Afrim Berisha: Ndikimet pozitive dhe negative të pandemisë COVID-19 në mjedis!

Ndikimet pozitive dhe negative të pandemisë COVID-19 në mjedis!

Afrim Berisha, PhD i Shkencave të Mjedisit

Dihet tashmë që problemet kryesore që janë raportuar dhe që vazhdojnë të raportohen anë e kënd botës në lidhje me pandeminë COVID-19 janë vdekjet e shumë njerëzve dhe rënia ekonomike. Nga ndikimi i pandemisë janë prekur pothuajse të gjithë sektorët zhvillimorë. Jashtë këtij ndikimi nuk ka mbetur as sektori i mjedisit. Por për dallim nga sektorët tjerë ku pandemia ka pasur kryesisht ndikime negative, në sektorin e mjedisit kishte më shumë ndikime pozitive, krahas atyre që ndikuan në përkeqësimin e gjendjes mjedisore.

 

Ndikimet pozitive

 

Cilësia e ajrit dhe emetimet në atmosferë

Një nga përfitimet kryesore të mjedisit që erdhi si rezultat i pandemisë ishte përmirësimi i cilësisë së ajrit. Për shkak të reduktimit të lëvizjeve me makina, u raportua për përmirësim të parametrave të cilësisë së ajrit në zona urbane në mënyrë të veçantë për treguesit që ndërlidhen me ndotjen nga trafiku si Dyoksidi i Azotit (NO2) dhe Grimcat PM2.5. Të dhënat e agjencive të ndryshme mjedisore treguan se përveç reduktimit të ndotësve që shkarkohen në atmosferë nga sektori i transportit, përfshirë këtu emisionet e  NO2 dhe PM2.5, kishte reduktim edhe të emetimeve të gazrave serë e veçanërisht të CO2.  Në uljen e emetimeve në ajër dhe të emetimeve të gazrave serë ka ndikuar edhe reduktimi i fluturimeve, ndalimi i aktiviteteve sportive, aktiviteteve të mëdha publike, koncerteve, konferencave dhe takimeve.

Ngadalësimi i dëmtimit të shtresës së ozonit

 

Reduktimi i transportit gjatë periudhës së pandemisë, në mënyrë direkte ka reduktuar edhe uljen e konsumit të produkteve të naftës. Kjo ulje e konsumit të naftës ka pasur ndikime pozitive në mjedis e në mënyrë të veçantë në reduktimin e emetimit të gazrave që e dëmtojnë shtresën e ozonit. Së këndejmi është raportuar se degradimi i shtresës së ozonit gjatë kësaj periudhe kohore është ngadalësuar.

Rënia shkallës së vdekshmërisë nga ndotja e ajrit

Është thënë vazhdimisht se shkalla e vdekshmërisë si pasojë e ndotjes së ajrit në botë është në rritje. Të dhënat flasin se gjatë periudhës së pandemisë është shënuar rënie e vdekshmërisë nga ndotja e ajrit, për faktin se ka pasur një reduktim të pranisë së gazrave helmuese në atmosferë që vijnë nga sektori i transportit por edhe për shkak se njerëzit nga të gjitha grupmoshat kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi dhe kanë shmangur ekspozimin ndaj këtyre ndotësve.  Duke marrë për bazë faktin se shumica e popullsisë sot jetojnë në zona urbane, përmirësimi i cilësisë së ajrit në këto zona kishte një ndikim shumë të rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit publik. Në disa vende rënia e shkallës së vdekshmërisë ishte për 20% më e ulët.

Reduktimi i zhurmës

Reduktimi i aktiviteteve të transportit dhe aktiviteteve tjera ekonomike e kulturore në njërën anë, dhe kufizimi i lëvizjes në ambientet e hapura të njerëzve në anën tjetër, kanë reduktuar ndjeshëm edhe nivelin e zhurmës por edhe ekspozimin ndaj këtij ndotësi. Ky përmirësim është vërejtur sidomos në zonat urbane.

Më pak njerëz në rrugë, më pak ndotje

Përveç reduktimit te ndotjes së ajrit që ishte rezultat i reduktimit të transportit, numri i reduktuar i njerëzve në ambientet e hapura ka ndikuar që të ketë më pak ndotje edhe të natyrave tjera. Është raportuar kryesisht për një ulje të mbeturinave në rrugë, në natyrë, në rrjedhat ujore dhe në përgjithësi në ambientet e hapura. Ka pasur reduktim të ndotjes edhe për shkak se janë reduktuar djegiet e hapura të mbeturinave apo edhe  për shkak se ka pasur më pak aktivitete të ndezjes së skarave në ambientet e hapura.

Parqe dhe plazhe më të pastra

Pamundësia e njerëzve që të lëvizin lirshëm dhe që të kryejnë aktivitetet e tyre, ka ndikuar që disa zona sikurse janë parqet, pyjet dhe plazhet të jenë më pak të ndikuara nga aktivitetet e njeriut. Është raportuar për më pak mbeturina në këto zona, më pak mundësi të shqetësimit të faunës së egër dhe më pak raste të zjarreve në pyje.

Shenja të dukshme të përmirësimit të mjedisit gjithandej

Në muajt e parë të pandemisë, satelitët regjistruan imazhe përmes së cilave vërehej qartë një rënie drastike e ndotjes së ajrit gjithandej nëpër botë. Si rezultat i përmirësimit të cilësisë së ajrit mediat në Indi, raportuar se pas 30 viteve, njerëzit nga India Veriore, mundë të shihnin qartë majën e Himalajeve. Në qytetin turistik të Venedikut (Venecia), pas një kohe të gjatë për shkak të reduktimit të ndotjes së ajrit dhe reduktimit të transportit në kanalet e ujit, qielli i qytetit ishte i hapur ndërsa uji në kanalet e qytetit ishte i pastër.  Në plazhet e Tailandës që ishin të boshatisura për shkak të pandemisë, pas 20 viteve u rikthyen breshkat për të lëshuar vezët e tyre.

Ndikimet negative

 

Krahas ndikimeve pozitive, periudha e pandemisë kishte edhe ndikime negative mjedisore dhe që kryesisht ishin të ndërlidhura me sistemin e menaxhimit të mbeturinave, shkarkimet në ujëra, shfrytëzimin e resurseve apo edhe reduktimin e buxhetit për mjedisin.

Rritja e gjenerimit të mbeturinave për disa kategori

Gjatë kohës së pandemisë ka pasur rritje të gjenerimit të mbeturinave për disa kategori. Me theks të veçantë është rritur gjenerimi i mbeturinave medicinale që ka ardhur si rezultat i shtimit të përdorimit të maskave, dorëzave apo edhe pajisjeve dhe medikamenteve tjera medicinale që janë përdorur për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Po ashtu ka pasur një rritje edhe të sasisë së mbeturinave nga plastika dhe ambalazhet meqenëse, për të parandaluar përhapjen e COVID 19, janë favorizuar më shumë paketimet një përdorimëshe dhe ato të tipit “merre dhe ik” (to-go) që kryesisht janë nga plastika apo edhe fakti që dorëzat apo edhe disa maska kanë përmbajtje të plastikës, dhe po ashtu dezinfektuesit janë kryesisht në paketime plastike. Për shkak të qëndrimit të gjatë në shtëpi, është raportuar po ashtu edhe për një rritje të sasisë së mbeturinave organike, që ka ardhur si rezultat i të ushqyerit në kushte shtëpie, ku njerëzit kishin kohë më shumë për të gatuar ushqim.

Rënia e potencialit të riciklimit të mbeturinave

Një tjetër ndikim negativ mjedisor gjatë kohës së pandemisë ka qenë edhe rënia e potencialit të riciklimit të mbeturinave, për faktin se shumë vende të botës në përpjekje për tu adaptuar në kushtet e pandemisë kanë ndaluar implementimin e programeve të riciklimit të mbeturinave, apo edhe kanë marrë masa në reduktimin e stafit të angazhuar në këtë sektor.

Rritja e shkarkimeve në ujë

Qëndrimi i gjatë në shtëpi dhe kushtet e mbajtjes së higjienës të diktuara nga situata pandemike kanë ndikuar në rritjen e shpenzimit të ujit, por edhe për rritjen e shkarkimeve të kimikateve në ujëra. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së përdorimit të sapunëve dhe kimikateve tjera për larjen e duarve dhe mbajtjen e higjienës apo edhe për shkak të rritjes së përdorimit të dezinfektuesve.  Madje në disa vende ka pasur raste kur gjatë trajtimit të ujërave janë përdorur kimikate shtesë në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19 nëpërmjet ujërave të shkarkuara.

Reduktimi i buxhetit dhe e projekteve në sektorin e mjedisit

Për shkak se qeveritë e vendeve të ndryshme është dashur të ridestinojnë buxhetin për të luftuar përhapjen e COVID-19, ka pasur reduktim të buxhetit për sektorët tjerë përfshirë edhe buxhetin e dedikuar për mjedisin. Në rastin e Kosovës, buxheti për projektet kapitale mjedisore është reduktuar deri në 50 %, ndërsa në nivelin global ka pasur rënie të investimeve në sektorin e energjisë së ripërtrishtme e sidomos në energjinë e erës dhe atë solare. Indikacione tjera që flasin për reduktimin e investimeve në sektorin e mjedisit ishin edhe fondet e donatorëve që gjatë kësaj periudhe kishin një tendencë të orientimit drejt masave parandaluese për luftimin e pandemisë. Po ashtu janë raportuar edhe probleme për përfundimin e projekteve që ishin në proces të implementimit për shkak të pamundësisë së udhëtimeve të stafit implementues të projektit.

 

Përvojat e fituara nga pandemia

Duke marrë për bazë ndikimet pozitive po edhe ato negative me të cilat është përballur mjedisi gjatë fazë së pandemisë, mundë të nxjerrim disa mësime shumë të rëndësishme për të ardhmen.

Humbja e jetëve të njerëzve dhe problemet shëndetësore që janë paraqitur gjatë pandemisë, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijësimit të njerëzve për rëndësinë që ka mjedisi i pastër për shëndetin. Njerëzit e kanë kuptuar se reduktimi i ndotjes dhe mbrojtja e burimeve natyrore është e ndërlidhur ngushtë me ruajtjen e shëndetit.

Është vërejtur qartë se reduktimi i aktiviteteve të njeriut që janë të orientuara në shfrytëzimin e burimeve të energjisë me bazë fosile është esenciale për të parandaluar ndryshimin e klimës dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Pas një kohe të gjatë, për herë të parë në dekadën e fundit e kemi parë mjedisit duke “i shëruar” pasojat e ndikimit njerëzor.

Nga shumë ekspertë është vlerësuar se përmes kësaj pandemie natyra është duke i dërguar sinjale të qarta njerëzimit se shkatërrimi i mjedisit ka arritur kulminacionin dhe se është koha e fundit që të veprohet për të ndaluar shkatërrimin e jetës në tokë.

( Afrim Berisha, është PhD i Shkencave të Mjedisit)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …