Muralet
i hoqën më parë
se ç’i vunë
muralet në Parlamentin e Kosovës i mbuluan
përfaqësuesit fatalë të popullit
futur aksidentalisht në lojën e madhe
të kombit
me halle
muralet sot
mbuluar me ferexhe
lojë me historinë
deri në trishtim
përfaqësuesit e platformës neveritëse
netëftohtave të dimrit
në peshim
nën peshën e ndjenjës së keqe
muralet në Kuvendin e “burrave” të Kosovës
edhe sot
mbuluar me ferexhe
A do karrocë zotëri
ndjesi trishtimi
shtrirë në shekuj
bijtë e shekullit të ri
në tregun e blertë të Prishtinës
strukur nën lotin e shiut
shpresa të mekura në zërin e një fëmije
që thërret në refren
i ndjenë
A do karrocë zotëri …
te tregu i blertë i Prishtinës
jo larg spitalit të veremit
u dogj në mjerim poema
dhe mushkëri e Migjenit
A do karrocë zotëri …
Katarsis
e pabesueshme
kaq shumë pastrim u dashka
në këtë krizë
me reduktime uji e rryme
vështirë se
pastrohet ndërgjegjja
a ka lumë që na lanë
dy sharje ka
e zeza ju shpëlaftë
lumi mos ju laftë
Divorcimi
dy gjenerata
përjetësisht të divorcuara
për hir
të besnikërisë
dhe
tradhtisë
ndaj atdheut
Burrëri
burra
ka
ka pasur
do të ketë
kryefjala dhe kallëzuesi
burri
nuk liget dhe
në pusi të ligësive
nuk bie
kaq e thjeshtë
Barrëse
fjala mori dheun
Qeveria qenka me barrë
në kuvend
në rend të ditës
kërkesë e opozitës
për kohëzgjatjen e shtatzënisë
dhe atësinë e fëmijës
duam sqarim
menjëherë
ndryshe Kosovës do t’i mbesë
“me ligj”
kopili në derë
Partitë
e djathtë
e majtë
e qendrës
…
u përligj kjo lojë
përmes përkatësisë partiake
identifikohemi
në fytyrë e surrat
me shterpësinë e gjatë
kancerin morën kryeparët
morën në stomak
Teatër
para teatrit
kompozim ngjyrash
e personazhesh
të dëshpëruar
me egon vulgare
me ambicie meskine
të mbështjellë tërkuzë
cilën dramë po përgatisin tani
për publikun shqiptar
në mos prapë
„Godonë“ vallë
Silikoni
bastardët e menduan
t’ia venin silikonin në gji
Kosovës nënë
që të mos i zë mallkimi
i saj në zemërim
haram ju qoftë silikoni
i gjinjve të mi!
bastardët shpëtuan
slikonin zbuluan
në kurriz të atdheut
gërmuan
tani
pa frikë nga mallkimi
i gjinjve shterpë me silikon
të Kosovës nënë
Karriget
si orendi në Parlament
karrige shumëngjyrëshe vunë
të zbrazin vrerin kundër njeri-tjetrit
deputetët
në karrige të parin vunë
me legen në duar
për të mbajtur radhën e zbrazjes
respektoni radhën tani
ju vrerëzi
ngacmuesi i vrerit ju fton
Murtaja
për vendin vakant
kambana e përmbysjes së madhe ra
nga shoqëria vakante u dogjëm
tautologji e stërzgjatur
mekje pranverore
minjtë e mbeturinave të qytetit
murtajë po përhapin
kurthi s’po i zë
në kurth
pa (me) dashje
kemi rënë.
Mehmet Bislimi: Lavdi qiellit
(Ti mi gëzofsh 80-të pranvera, Adem Demaçit me rastin e ditëlindjes)
në motet e largëta
zë i vetmuar
një grusht atdhetarësh
përflakur
në ballë të furtunës
bijtë e tokës
bijtë e zotit
bijtë e nënëlokes
Kosovë e Adem Demaçit
Kosovë vatër e zjarrit
Kosovë vatër lirie
Kosovë e Adem Jasharit
në këtë vend që nuk kishte teatër
e teatër luhej
as sot
nuk skuqen ata
që do duhej skuqur
shpirtshiturit u trazuan
bacë Ademi të vërtetën tha
si gjithmonë
të vërtetën
dhe
as gjë më shumë
ai
edhe dje
si sot e nesër
gjërave u thotë në emër të vet
hajnit i thotë hajn
tradhtarit- tradhtar
qenit- qen
spiunit- spiun
zagarit- zagar
pushtuesit- pushtues
çlirimtarit- çlirimtar
ai nuk vdes kurrë
si lumi me shkumë
ai eci vertikalisht
në një kohë
kur shumë të tjerë hiqeshin zvarrë
si hardhucat e përhirtë mbi zall
mure erë myku e zymtësie përballoi
papërkulur e ballëlartë
në rrugët e jetës marshues
në rolet e imponuara nuk u tjetërsua
me fuqinë e shpirtit
për botën e madhe
dashurinë përjetësoi
deri në sakrificë e vetëmohim
dashuri për të tjerët
dhuroi
nëse keni dëgjuar deri më tani
ta ketë peshuar dikush
gurin e vuajtjeve të tij shpirtërore
e pra
sa peshoi vuajtja
mbi supet e tij
mbi një çerekshekulli me diellin u mat
sytë nuk iu verbuan
nga klithmat e të tërbuarve
si klithma lakuriqesh në shpellat pa lum
në shpellat pa hënë
ku jargët e tyre
lakuriqet hanë
lavdi qiellit
çka (s) presim më shumë
nga kryeneçët e kësaj shoqërie të çakorduar
çmendurisht
kryeneçë gërdallë
sa je gjallë të shajnë
kur të vdesësh të qajnë
tetor, 2015
Mehmet BISLIMI
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
