Agim Vuniqi: 40-vjetori i të diplomuarve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi-Përteshoni e Hajdar Përteshoni

Agim Vuniqi: 40-vjetori i të diplomuarve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi-Përteshoni e Hajdar Përteshoni

Dr. Hajdari, Dr Drita, Dr. Lorik, Dr. Laurat dhe Dr. Labinot Përteshoni na bëjnë të krenohemi me arritjet e ndërmarrësisë kosovare në fushën e stomatologjisë

Universiteti i Prishtinës, i themeluar më 1970, është institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor dhe kulturor në Kosovë.  Më shumë se pesëdhjetë vjet ishte bartësi i vetëm i arsimit të lartë. Universiteti i Prishtinës është relativisht i ri, por rruga e zhvillimit të tij ishte dinamike, ndërsa veprimtaria arsimore, shkencore dhe artistike e tij ishte e pasur me rezultate të mëdha, të pamohueshme dhe me peshë historike. Fillimisht Universiteti kishte katër fakultete, ndërsa më vonë ngërtheu 14 fakultete dhe tri shkolla të larta, ndër to edhe Fakultetin e Mjekësisë, në kuadër të të cillit u themelua Fakulteti i Stomatologjisë, i cili u mirëprit nga një valë e të rinjve nga të gjitha territoriet shqiptare në ish Jugosllavi.

Drita Mulliqi dhe Hajdar Përteshoni, studentët e parë shqiptarë të diplomuar në Fakultetin e Stomatologjisë

Profesioni i Doktorit të Stomatologjisë u bë profesion i preferuar nga shumë të rinj, te cilët e kishin të limituar ëndrrën studimore dhe profesionale. Ndër studentët e parë që iu gëzuan pranimit ishin edhe studentët nga Gjakova Drita Mulliqi dhe Hajdar Përteshani, të cilët ëndrrën profesionale e shndërruan në histori suksesi, por edhe si kurorëzim të dashurisë së tyre martesore. Ata të dy, të parët iu gëzuan bashkarisht diplomimit, si studentët e parë të diplomuar të Stomatologjisë, në Universitetin e ri të Prishtinës, të cilët veçse kishin prekur majet akademike.

Të diplomuarit e parë të fakultetit stomatologjik, të muajit mars, të vitit 1981, Drita Mulliqi dhe Hajdar Përteshoni, njihen edhe si “pionerët”-mjekët e parë të stomatologjisë dhe studentët e parë shqiptarë të diplomuar në Kosovë. Me kaq nuk përfundoi odisejada profesionale dhe shkencore e këtij çifti të profesionistëve të dalluar. Pas shumë peripecive të shumëta të rrugëtimit për specializim, ata u punësuan si Doktor të Stomatologjisë. Në atë kohë shpallja konkurseve bëhej për specializime të kufizuara. Në vitin 1989 u shpallë konkursi për specializim, në të cilin aplikuan dhe u pranuan: Dr. Drita Mulliqi Përteshoni, e cila u përcaktua për “Ortopedinë e Nofullave”, dhe Dr. Hajdar Përteshoni, i cili u orientua për specializim në “Protetikën stomatologjike”.

Ata fillimisht startuan në  Gjakovë, pastaj në Prishtinë, ndërsa një pjesë të specializimit u obliguan që ta kryenin në Beograd, ose në Shkup. Po flitet për kohën kur rexhimi serb kishte aplikuar masat e dhunshme në Kosovë. Ata “pa një-pa dy” zgjodhën të shkojnë në Shkup, sepse zgjidhje tjetër nuk kishin, edhe për shkak të distancës më të shkurtër, por edhe të mundësisë që të udhëtojnë në mëngjes për në Shkup dhe në mbrëmje të ktheheshin te femijët në shtëpi.

Komisioni Specialistik organizohej në Prishtinë në përbërje prej 4 anëtarësh: dy (2) Doktor nga Beogradi , një (1) Doktor nga Nishi dhe nji (1) Doktor nga Kosova (që ishte vetëm formalisht), dhe ata me sukses të shkëlqyeshëm perfunduan provimin e Specializimit.

Hapja e Poliklinikës 3L

Viti 1990 i detyroi të orientohen në privatizëm, sikurse shumica e profesionistëve të lëmive të ndryshme, ngase pushteti serbë kishte filluar të largojë nga puna, pothuajse të gjitha kuadrot e afta shqiptare në ndërmarrjet publike. Orientimi i tyre ishte jo tregëtia, por hapja e Ordinancës private, e cila si ëndërr u sendërtua me sakrifica shumë të mëdha, sepse aso kohe çdo gjë ishte nën kontrollin e Beogradit.

Starti për hapjen e Ordinancës së pavarur ishte shumë i vështirë, ngase ata ishin të detyruar të punonin deri në orët e vona të mbrëmjes, për të pasur rezultate të pritshme nga angazhimi i përditshëm, e që u dëshmua se rezultatet nuk mungonin.

Me shtimin e punës vit pas viti filloi faza e zgjërimit të investimeve kapitale, nga një ordinancë u zgjëruan në dy duke rritur kapacitetin e shërbimeve. Më vonë krijuan parakushtet për themelimin e Poliklinikës private 3L, në të cilën u angazhua mbarë familja: dy bashkeshortët Përteshani, Dr. Drita dhe Dr. Hajdari dhe tre(3) djemtë: Dr. Lorik Përteshani, Dr. Laurat Përteshani dhe Dr. Labinot Përteshani. Ata kryejnë të gjitha shërbimet stematologjike, me mjetet, metodat dhe me aparaturën më të përsosur të teknologjisë më të re dhe me materiale të cilësisë së lartë dhe me qëndrueshmeri të lartë, duke përcjellur krahas punës, seminaret, kurset, trajnimet dhe konferencat vendore dhe ndërkombëtare në lidhje me risitë dhe të arriturat e teknologjisë më të re në industrinë stomatologjike që organizohen në Europe: në Shqipëri, Itali , Zvicer, Gjermani poashtu edhe në Amerikë dhe Kanada. Andaj përkushtimi  i tyre dhe puna e palodhshme rezultojnë me arritjen e suksesit të vazhdueshëm të tyre, e sidomos të fëmijëve të tyre: Dr Lorikut, Dr Lauratit dhe Dr Labinotit te cilët dallohen edhe me përkushtimin e madhë të tyre, duke mos ngurruar të pajisin dy ordinancat me aparaturat më të reja, duke aplikuar metodat më bashkohore të punës. Andaj përkushtimi, profesionalizmi dhe modestia e tyre bëri që pacientët të udhëtojnë nga anë të ndryshme të Kosovës, të Shqipërisë nga krahina e Lumës, Hasit e Tropojës si dhe nga nga mërgata shqiptare. Eshte krijuar tradite qe Gjenerate pas gjenerate te vizitojne Ordinancen Stematologjike 3L në Gjakove. Kur shofim kënaqësin në sytë dhe fytyrat e buzëqeshura të pacienteve tanë, na bën të ndihemi krenarë, deklarojnë njëzëri të pesë doktorët e një familje stomatologësh me emrin e nderuar Përteshoni.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …