Arben Llalla

Arben Llalla: Ja cili ishte Dritëro Agolli i UÇK-së

Të gjithë folën fjalët më të mira për poezinë dhe penën e Dritëro Agollit. Sapo morën vesh që u shua poeti i madh, nisi gara me turravrap se kush të fliste i pari në gazeta dhe televizione për poezinë e tij, vargjet e për kohët, kur ishte ligjvënës pas viteve 1990. Por, askush nuk foli për kontributin e tij kombëtar, lidhjet me Diasporën shqiptare në Turqi, Itali dhe shqiptarët vendas në Greqi, arvanitasit.

Pata fatin të bashkëpunoj me Dritëro Agollin jo për poezinë, publicistikën, penën letrare, por për çështjet kombëtare, për UÇK-në e Kosovës dhe arvanitasit. Ishte viti 1998, kur nëpërmjet telefonit Dritëro Agolli më këshillon që të lidhem me arvanitasin e shquar Aristidh Kolën dhe publicistin e njohur dibran, Abdurahim Ashikun, i cili jep një kontribut të shquar në emigracionin në Greqi, duke më dhënë madje numrat e tyre të telefonit.

Pikërisht, këshilla e Dritëro Agollit më çoi të njihem nga afër me studiuesin Aristidh Kola dhe të bashkëpunoj me atë deri sa u largua nga kjo botë në tetor të motit 2000.

Dritëro Agolli bashkë me intelektualë të tjerë shqiptarë kishte shumë vite që jepte kontributin kombëtar tek shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Ai pati lidhje me drejtuesit e lartë të UÇK-së e më njohu edhe mua me këta drejtues për të dhënë kontributin në luftën e drejtë të Kosovës.

Gjatë vitit 1998-2000, unë drejtova Forumin e Emigrantëve Shqiptarë në Selanik, në qytetin, ku ishte baza e fuqishme e propagandës së Millosheviçit. Në Selanik djali i Sllobos, Marko Millosheviçi kryente disa sipërmarrje të ligjshme dhe të paligjshme. Një pjesë e këtyre fitimeve përdoreshin në propagandën mediatike të Greqisë kundër UÇK-së dhe shqiptarëve.

 Atë periudhë bashkë me shumë shqiptarë e arvanitas, ne shkruanim dhe dilnim në mediat greke për të sqaruar opinionin e keqinformuar vendas rreth të vërtetës së UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë. Kur avionët e NATO-s nisën bombardimet mbi Serbinë dhe Kosovën më 24 mars 1999, më bie telefoni; ishte njeri nga diplomatët e lartë shqiptar, i cili më rrëfeu se Dritëro Agolli bashkë me Limos Dizdarin janë në Turqi në një takim ndërshtetëror dhe për pasojë, që aeroplanët nuk mund të fluturojnë nga Turqia për në Tiranë, ata do kalonin në Selanik dhe duhet t’i gjenim një vend të sigurtë, ku duhet të qëndronin atë natë. Në atë kohë Selaniku ishte një qytet i frikshëm, ku shërbimet inteligjente të ndryshme kryenin misionet e tyre, sepse në portin e këtij qyteti ndodheshin disa anije luftarake të NATO-s. Por, në fakt nëpërmjet Selanikut dhe Maqedonisë kalonin ndihmat për ushtrinë serbe, ku qeveria e Greqisë mbyllte njërin sy.

Më 25 mars 1999, diplomati shqiptar më njoftoi që të shkoja të merrja Dritëro Agollin, bashkëshorten e tij, Sadijen dhe mbesën Anën. Trupi diplomatik shqiptar kishte vendosur që Dritëro Agolli do të qëndronte në shtëpinë time, ndërsa Limos Dizdari në një tjetër shtëpi, kuptohet për çështje sigurie. Nuk bëhej fjalë për punë rehatie e luksi, sepse ata mund të qëndronin në hotelet e Selanikut apo në shtëpitë e diplomatëve, por ishte në pikëpyetje siguria e tyre. Makina me targa diplomatike të Turqisë që kishin udhëtuar dy deputetët shqiptarë, Agolli dhe Dizdari gjatë gjithë rrugës në territorin e Greqisë ishte përndjekur nga makina të ndryshme dhe kjo kishte ngjallur një farë droje për të panjohurën.

Natën e 25 marsit familja ime pati nderin të kishte mysafir Dritëro Agollin, zonjën Sadije dhe mbesën e vogël, Anën, të cilën nuk e ndanin asnjëherë siç më thanë. Atë natë e gdhimë me Dritëron duke pirë recinë dhe uiski. Jemi kënaqur me muhabet bashkë me prindërit e mi. Kemi folur për arvanitasit, UÇK-në, historitë e familjeve tona, pothuaj aspak për poezinë dhe letërsinë. Të nesërmen në orën 10.00 paradite i përcolla miqtë e mi, familjen Agolli për në Tiranë. Kështu e njoha unë Dritëro Agollin si njeri të thjeshtë, njeri që ka kontribuar në çështjen kombëtare, ku ka dhënë një kontribut të shquar në Çështjen e Kosovës..

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …