madhe që prodhonte dhe eksportonte konflikte në ushtri të vogël  por e cila tanimë prodhon dhe eksporton vetëm paqe për rajonin dhe gjithë botën. Tani filloi që të eksportoj hekur skrap nga armatimet e pakuptimta të ushtrisë së madhe. Pra ushtria filloi të tkurrej e të rrudhej me shpejtësi. Nga eksportues i konflikteve filloi të bëhet importues i konflikete.

Tani komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë së vogël nisi ta pamundësoj zhvillimin e luftës në Bosnje duke mos iu dërgua asnjërës palë ndërluftuese naftën e nxjerrë  nga puset tona të Muzeqesë. Kjo ishte edhe prova e parë e sjelljes paqësore në raport me Komandantin e ushtrisë së madhe. Me këtë  akt shumë paqësor ai e fitoi edhe simpatinë e opinionit paqëdashës të botës..

Prova e dytë ( brenda shtetit) u bë me vënin  e pykës në mes veriut dhe jugut në pranverën e vitit 1997 por kësaj here pa sukses sepse u rebeluan disa oficerë të lartë të mallkuar, pizevengë e të padëgjueshëm prandaj edhe nuk u realizuan skenarët e importuar të futjes në luftë mes veriut dhe jugut, si në Amerikën e para dy qind viteve. Sepse, mendonim  atëherë, për ta fuqizuar shtetin duhet që, patjetër, të ndjekim shembullin e mikeshës Amerikë. Nuk dihej saktë se nga jepte urdhra komandanti i përgjithshëm, nga Tirana apo nga diku jashtë…

Provën e tretë e bëri me Gërdecin dhe doli i suksesshëm. Pati disa viktima por ato janë punë tona të brendshme dhe nuk kemi se pse të brengosemi. Pasi po e tkurrim ushtrinë dhe armatimin  pse mos ta tkurrim pak edhe popullatën.

Hapi i katërt ishte pranimi i dëmeve që i kishte shkaktua ushtria e madhe Greqisë në luftën e vitit 1949 kur ajo ( ushtria e madhe pra) hyri thellë në territorin e grek me ç’rast i kishte bërë dëme të mëdha materiale dhe në njerëz. Komandanti i përgjithshëm u kujdes për këtë  rast dhe e shpërbleu Greqinë me një copëz të detit. Kishte parasysh komandanti se ushtrisë së vogël nuk i nevojitet aq shumë  sipërfaqe e ujit sepse tash e kemi ushtrinë e vogël. Besa edhe nëndetëset na u kanë vjetruar. Në atë pjesë të detit ishin zbulua sasi të mëdha të naftës dhe vetëm sa bëhemi telashe me nxjerrjen e naftës. E sa ngatërrohemi mes veti se kujt do t’i takoj gjithë ajo pasuri më mirë me ia dhënë palës së tretë e ata mes veti e thefshin qafën. Mirëpo, sikurse në hapin e parë, edhe këtu na doli një dreq kushtetuese dhe na i prishi planet e na koriti para botës  ditën me diell dhe na e kthej mbrapsht dëmshpërblimin e premtuar fqinjit të parë. Prandaj edhe fqinji i parë u zemra fort dhe nuk do të na e heq ligjin e luftës.

Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë së vogël u kujdes që edhe datën e themelimit të ushtrisë tonë ta ndryshojë. Dhe bëri mirë shumë që e ndryshoi atë datë. Sepse ishte datë e themelimit të ushtrisë së madhe luftarake dhe e konflikteve të pakuptimta. Kurse tani kemi shkelë me të dyja këmbët në epokën e paqës dhe sa më shpejt duhet të shlyhen ditët dhe datat konfliktuoze!

Dhe krejt në fund, i nderuari krytetar Bujar Nishani, iu përgëzoj për këto fjalë margaritarë që ua kushtove ushtrisë konfliktuoze dhe asaj paqësore në këtë jubile të rëndësishëm. Iu përgëzoj edhe për suksesin e arritur në shpartallimin dhe disiplinimin e ushtrisë së madhe bashibozuke e konfliktuoze dhe për ngritjen dhe forcimin e ushtrisë së vogël e paqësore për të cilën ua kanë lakminë ( dhe frikën njëkohësisht) të gjitha ushtritë dhe shtetet paqësore që i kemi përreth.

Uroj që në jubiletë tjera të harrohet fare ushtria e madhe dhe të bëmat e saj.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …