Adem Demaci

Ahmet Qeriqi: Cilët ishin dëshmitarët mbi të dhënat e të cilëve u formulua dhe u zyrtarizua aktakuza kundër Adem Demaçit, në vitet 1958-1959 V

Ende nuk është e prezantuar  sa duhet aq më pak e analizuar si duhet veprimtaria e Adem Demaçit deri në arrestimin e parë, më 19 nëntor të vitit 1958, në kohën kur ai ishte formësuar si intelektual revolucionar dhe kishte plasuar bindjet e tij politike e kombëtare, krejt hapur në rolin e një opozitari korrekt e konkret. Kjo ishte periudha kur në mendjen e tij po e projektonte rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, që ishte preokupimi primar i tërë aktivitetit, i të gjitha bisedave, komentimeve e komunikimeve me bashkëkohësit e tij, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtat kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur bashkëveprimtarë idealistë dhe të përkushtuar sikur ishte vetë. Periudha e jetës së tij prej kohës kur ishte nxënës e deri në vitin 1958, kur ai paraqiti  platformën e tij programore kombëtare në sallën e gjykimit, në Prishtinë, tregonte më së  miri se Kosova dhe viset nën robëri kishin tashmë një emër identifikimi, një emër me një vizion, një emër qëndrese që nuk i bënte syri vërr, një emër që po futej krejt  lirshëm dhe i vetëdijshëm, për  të gjitha rravgimet e vuajtjet  jetësore, jo vetëm në Panteonin e historisë e Kosovës, por në historinë e kombit shqiptar përgjithësisht. Publikimi, kohë pas kohe nëpër medie i të dhënave të 14 dëshmitarëve shqiptarë në gjykimin e tij, në nëntor-dhjetor të vitit 1958 deri tani ka kaluar dhe është lexuar  si lëndë bruto, por pa analiza e sheshim faktesh, në radhë të parë sepse shumica dërrmuese e atyre emrave janë trajtuar si intelektualë, si politikanë, njerëz të kombit, njerëz me reputacion e të tjera e të tjera. Është irritues fakti se pothuajse asnjëri nga ata dëshmitarë nuk i kishte kërkuar falje Adem Demaçit,  pas daljes nga burgu, madje as pas luftës sonë fitimtare e çlirimtare ku ai ishte protagonist ndër kryesorët në vitin 1999 dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

 Lehtësia e deklarimit të dëshmitarëve, tregon më së miri përcaktimin e tyre konsekuent në mbrojtje të bashkim vëllazërimit dhe të ish-RSFJ-së. Shumica dërmuese e tyre nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të minimizuar bisedat me të, për t’ i mohuar po për t’ i paraqitur si biseda  rasti, të cilat nuk mbahen mend gjatë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se kundër kujt po dëshmonin dhe e dinin po ashtu se ai do të dënohej me burg, vetëm për bindjet e tij politike e kombëtare. Asnjëri nga këta dëshmitarë nuk ka folur as ka shkruar ndonjëherë se ka dhënë deklarata nën presion. Asnjëri prej këtyre dëshmitarëve  asokohe nuk ka qenë nën hetime, as është hapur ndonjë procedurë gjyqësore, as i ka pyetur ndonjë inspektor  përse nuk e kishin denoncuar më herët shokun e tyre të studimeve, duke qenë se ishte shprehur hapur kundër Jugosllavisë, për të cilën ata kishin konsideratë të veçantë dhe e pranonin si shtetin e tyre.

Njëri prej dëshmitarëve më të zellshëm dhe pa dyshim më i zellshmi prej dëshmitarëve që ka paraqitur “fakte e të dhëna” kundër Adem Demaçit ka qenë Adem Abdurrahman Gajtani (u lind në Kosovë  më 21 gusht 1935 – vdiq Shkup, 19 mars 1982). Ishte poet dhe përkthyes shqiptar. Në vitet 60-të dhe 70-të të shekullit të kaluar ka qenë njëri prej shkruesve që ka botuar shumë libra me poezi në Prishtinë,  në Shkup e gjetkë. Ka qenë i pranishëm në të gjitha revistat letrare dhe në kohën e tij është njohur si shkrimtar dhe poet i periudhës së bashkim vëllazërimit, meqë ka përkthyer edhe shumë vepra të autorëve jugosllavë në gjuhën shqipe. Gjithçka ka shkruar edhe ka botuar pa asnjë pengesë, sepse ishte poet e publicist  tejet besnik dhe tejet i dëshmuar i regjimit.

Adem Gajtani në dëshminë e tij të paraqitur para inspektorit të UDB-së ka folur me zell, ka evidentuar çdo gjë që iu ka kujtuar për Adem Demaçin të cilin madje e ka konsideruar edhe shok të ngushtë. Për dallim nga të tjerët, gjatë leximit të dëshmisë së tij hetojnë se ai është përgatitur  mirë për të dhënë sa më shumë fakte dhe për ta pasqyruar veprimtarinë e tij nga të gjitha segmentet  si armik i Jugosllavisë, përkrahës  pa rezervë i Enver Hoxhës e Shqipërisë, urrejtës i Fadil Hoxhës, Dushan Mugoshës e partiakëve të tjerë ë të regjimit. Edhe po t i bëjmë bashkë të gjitha deponimet e 13 dëshmitarëve të tjerë, nuk kanë më shumë lëndë akuzuese sesa dëshmia e gjatë e tij. Interesimi i tij aq i thellë për të dhënë sa më shumë informata, në radhë të parë ka të bëjë me faktin se ai kishte lidhje të ngushta me inspektorët e UDB-së dhe për disa vite duhet të ketë qenë në vëzhgim dhe hulumtim të bisedave të Adem Demaçit, Dëshmia e këtij spiuni besnik  të UDB-së, do të kishte mjaftuar për ta dënuar Demaçin po aq sa dëshmitë e 13 të tjerëve.

Dëshmitë e Adem Gajtanit, veç tjerash sjellin edhe mjaft material për të ndriçuar veprimtarinë e gjithanshme të Adem Demaçit, angazhimin e tij revolucionar,  përpjekjet e tij për të hulumtuar e gjurmuar bashkëmendimtarët dhe idenë e tij për formimin e një organizate gjithëpërfshirëse me qëllim të mobilizimit popullor për njëlloj plebishiti, të cilin Demaçi e ka përmendur si metodë demokratike për vetëpërcaktim për vetëvendosje mbi parime të deklarimit të shumicës, e cila do ta përcaktonte fatin e vet, sepse në Konferencën e Prizrenit të gushtit të vitit 1945, nuk kishte pasur plebishit as Referendum, por për mbetjen e Kosovës nën Serbi kishte marrë vendim kreu i Jugosllavisë dhe vendimin e kishin pranuar shumica e komunistëve të Kosovës, me Fadil Hoxhën në krye, kur ishte shfuqizuar Rezoluta  e Konferencës së Bujanit e vitit 1944. Pavarësisht se lënda e dëshmisë ishte akuzuese dhe ishte dhënë me qëllim për  rënduar veprën penale  kundër Adem Demaçit si veprimtari  armiqësore kundër Jugosllavisë, dëshmitë e Adem Gajtanit, Shemsi Popovës e Rafael Sopit janë  dëshmitë më “reprezentative” më të vullnetshmet, më të thellat dhe më  hulumtueset.

Fakti se Demaçi gjatë gjykimit dhe paraprakisht leximit në hetuesi i ka pranura shumicën e të dhënave flet për përcaktimin e të revolucionar, për rrugën e tij, në të cilën kishte ecur gjatë tërë jetës, edhe pas daljes nga burgjet dhe deri në fund.

  1. ADEM GAJTANI

Dëshmitari i nëntë, Adem Gajtani, para organit hetues të autorizuar, më 16.1.1959, deklaron:

Të pandehurin Adem Demaçi, shkrimtar nga Prishtina, e njoh prej fémijerisé, sepse jemi nga i njëjti vend dhe kemi shkuar bashkë në shkollé, në të vërtetë, ai ka diplomuar një vit para meje, do të thotë në vitin 1954,

Intensivisht para meje ka filluar të shprehet armiqësisht pas burgimit të grupit të intelektualéve shqiptare në Prishtinë. Atëherë ka pasë filluar të mbajë edhe ditarin personal “Ditari i shpirtit”. Në atë ditar i ka shënuar mendimet e veta intime politike. Mé ka thënë se është ftuar nga UBD-ja né Beograd dhe se i është tërhequr vërejtja për grupin që është dënuar në Prishtinë, për çka ka qenë i frikësuar dhe e ka kallur ditarin, që të mos u bjerë në duart organeve të pushtetit. Në vitin 1956 Demaçi i ndërpret studimet në Beograd dhe inkuadrohet si gazetar në gazetën “Rilindja”, mandej kalon si redaktor në Sipërmarrjen Botuese “Milladin Popoviq”. Eshtë interesuar që të regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup – në Degën e Gjuhës Shqipe. Në periudhën 1957 – 1958 Demaçi u afirmua si shkrimtar i ri shqiptar në Kosmet, duke botuar romanin “Gjarpijt e gjakut”. Edhe unë merrem me shkrime dhe mund të them se në mesin e shkrimtarëve shqiptarë të Kosmetit konsiderohet si shkrimtari

më i talentuar. Ndërkaq, në këtë kohë, prej vitit 1957, veprimtaria e tij armiqësore fillon të marrë gjithnjë e më shumë formë të organizuar. Diku në fillim të vjeshtës së vitit 1957 Adem Demaçi më ka folur se si në shtëpinë e tij në Prishtinë ka biseduar me Avdi Sinanin, student i mjekësisë në Shkup, i lindur në një fshat të Lipjanit, rrethi i Prishtinës, për formimin e një organizate me parime të reja, krejtësisht e ndryshme nga organizatat klasike, se e kanë hartuar planin dhe e kanë studiuar mirë atë, se i kanë përcaktuar njerëzit që do të mund të përfshiheshin në këtë organizatë, se si do t’i provonin ata, se ata me çdo kusht duhet të ishin njerëz të besueshëm, të cilët, gjithsesi, duhet të betoheshin që interesat individuale do t’ua nënshtronin atyre të organizatës dhe se jetën e vet do t’ia falnin asaj.

Edhe në pranverë të vitit 1958, në korzo në Prishtinë, më është afruar Adem Demaçi, i cili ishte në shoqëri me Rafael Sopin, gazetar në “Rilindje”, dhe me dy të tjerë, identiteti i të cilëve nuk më kujtohet. Me këte rast në praninë tyre Demaçi më ka thënë se kanë biseduar për idenë e tij, se ka gjetur një formulë të re për veprimtarinë e organizatës, në mënyrë që puna e saj të mos u binte në sy organeve të pushtetit. Më ka shpjeguar se ai e mendon organizimin përmes shkrimtarëve, kryesisht përmes shkrimtarëve, në të vërtetë, ata shkrimtarë që do të hynin në organizatë pas mbajtjes së orëve letrare, do të ndaheshin diku dhe do të vazhdonin mbledhjen në lidhjen me çështjet që i përkisnin organizatës. Më ka thënë se ai mendon që trupi udhëheqës i organizatës duhet të jetë nga shkrimtarët. Këta shkrimtarë të përfshirë në udhëheqësinë e organizatës, secili veç e veç, do të formonin grupin me të cilin do të punonin. Sipas tij, asnjëri grup për tjetrin nuk guxon të dijë, ndërsa vetë grupi do të ketë tre veta, të cilët nuk guxojnë të dinë për të tjerët me qëllim të ruajtjes se fshehtësisë dhe në rast të burgosjes nuk do të zbulohej i gjithë grupi, por vetëm ai që cili është zbuluar. Kur më ka folur për këtë Demaçi në shoqëri me ne kanë qenë edhe Anton Pashku e Mehmet Ahmeti. Të njëjtën mbrëmje Demaçi ka treguar se ai dhe Avdi Sinani kanë vendosur që në udhëheqësinë e grupit të jenë këta persona: ai (Adem Demaçi), Unë (Adem Gajtani), Rafael Sopi, gazetar nga Prishtina dhe Mehmet Ahmeti, mësues nga rrethina e Ferizajt. U bisedua që në grup të inkuadrohej edhe Shemsi Osmani, gazetar i “Rilindjes”, por, për shkak se po shpërngulet për në Turqi u hoq nga propozimi. Për propozimin të tij për formimin e organizatës, si dhe për veprimtarinë e saj, nuk e kemi kundërshtuar Adem Demaçin, por heshtazi jemi pajtuar. Më tutje, Demaçi të njëjtën mbrëmje, na ka folur se si detyra jonë si udhëheqës të organizatës është që të punojmë aktivisht në përhapjen e organizatës. Mua më ka thënë se në mesin e studentëve në Shkup do të mund të formoja një grup. Pastaj Rafael Sopi dhe Anton Pashku do të mund të formonin organizatë në Prizren, për arsye se janë nga atje dhe se atje më se miri mund të punojnë. Demaçi për vete e ka marrë përsipër organizimin në Prishtinë dhe në ish rrethin e Llapit – Podujevën, sepse siç thoshte atje ka kushte për punë, ndërsa Avdi Sinanin, sipas tij, kishte marrë mbi vete formimin e organizatës në rrethin e Lipjanit, sepse është i lindur në Gadime. Nuk më kujtohet se a i ka dhënë detyrë Ahmet Mehmetit që të punojë në formimin e organizatës në terrenin e Ferizajt. Po theksoj se Demaçi ka thënë se do t’i përdorë të gjitha mundësitë e veta për organizimin e njerëzve në mbarë Kosmetin, me ç’rast do të shfrytëzojë edhe autoritetin e vet si shkrimtar.

Pas kësaj bisedë me Demaçin dhe me personat e tjerë jemi takuar shumë herë në vitet 1957 – 1958, herë në hotel, herë në shtëpinë e tij dhe në korzo. Demaçi na fliste për qëllimet e organizatës. Thoshte se detyra e jonë është zgjerimi i organizatës, kjo do të thoshte në mbarë Kosmetin nga një çerdhe e organizatës. Në krye të këtyre celulave do të qëndronin njerëz të besueshëm dhe të aftë politikisht, e sipas mundësive do të duhej të ishin shkrimtarë. Organizata do të kishte për detyrë luftën për bashkimin e Kosmetit me Shqipërinë dhe luftën kundër pushtetit të Jugosllavisë. Për fillim kjo luftë do të zhvillohej përmes organizimit të propagandës në mesin e popullatës shqiptare për bashkimin e Kosmetit me Shqipërinë. Ai ka qenë i bindur se udhëheqësia shqiptare çështjen e Kosmetit do ta shtrojë para Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila, pastaj, këtë çështje do ta shtrojë para shqiptarëve që të përcaktohen se a janë për Shqipërinë apo për Jugosllavinë. Për përgatitjen e popullatës shqiptare për bashkimin e Kosmetit me Shqipërinë, organizata do të kishte për detyrë të bënte propagandë në këtë drejtim para se çështja të shtrohej para shqiptarëve. Organizata do të duhej të ishte më aktivja për këtë çështje, sidomos, në kohën kur OKB-ja do të organizonte plebishit, në të cilin do të përcaktoheshin shqiptarët. Atëherë ajo do të vihej në krye të popullit shqiptar dhe do ta udhëhiqte atë në përcaktimin që Kosmeti t’i bashkohej Shqipërisë.

Demaçi shprehte frikë para meje dhe të tjerëve se në gjithë këtë punë propaganda jugosllave do të ishte shumë më e fortë për ta mbajtur Kosmetin edhe më tutje dhe se propaganda shqiptare do të mund të përjetonte fiasko dhe mosukses, për çka do të pengohej ndarja, edhe pse Kombet e Bashkuara do të lejonin propagandën e të dy palëve. Këtë e shpjegonte me faktin se shërbimi dhjetëvjeçar jugosllav i propagandës ka bërë mjaft ndikim në popullin shqiptar. Demaçi na thoshte se çështje e Kosmetit do të zgjidhej në të mirë të Shqipërisë, nëse jo me plebishit, atëherë përmes luftës së tretë botërore, në të cilën luftë do të fitonin rusët dhe Kosmetin do t’ia jepnin Shqipërisë.

Po theksoj se Demaçi para meje dhe të tjerëve, shpesh, ka folur edhe në Beograd, derisa ishim në studime gjatë viteve 1955 dhe 1956. Qysh atëherë, në Beograd, ai bënte presion në mua dhe në të tjerët, me veprimet e tij armiqësore kundër pushtetit jugosllav. Kur u bind se ishim të një mendimi për çështjet për të cilat fliste, atëherë e ka shtruar çështjen e formimit të organizatës. Para meje, qysh atëherë, është deklaruar armiqësisht dhe ka folur se si pushteti i Jugosllavisë po bën padrejtësi të shumta ndaj shqiptarëve. Pushteti i Jugosllavisë miraton ligje pozitive, me të cilat, para popujve të tjerë, kinse u garantohen të drejtat pakicave. Këto ligje ekzistojnë vetëm në letër, kurse në praktikë po ndodh e kundërta. Për këto ligje ai kishte mendim negativ, sepse ndaj shqiptarëve po veprohej në mënyrë diskriminuese: po pengohet kultura nacionale dhe po shkilen të drejtat e shkollimit me heqjen e gjuhë amtare nga shkollat.

Më tutje ka folur për mosangazhimin e shqiptarëve me punë në organet e pushtetit dhe në përgjithësi, se serbët janë në pushtet, kurse shqiptarët kryejnë punë fizike. Në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, ai thoshte se pushteti këtë po e bënte me qëllime tendencioze, në mënyrë që me shpërnguljen e shqiptarëve, Kosmeti t’i mbetej atij. Dhe këtë po e bën nën firmën e demokracisë. Nga ana tjetër, shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi lidhej me pakënaqësinë e tyre ndaj rregullimit të Jugosllavisë. Ka folur edhe për aksionin e armëve, i cili, sipas tij, po bëhj për të nxitur shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Diku kah

fundi i vitit 1956 apo në fillim të vitit 1957, do të thotë pas fjalimit të Enver Hoxhës në Plenumin e PPSH -së dhe përgjigjes së shokut Fadil Hoxha kundër Shqipërisë në Beograd, i cili, sipas Demaçit, nuk ka vepruar sipas ndërgjegjes se vet, por i ka mbyllur sytë para realitetit në Kosmet duke përdorur fakte të rrejshme, Demaçi na ka thënë se ka njohuri se një udhëheqës krahinor ka marrë letra kërcënuese, për shkak të rastit të përmendur më lart. Kjo është pozitive, thoshte ai, sepse dëshmon për një lëvizje në Kosmet.

Udhëheqësit shqiptarë nuk kanë menduar kështu gjatë luftës, thoshte Demaçi, por sot kanë rënë në këtë situatë dhe nuk mund të tërhiqen nga ajo, ose nuk duan t’i lënë as pozitat dhe as limuzinat e tyre. Do të bënin vepër të madhe patriotike, sikur të solidarizoheshin dhe të deklaroheshin kundër kësaj rezolutë kundërshqiptare. Më ka thënë se do të ishte shumë e dobishme të kryhej atentat sidomos ndaj Dushan Mogushës, sekretar i KK të LKJ-së për Kosmet. Nuk më kujtohet saktësisht se për çka Demaçi e konsideronte të dobishme kryerjen e atentatit në këta udhëheqës, por e di se ka thënë se do të ishte e dobishme të hiqet një personalitet i tillë nga Kosmeti.

Është biseduar edhe për serbët që do të mbeteshin këtu, kur Kosmeti t’i bashkangjitej Shqipërisë. Rafael Sopi ka thënë se, në atë rast, serbët do të ishin pakicë kombëtare në Shqipëri dhe se ai do t’u jepte të gjitha të drejtat në shkollim dhe të ngjashme, kurse Adem Demaçi ka thënë se ai është për shpërnguljen e të gjithë serbët nga Kosmeti.

Demaçi na ka thënë se do të ishte mirë të shkruheshinh letra kur të shtrohej çështja e përcaktimit të shqiptarëve me plebishit nga ana OKBsë dhe se kjo do të ishte një formë e propagandës në dobi të Shqipërisë.

Biseda të këtilla janë bërë shpesh në mes Demaçit e neve gjatë vitit 1958. Nuk më kujtohen saktësisht datat kur kemi bërë këso diskutimesh, në të cilat fjalën kryesore e kishte Demaçi.

Mund të them se unë personalisht nga gjithë kjo nuk kam ndërmarrë asgjë, as që kam punuar për formimin e organizatës në Shkup, siç e kisha marë për detyrë nga Demaçi. Nuk kam njohuri as çka kanë bërë të tjerët në këtë drejtim. Tjetër nuk kam çka të them.

Procesverbalin e lexova dhe në të janë përfshirë fjalët e mia, prandaj e vërtetoj me nënshkrimin tim.

U kryer në orën 13. Procesmbajtës: Ollga E. Lazig. Organi hetues i autorizuar: Momir Çanoviq, Dëshmitari: Adem Gajtani

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …