Frank Shkreli

Frank Shkreli: Janë të zhdukur por nuk duhet të harrohen

Më 30 gusht u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Bota e shënon këtë ditë çdo vit, ndërkohë që entet dhe organizatat ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe me aktivizim në këtë fushë përfshijnë Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejat të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Organizatën Amnesty International si dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ndër të tjera, ndërsa njëkohësisht shënohet dhe kujtohet edhe në shumë vende të botës.

Në bazë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme më 18 Dhjetor, 1992 si një rezolutë parimesh për të gjitha shtetet, Zhdukjet e detyrueshme të njerëzve ndodhin kur, “Personat arrestohen, kur kapen dhe mbahen kundër vullnetit të tyre, ose për ndryshe atyre u mohohet liria nga zyrtarë të ndryshëm të degëve ose niveleve të ndryshme të qeverisë, ose nga grupe të organizuara ose individë privatë të cilët veprojnë në emër ose me mbështetjen e drejtë për drejtë, tërthorazi ose me aprovimin e qeverisë, gjë që përfundon në refuzimin nga ana e saj, për të pranuar fatin e njerëzve dhe mohimin e lirisë së tyre, mohimin e lirisë madje edhe vet faktin e zhdukjes ose vend ndodhjen, gjë që i vendos këta njerëz të zhdukur jashtë mbrojtjes së tyre nga ligji.”

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, viktimat në fjalë janë shpeshëherë subjekt torturash dhe jetojnë të frikësuar për humbjen e jetës së tyre.  Ata janë të vetdijshëm se familjet e tyre nuk e dinë fatin e tyre dhe se mundësitë janë të vogla ose hiç se dikush mund tu vijë atyre në ndihmë.  Si të tillë, thuhet në shpjegimin e domethënjes së kësaj dite nga OKB-eja, të zhdukurit janë hequr nga ombrella e mbrojtjes nga ligji dhe janë zhdukur nga shoqëria, ndërkohë që të drejtat e tyre nuk u njihen më dhe janë krejtsisht në mëshirën e atyre elementëve që kontrollojnë fatin e tyre.

Edhe familjet dhe miqtë e viktimave vuajnë nga shqetësimet dhe ankthi i madh sepse nuk dinë nëse pjesëtarët e familjes janë gjallë ose jo, ku janë dhe si janë dhe nën çfarë kushtet mbahen dhe cila është gjëndja e tyre shëndetsore.  Ata presin me muaj e vite për ndonjë lajm, për ndonjë informacion mbi fatin e të afërmëve të tyre që ndoshta nuk vjen kurrë.  Shqetësimet familjare, nga zhdukja e të afërmëve të tyre, shtohen edhe më shumë nga pasojat materiale që sjellë kjo situatë. Pasi të humburit, mund të kenë qenë i vetmi krah pune në familje. Në një kronikë e VOA-s, në përkujtim të kësja dite kjo u pasqyrua më së miri në një raport nga Krusha e Madhe, një prej fshatrave më të prekura gjatë luftës në Kosovë, ku forcaz terroriste serbe zhduken me qindra burra të fshatit, fati i të cilëve nuk dihet as sot e kësaj dite. Llogaritet se gjithsejt në Kosovë mbi 1600 personave – shumica shqiptarë — nuk u dihet fati as rrethanat e zhdukjes.  Gratë e mbetura pa burra, janë detyruar të kujdesen për familjet e tyre duke u organizuar në një kooperativë bujqësore për të ndihmuar njëra tjetrën, e kështu edhe familjet e veta, për të mbijetuar.

Ndërkohë, në Shqipëri gjithashtu sipas VOA-s, Dita e Ndërkombëtare e të zhdukurve u kujtua në Tepelenë, pikërisht në  një nga ish kampet më famëkeqe të interrnimit në Shqipëri, ku humbën jetën gjatë regjimit komunist qindra të pafajshëm, mes të cilëve shumica fëmijë. Të mbijetuar nga ky kamp dhe të persekutuar nga regjimi komunist, raportoi VOA, morën pjesë të enjten në një aktivitet përkujtimor.  Në mënyrë simbolike, para kazermave të dikurshme, nisi mbjellja e 300 fidanëve, për përkujtimin e fëmijëve që humbën jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës, njoftoi VOA shqip.

ndodhur, shkelin një mori të drejtash të njeriut, përfshirë të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore, qoftë për vet viktimat e zhdukura, si dhe për familjet e tyre.  Këtyre krimeve, fatbardhësisht nuk u kalon kurrë afati. Sipas Statutit Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Romës të viti 2001 dhe në bazë të Konventës për Mbrojtjen e të gjithë Personave të Zhdukur, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në Dhjetor të vitit 2006, kur krime të tilla si zhdukja me forcë e personave organizohet dhe vihet në veprim si pjesë e një sulmi të gjithanshëm  kundër një popullsie civile – zhdukja me forcë e njerëzve konsiderohet si krim kundër njerëzimit dhe si i tillë, ndëshkimit kundër atyre personave, organizatave ose qeverive që kanë gisht në zhdukjen e tyre, nuk i skadon kurrë afati.  Në bazë të këtyre konventave, familjet e të zhdukurve kanë të drejtë të kërkojnë riparime dhe për më tepër të këmbëngulin për zbardhjen e së vërtetës mbi fatin e të afërmëve dhe të dashurve të tyre.

Është interesant  fakti se në raste të tilla, siç është përkujtimi i Ditës Ndërkombëtare së të Zhdukruve ose i ndonjë dite tjetër ndërkombëtare që ka të bëjë me viktimat e komunizmit, udhëheqsit shqiptarë, duket se janë të “nxënë” me punë tjera më të rëndësishme dhe nuk u del kohë që të kujtojnë gjarje të tilla që kanë ndodhur aq shumë kohë më parë.   Sipas lajmeve që kam parë deri tani, nuk vura re ndonjë përkujtim zyrtar të kësaj dite nga autoritetet qeveritare e shtetërore në Prishtinë, por as në Tepelenë nuk kam parë ndonjë zyrtar të lartë të institucioneve të Tiranës të ketë marrë pjesë dje në përkujtimin për të zhdukurit në atë kamp famëkeq internimi te regjimit komunist.  Fatbardhsisht, në kampin e shfarosjes, kishte përfaqsues ndërkombëtarë nga OKB-eja dhe nga OSBE-ja që morën pjesë në ceremoninë e të mbijetuarve, ku përfqsuesi i OKB-ës në Tiranë njoftoi se organizata që ai përfaqëson është e interesuar për Shqipërinë dhe për ato që kanë ndodhur në kampet e internimit, si famëkeqi i Tepelenës.  Po si dhe kur Tirana zyrtare do tu bashkohet dnërkombëtarëve dhe të fillojnë të interesohen vet udhëheqsit shqiptarë për këto krime që kanë ndodhur në territorin e tyre, në emër të popullit dhe të shtetit shqiptar, ndonëse me një regjim tjetër?   Udhëheqsit me karakter janë ata që në emër të së drejtës bëjnë atë që duhet për popullin e vet.  Udhëheqësja që vepron për të ndryshuar gjërat për më mire, është një udhëheqje që është gati të bëjë të duhuren…Një udhëheqje e tillë merr edhe vendime që mund të konsiderohen si të vështira – por që merren nga një qëndrim moral, etik dhe i drejtë.  Kushdo mund të jetë një timonier, por nevojitet një burrë i madh për të përcaktuar rrugën drejtë të cilës duhet të shkohet për një të ardhme më të mirë për të gjithë, pa përjashtim, përfshirë edhe të mbijetuarit e kampeve të përqendërimit dhe familjet e të zhdukurve të luftës në Kosovë dhe të atyre që janë zhdukur në kampet e përqendërimit si ai i Tepelenës e fati i të cilëve nuk dihet as sot pas aq shumë dekadash.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …