Ahmet Qeriqi: Gryka e Krojmirit sërish ringjallet. Ajo po rilindet nga hiri i vet (E martë 1 shtator, 1999)

Ahmet Qeriqi: Gryka e Krojmirit sërish ringjallet. Ajo po rilindet nga hiri i vet (E martë 1 shtator, 1999)

Edhe një ditë tjetër me shqetësime të vjetra dhe me të papritura, si gjithnjë. Nga granatimet e vona gjatë natës kanë pësuar katër anëtarë të një familjeje në fshatin Risinovc. Të plagosurit janë dërguar në ambulancën ushtarake të Shalës dhe iu është dhënë ndihma adekuate mjekësore.

Sot të gjithë të banorët e Risinovcit kanë hyrë në Grykën tonë. Ata kanë depërtuar gjatë natës sapo ka filluar granatimi i forcave serbe në drejtim të fshatit. Nga Shala sot kanë ardhur edhe Arbana, Zymryti, Epiri dhe mixha Mehë.

Vendqëndrimi në Grykë po zgjerohet.

Kanë filluar të kthehen edhe banorët që një javë më parë kanë shkuar në Ngucat. Kanë ardhur edhe të tjerë nga fshati Shalë dhe disa familje nga Pjetërshtica.

Është e natyrshme ndjenja njerëzore, për t`u bashkuar me shumicën. Gryka e Shpëtimit në Krojmir, tani për tani po e ruan emrin e ri.

Ikja nga Gryka për një kohë të caktuar u bë për shkaqe taktike dhe nga frika e arsyeshme, mirëpo sërish u kthyen të gjithë dhe shumë të tjerë. Por tani jemi të rrezikuar meqë po na mbarojnë rezervat e ushqimeve.

Në mbrëmje kam vërejtur një gjallëri të jashtëzakonshme. Këtu vijnë për të ngrënë bukë ushtarët e Zborcit dhe të Carralevës, të cilëve iu prinë luftëtari emblematik, Milaim Beha. Pastaj zbresin edhe ushtarët e Dukës e të Karaçicës. Të tjerë vijnë nga Shala. Krojmiri është epiqendra e rigjallërimit dhe e ripërtëritjes. Këtu nuk ka pasur asnjë të demobilizuar. Këtu janë ruajtur të paprekura uniformat edhe pse ka pasur propagandë, se gjoja serbët na vërejnë nga aeroplanët dhe mund të na godasin. Këtu, propaganda ndëshkohet dhe këtë e kanë mësuar disa që ose kanë dilema ose e bëjnë punën e djallit, apo argatin e ndokujt…

Ushtarët tanë sërish janë kthyer në Shtab, te Shtëpia e Heset Hamdiut. Ata gjatë natës  pushojnë edhe në fshat. Atje, e kalojnë natën edhe shumica prej ushtarëve duke ushtruar roje dhe vëzhgim.

Mjafton një ditë të mos ketë granatime, ditën tjetër njerëzia shkojnë atje ku kanë punë. Për çdo ditë shkon në kullë edhe Mixha Mehë me tezen time, Ajshen. Atje i kanë lopët dhe në mbrëmje na e sjellin qumështin. Gratë gatuajnë flija thuajse për çdo ditë, meqë ka drunj të thatë të mjaftueshëm.

Ismet Olluri e ka thurur një thark për bagëtinë. Kudo në tenda vërehet njëlloj gjallërie, edhe pse secili e ka mendjen te serbët që na e kanë zënë anën e Epërme. Por është fat se të lirë dhe të kalueshme e kemi pjesën dërrmuese të Blinajës. Eprori, Heset Sahiti,  me disa ushtarë të Pjetërshticës të Shalës e të Leletiqit tërë terrenin e ka futur në vëzhgim.

Disa ushtarë  gjatë natës kthehen edhe në Pjetërshticë. Kudo ka gjallëri të pazakontë. Tregtia nuk ka të ndalur. Kontrabandohet sidomos duhani. Një pjesë të mirë të parave po i shpenzojmë duke iu blerë duhan ushtarëve. Në kushte të reja të restrikcionit iu shpërndajmë  një pako për dy ditë, dhe jo sikurse ishte më parë një pako në ditë. Për ushqimin kujdesemi më tepër. Për çdo dy tri ditë theret nga një lopë nga ato të cilat qëndrojnë në bylyqe rreth lumit të fshatit dhe fushojnë në arat  me misër  dhe në livadhet e pakositura. Ndonjë fshatar e shet mishin me çmim, 2 Dm ose në raste të veçanta edhe falas. Në Grykë megjithatë jetohet, edhe pse në kushte dhe rrethana të bllokadës dhe të rrethimit.

Gjatë ditës gryka gjallërohet nga lëvizjet e vajtje ardhjet e ushtarëve. Prej ofensivës së fundit  nuk kanë ardhur më gazetarët e huaj e as përfaqësues të organizatave  humanitare.

Komunikimi me celularë është vështirësuar për shkak të mosmbushjes së baterive. Në Grykë ende kemi disa fuqi me naftë e cila shpenzohet për gjenerator në ambulancë dhe për traktorët në rast të ndonjë lëvizjeje të papritur të popullatës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …