RKL: Dilema e Serbisë për pozicion definitiv me Rusinë apo me Perëndimin po thellohet edhe më shumë

RKL: Dilema e Serbisë për pozicion definitiv me Rusinë apo me Perëndimin po thellohet edhe më shumë

Mediet dhe portalet, në Serbi kanë filluar një fushatë kundër shteteve, që e kanë njohur dhe e përkrahin pavarësinë e Kosovës. Gjithnjë duke e paraqitur Serbinë si viktimë të presionit ndërkombëtar me Amerikën, Anglinë dhe Francën në krye, ato ankohen se këto dhe shtete të tjera e paskan vënë Serbinë para aktit të kryer, me Lindjen apo me Perëndimin? Beogradi zyrtar  nuk i beson dot Rusisë sepse ajo e kishte lënë në baltë Serbinë në kohën kur NATO-ja e kishte  bombarduar për 78 ditë rresht në pranverë të vitit 1999.

Dilema serbe për pozicion definitiv mes Rusisë apo shteteve të Perëndimit është thelluar edhe me rastin e bombardimit të Amerikës, në Siri, më 14 prill 2018, pa marrë para sysh kërcënimet e Kremlinit  se raketat amerikane do të digjeshin në ajër po qe se do të dukeshin mbi Siri.

Tërheqja kokulur nga kërcënimi i fortë që  bëri  Rusia me rastin e bombardimit të Amerikës, mbi Siri, ka bërë që forcat pro ruse në Serbi të ndihen edhe më të frikësuar e të pavendosur lidhur me përkrahjen nga Rusia, që ata e dëshirojnë me gjithë shpirt por nuk e besojnë, sepse deri tanë përkrahja e tillë u ka munguar, pikërisht në rastet më kritike.

Serbia, lidhur me Kosovën, më shumë mbështetet në pesë Shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë sesa në Rusinë, vendin e origjinës dhe ADN-së së përbashkët fetare e kombëtare, vendin, i cili e kishte krijuar Serbinë si shtet me qëllim për ta bërë  xhandar të popujve në Ballkan, (ashtu sikur ishte për 80 e më shumë vjet) dikur me përkrahjen e shteteve më të mëdha të Evropës, të cilat sot nuk e mbështesin, në atë masë sikur do të dëshironte Beogradi zyrtar, i cili kërkon kthimin në Kosovë dhe suspendimin e pavarësisë së saj.

Në fushatën e ankimeve të tilla, gazeta “politika”, e Beogradit shkruan se Franca do t’i dërgojë notë proteste çdo shteti që në të ardhmen, eventualisht, me kërkesë të Serbisë, do të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Parisi zyrtar është i irrituar me veprimet dhe aktivitetet e Serbisë kundër Kosovës. Kjo gazetë shkruan se ky vend aleat i dikurshëm i Serbisë e ka bërë këtë kërcim pas lajmeve se Serbia po lobon te disa shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta tërheqin njohjen. Për ne Kosova është e pavarur dhe ne do t’i dërgojmë notë proteste çdo shteti që eventualisht, me kërkesë të Serbisë, tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë zyrtari i këtij shteti në selinë diplomatike serbe në Nju –Jork.

Portali, “Serbia sot”, bën të ditur se Britania e Madhe ka hyrë në luftë të haptë me Serbinë për ta rrëzuar Vuçiqin dhe pushtetin në Beograd, për ta ndarë Serbinë nga Rusia dhe për t’ia siguruar Kosovës pavarësinë e plotë dhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Nga Londra, gjithnjë sipas këtij portali, ka arritur mesazhi i qartë për Serbinë dhe për vendet që rishqyrtojnë njohjen e tyre të Kosovës ose që Serbinë e përkrahin në ndonjë mënyrë: “Do ta shkelim çdo kë që do ta përkrahë Serbinë”.

Po kështu gjatë takimit që kryetari i Serbisë Aleksander Vuçiq, pati me kryetarin  e Këshillit Evropian, Donald Tusk, deklaroi se Kosova është çështja më e rëndësishme për Serbinë, e cila, nëse nuk zgjidhet në mënyrë adekuate, është një pengesë për Bashkimin Evropian.  Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, Vuçiq përsëriti se është e rëndësishme për të arritur një kompromis, por duke nënvizuar se nuk mund ta pranojë poshtërimin e Serbisë. “Vendi ynë asnjëherë askujt nuk ia ka lejuar këtë, por nuk do të lejojë as në të ardhmen, ka thënë ai duke shtuar se këtë qëndrim ia përcolli dhe Donald Tuskut. Nuk kemi çfarë të ofrojmë ose të shesim diçka, që ata para meje nuk e kanë dhënë, por mund të premtoj se do të luftojmë për interesat e popullit dhe shtetit shumë më fuqishëm se sa të tjerët  që  kanë luftuar më herët”.

Kompromisi i Vuçiqit për fillim është shkëputja edhe “de iure” e veriut të Kosovës, pastaj bisedime pa fund lidhur me pozitën e serbëve brenda Kosovës, kthimin e të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen, pozitën e kishave, të pronave që Serbia konsideron se i ka në Kosovë e kështu me radhë.

Manovrat dhe qëndrimet e luhatura të Vuçiqit herë me vaje e ankime e herë me kërcënime se do të luftojë  edhe më ashpër se Milosheviqi, për ta kthyer Kosovën nën Serbi, janë manovra tipike të një krimineli, që ka kryer krime lufte në Bosnje e në Kroaci dhe ka ofruar rreth veti kriminelë si pionierin e Milosheviqit, Ivica Daçiq, kryetarin e vet shpirtëror, të dënuarin për krime lufte nga Haga, Vojisllav Sheshel, kriminelin e akuzuar për krime lufte në Kosovë, Ljubisha Dikoviq dhe tërë mbetjet kriminale të Serbisë së kohës së Milosheviqit.

Janë pikërisht këta serbë që Rusia i kishte lënë nën mëshirën e NATO-s në vitin 1999 dhe pavarësisht retorikës vëllazërore me Rusinë ata nuk i besojnë “baçushkës”, edhe pse trumbetojnë lidhjet vëllazërore, të cilave nuk i beson Kremlini duke parë koketimin e tyre me vendet e BE-së dhe përpjekjet zyrtare të Serbisë për t u anëtarësuar në të.

Dilema e Serbisë Vuçiqiane po e vë në agoni ardhmërinë e shtetit, i cili është i mbarsur deri në fyt me probleme të pazgjidhura etnike si në Vojvodinë, Sanxhak, në Kosovën lindore dhe në Krahinën e Timokut të banuar me vllahë. Tani po troket momenti kur Serbia zyrtare duhet doemos të marrë një vendim definitiv me Lindjen e preferuar gjenetike, apo me Perëndimin si një të keqe të domosdoshme, por që duhet të kapërdihet për hir të ekzistencës.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …