Adil Fetahu

Adil Fetahu: Çfarë do të jetë “karrigia” e Kosovës në OKB?

Në qarqet diplomatike të Bashkimit Evropian dhe të Amerikës, është folur që moti, se në fund të procesit të bisedimeve midis Kosovës e Serbisë, duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obliguese për normalizimin e  plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve. Se a ka normalizim të plotë pa njohjen reciproke, këtë mund ta gëlltisin vetëm ata që nuk kanë njohuri për marrëdhëniet midis shteteve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, këtë ia ka bërë të ditur Serbisë qysh në korrik të vitit 2013, si kusht për procesin e integrimit në BE. Nga bisedimet e  deritashme janë  lidhur një numër i madh i marrëveshjeve, por pothuajse asnjë prej tyre nuk është zbatuar as nuk po zbatohet si duhet, për shkak të obstruksioneve që po i bënë Serbia.

Kohëve të fundit, sidomos pas marrjes së statusit të kandiatit të Serbisë për BE,  diplomacia e BE-së dhe ShBA-ve, kanë intensifikuar njëfar presioni mbi të dy palët, që bisedimet të përfundojnë sa më parë, dhe që të arrihet marrëveshja e “shumëpritur” për normalizimin e marrëdhënieve. Duket se Perëndimi e ka vërejtur ndikimin gjithnjë e më të madh të Rusisë në Ballkan, dhe po përpiqet që Serbinë dhe Malin e Zi sa më parë t’i futë brënda gardhit të BE-së, që në njëfar mënyre do t’i largonte paksa nga ndikimi i Rusisë. Mirëpo, duke ditur politikën serbe, ma thotë mendja se edhe pas anëtarësimit të Serbisë në BE, kjo do të jetë vetëm si kali i trojes ruse aty, sepse nuk do të shqitet nga politika ruse, për shkak të orientimit tradicional politik, fetar dhe emocional të popullit serb ndaj “nënës Rusi”.

Sidoqoftë, diplomacia evropiane dhe ajo amerikane duan ta shtinë procesin e bisedimeve në shpejtësi, nga “leri” i deritashëm, dhe të nxjerrin një përfundim. Se çfarë epilogu do të jetë, është vështirë të dihet. Po qarkullojnë opsione të ndryshme, varësisht se kush i plason ato: pala shqiptare, apo ajo serbe, duke lëshuar tullumbaçe në opinion, për të matur pulsin dhe disponimin e popullit. Pala ndërkombëtare është enigmatike, si gjithnjë.

Kryetari i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, sot (më 26 shkurt 2018) ishte në Beograd, në një turne nëpër Ballkan. Në deklaratën që dhanë mediave Junker e Vuçiq, pas vizitës, zyrtari i lartë evropian u tha qartë: “Vendet të cilat nuk i kanë zgjidhur kontestet bilaterale, nuk mund të bëhën anëtare të Bashkimit Europian. Dëshirojmë që Ballkanit t’i ofrojmë stabilitet, e jo të importojmë jostabilitet. Brukseli dëshiron normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës. Nuk na takon neve të themi se  çfarë karakteri do të jetë ajo marrëveshje; i takon Beogradit e Prishtinës t’ia caktojnë atë”, tha Junker.

Opsioni i karriges së Kosovës në OKB

Kryetari i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, qysh në korrik të vitit të kaluar lansoi një tullumbaçe, të quajtur: “Dialogu i brendshëm serb për Kosovën”. Ç’është e drejta, me atë rast ai tha se “duhet të shikojmë të ardhmën e të dy popujve, dhe të mos kapemi shumë pas miteve të së kaluarës, dhe se nëse Serbia don të hyjë në BE, duhet të paguajë një çmim për këtë”. Megjithatë, Vuçiq në çdo rast e përsëritë, si papagall, se Serbia nuk do ta njeh Kosovën shtet të pavarur, as nuk ka njeri në Serbi që do ta nënshkruante njohjen e saj, veçse duhet të gjendet një zgjidhje, me kompromise të dhemshme për të dy palët?! Se ku është ajo vija e kuqe, nën të cilën nuk mund të shkojnë kompromiset, mbetet të shihet.

Kohëve të fundit po flitet për një kompromis, sipas mendimit tim fare të padobishëm për Kosovën, e shumë të dobishëm për Serbinë. Sepse, sipas atij opsioni e “kompromisi”, Serbia që Kosovën e ka guri në qafë në rrugën e saj për integrimin e në BE, do të lirohej prej “atij guri”, duke dhënë pëlqimin që Kosova ta “fitojë karrigën” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.  Me gjasë kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi është i  kënaqur me këtë opsion. Ai këtë marrëveshje e konsideron historike, që i mundëson Kosovës karrigën në KB, ndërsa Serbisë anëtarësimin në BE,  edhepse nuk prêt që Serbia do ta njeh Kosovën!

Deri sa të vjen ai “dakik i marrëveshjes historike” ka edhe shumë punë, edhe shumë bisedime akoma më të zorshme e më të ndërlikuara se deri më tash, sidomos për sa i përket statusit të  Veriut  dhe të gjithë  serbëve  e të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë? Bile, në qarqet serbe sillen propozime, që serbëve në Kosovë t’iu jepet një autonomi, sikur e ka Vojvodina në Serbi. Natyrisht këto janë opsione dëshirash, pa kurrëfar baze. Sepse asgjë më tepër se iu garanton Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës që është derivate i atij plani,  dhe kurrëfar kompetencash ekzekutive për “Zajednicën” nuk duhet të lejohen.   Bisedime edhe më të rënda do të zhvillohen për aspektet ekonomike, rreth pretendimeve pronësore të Serbisë, e cila synon të mbajë “Trepçën”, Liqenin e Gazivodës, Brezovicën, dhe shumë pretendime tjera, siç i quajnë ata, mbi pronat shtetërore e publike. Natyrisht, të gjitha ato i potencojnë me kërkesa maksimale, për të nxjerrë atë sa mund ta nxjerrin, dhe kjo varet shumë nga aftësia negocuese e palës kosovare në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel, gjë që deri më tash është treguar shumë e ngathtë, e pa përgatitur dhe pa përvojë. Udhëheqësi i ekipit për bisedime, që tash kryeministri Haradinaj e caktoi këshilltarin e tij të pa përvojë për këtë punë dhe pa njohuri për politikën serbe, lë shumë për të dëshiruar, apo edhe dyshime, nëse do bëhën kompromise në dëm të Kosovës, për ta ruajtur Haradinaj karrigën e kryeministrit, e cila i rrezikohet në çdo moment nga “Lista srpska” me votën e saj paralizuese në Kuvendin e Kosovës! Udhëheqësit kosovarë janë të shantazhuar edhe nga Gjykata Speciale, që po iu rri mbi kokë si shpata e Damokleut.

Opsioni i karrigës së Kosovës në KB, po mbështetet gjoja në formulën dhe shembullin e dy Gjermanive, të cilat ishin anëtare të KB, edhepse nuk e njihnin njëra-tjetrën. Nëse vërtetë, “karriga” do të nënkuptojë statusin e anëtarit të plotë, me të drejta të barabarta, në KB, ku do të valojë flamuri i shtetit të Kosovës në mesin 193 flamujve tjerë, kjo nënkupton se ajo Organizatë, po e njeh pavarësinë e Kosovës, gjë që deri sa është në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, është iluzore të mendohet. Nëse e pranojnë Kosovën, por si çështje të hapur, sipas asaj Rezolute, kjo do ishte politikë krejtë e pafrytshme dhe e rrezikshme për Kosovën. Nga ana tjetër, nuk e besojmë se opsionin e anëtarit të plotë, si çështje të mbyllur të shtetit të Kosovës, mund ta gëlltitë Vuçiqi, sepse kjo do të thoshte se edhe ai e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e që është jo vetëm në kundërshtim me të gjitha  deklarimet e tij të deritashme, por edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë, e cila “Kosovën e Metohinë” e ka pjesë të patjetërsueshme territoriale e politike të shtetit të Serbisë, dhe kështu Vuçiqi do ta merrte epitetin e tradhtarit të shtetit e të kombit të vet.

Pala shqiptare duhet pasur shumë kujdes, që marrëveshjen përfundimtare me Serbinë kurrësesi të mos e fus nën ombrelën e Kombeve të Bashkuara, për shkak se atëherë (Kosova) do të pranonte se akoma nuk e ka zgjidhur statusin përfundimtar, tamam ashtu siç është përmbajtja e Rezolutës 1244 e KS, dmth. vullnetarisht po i nënshtrohet asaj Rezolute, se cilës qëmoti i ka kalua data e skadencës! Bisedimet janë zhvilluar nën patronatin e BE-së dhe ShBA-ve, dhe zbatimin e marrëveshjes duhet këto ta garantojnë, e jo Kombet e Bashkuara, të cilat nuk janë gjendje të garantojnë asnjë marrëveshje as rezolutë të tyre.

Në Organizatën e Kombeve të Bashkura, respektivisht në Asamblenë e Përgjithshme të saj, karrigat kanë statuse të ndryshme. Karriga e shtetit anëtar të KB, me të drejtë vote e të drejta tjera të barabarta; karrige e shtetit vëzhgues; dhe karrige e entitetit jo-shtet, që mund të jenë organizata apo lëvizje të ndryshme në botë. Karrige  si shtet vëzhguesi ka Vatikani; ka pasur edhe Zvicra deri në vitin 2002, kur pas vendimit të marrur në referendum u bë anëtare e plotë. Po karrige vëzhguesi kishte edhe Organizata për Çlirimin e Palestinës, ka Sahara Perenëdimore, madje ka edhe Aradha Ushtarake Sovrane e Maltës, etj. Në status të vëzhguesit mund të debatosh ose të përgjigjesh në pyetjet që të bëjnë anëtaret tjera, por nuk nuk mund të votosh as nuk je i barabartë në asnjë pikëpamje. Duhet pasur kujdes se çfarë “karrige” do të fitohet në KB, dhe asnjë karrige atje, nuk ia vlenë në qoftë se blehet shtrejtë në dëm të Kosovës. Mund të jetoje e të zhvillohet shteti i Kosovës edhe pa karrigën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …