Ahmet Qeriqi: Dëbora dhe acari e kanë kapluar tërë Kosovën, 31 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Dëbora dhe acari e kanë kapluar tërë Kosovën, 31 janar 1999

Në Rrafshnaltë po bën një acar që nuk mbahet mend. Përveç dëborës të dendur këtu ka filluar  edhe një frymë e acartë e veriut që të ngrin. Temperatura është lëshuar minus 20 gradë. Ky është një dimër që do të mbahet mend.

Fërfëlliza që fryn në Rrafshnaltë gjatë dy tri orëve e ndërron konfiguracionin meqë dëborën e hedhë nga një anë në tjetrën.

Gjatë tërë ditës Milaimi dhe Riza nuk e shuajnë zjarrin, në odën ku  punojmë. Gjeneratorin e aktivizojmë me shumë vështirësi, edhe pse Riza e ka rregulluar një shtëpizë të vogël.

Meqë nuk kemi energji elektrike, deri në 1o orë në ditë punojmë me gjenerator. Deri tani nuk kemi pasur asnjë defekt. Naftë kemi. Edhe ushqimin e kemi të mjaftueshëm dhe cilësor. Riza ka marrë përsipër që tani e tutje ushqimin ta përgatisë në shtëpinë e tij, ku jeton me prindër dhe disa nga vëllezërit. Disa të tjerë jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

Lajmet nga Zona e Llapit bëjnë të ditur se edhe në këtë acar dimri ka shumë familje të zhvendosura në male. Druhet me të drejtë se ata mund të mërdhijnë.

Serbët na i kanë zënë shtigjet. Dëbora dhe acari po ashtu.

Armiku po përgatitet për të na sulmuar, mirëpo edhe ata kanë pengesa sidomos me aktivizimin e tankeve. Temperaturat e ulëta e ngrijnë naftën. Megjithatë ata kanë teknikë tejet të sofistikuar, meqë luftën po e zhvillojnë nga distanca.

Sot kemi përgatitur 50 minuta program ditor.

Përveç informatave të shumta nga terreni, kemi transmetuar edhe intervistën e plotë të Adem Demaçit me rastin e takimit të djeshëm me  zyrtarin e lartë anglez Kuk, kemi emetuar një program tematik për Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe Hakif Zjenullahun, po ashtu edhe një komunikatë të Shtabit në përvjetorin e rënies së Komandant Zahir Pajazitit me bashkëluftëtarët e tij dhe disa pika muzikore.

Në mbrëmje së bashku me Martinin jemi nisur në orbitën tonë të zakonshme. Sapo jemi nisur përballohemi me një acar që nuk  mbahet mend. Edhe në kushte të tilla ne po mbijetojmë. Nuk ka kthim prapa. Nëse ia arrijmë të përballojmë këtë dimër ky do të jetë edhe një sukses tjetër. Në kohën kur iu kishin afruar Grykës takojmë Qemal Aliun i cili po kthehej nga vizita që ka bërë në shtëpi. Qemajli duket tejet i lodhur nga rruga dhe nga acari. Ai na bën me dije se në Grykë po na pret si gjithnjë, Ali Mullini.

Në mbrëmje kanë ardhur për t’ u takuar  Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, vëllai im Hasani, luftëtar në pikën e Carralevës e të tjerë. Ai qysh në fillim të luftës me krejt familjen ka ardhur në Krojmir edhe pse i pata preferuar që  bashkëshortja dhe 7 fëmijët të shkojnë te miku i tij në Prishtinë.

Elezi  tani është komandant i Batalionit Ruzhdi Salihu. Ai është në shoqërim të përhershëm me Komandantin e Njësive Speciale, Tahir Sinani dhe me zëvendësin, Ajvaz Berisha.

Komandant i Batalionit të Dytë, Imer Alushani është caktuar po ashtu një ushtarak i njohur dhe epror i dalluar, të cilin e quajnë Fadil Gashi. Ai është nga Arllati.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kosova digjet në flakë e barot. Ibrahim Rugova me familjen e tij në përcjellje të regjimit të Milosheviqit vendoset në Itali (E enjte 6 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Kosova digjet në flakë e barot. Ibrahim Rugova me familjen e tij në përcjellje të regjimit të Milosheviqit vendoset në Itali (E enjte 6 maj, 1999)

Sërish ka ndërruar moti. Në orët e para ditës ka rënë shi, ndërsa më vonë …