Airport Adem Jashari
kek
MIT
tv dielli
Fillimi / Analiza / Ahmet Qeriqi: Mbrojtja burrërore para OZN-së e dy personaliteteve të njohura të NDSH-së, Ajet Gërguri dhe Gjon Serreçi
Ahmet Qeriqi: Mbrojtja burrërore para OZN-së e dy personaliteteve të njohura të NDSH-së, Ajet Gërguri dhe Gjon Serreçi

Ahmet Qeriqi: Mbrojtja burrërore para OZN-së e dy personaliteteve të njohura të NDSH-së, Ajet Gërguri dhe Gjon Serreçi

Nuk na ka luftuar Ushtria e Enver Hoxhës, as ne nuk e luftojmë atë, kishte thënë Ajet Gërguri para OZN-së, 9 shkurt të vitit 1947…

Ajet Gërguri ka qenë në mesin e drejtuesve më të lartë të NDSH-së, ndërsa në Kosovë kishte përfaqësuar Komitetin numër 2. të kësaj organizate,  që  kishte shtrirje organizative fillimisht në Prishtinë pastaj në Drenicë e më gjerë.

Studiuesit, tani të shumtë të NDSH-së, shumë prej tyre edhe historianë, të cilët gjatë kohës së regjimit të RSFJ-së, këta luftëtarë të vërtetë të lirisë dhe bashkimit kombëtar i kishin trajtuar, ballistë, banditë, profashistë e kriminelë, edhe tani mundohen ta minimizojnë aktivitetin e kësaj organizate më të fortë e më të pastër kombëtare, në periudhën e viteve 1941-1951.

Është folur dhe është shkruar se Ajet Gërguri, Gjon Serreçi e të tjerë nuk janë treguar “të fortë” para inspektorëve të OZN-së e UDB-së, por kanë folur dhe i kanë treguar të gjitha. Kjo është pika ku ata mundohen të mbështetën për ta larë, apo për ta arsyetuar  atë të kanë shkruar dikur për këta luftëtarë të vërtetë atdhetarë, të cilit i kishin shpallur  armiq të popullit dhe agjentë të anglo-amerikanëve. Duke analizuar deklaratat, të cilat në të shumtën e rasteve janë dhënë madje edhe nën kërcënim dhe me revole në fyt apo në ballë, jo pak historianë të Kosovës, janë përpjekur ta mjegullojnë të vërtetën, duke e paraqitur kreun e NDSH-së,  si organizatë me njerëz të dobët, të lakueshëm, njerëz që kanë zbuluar bashkëpunëtorët e tyre dhe kishin marrë në qafë njerëz të pafajshëm.

( Më vjen keq,  por me këtë rast nuk dua të përmend emra historianësh e studiuesish, për shkak të familjeve të tyre, por edhe të disave prej tyre,  të cilët i kanë ndërruar radikalisht qëndrimet, por kurrë dhe asnjëherë nuk kanë gjetur guxim të pranojnë hapur se në studimet dhe komentet e tyre ndaj LDSH-së, kishin gabuar, madje shumë rëndë) .

Është më se e vërtetë se Ajet Gërguri, Gjon Serreçi e disa të tjerë, në deklaratat e tyre gjatë hetuesisë, në radhë të parë e kanë mbrojtur konceptin kombëtar e politik të organizatës dhe kanë treguar se deri ku ishte shtrirë aktiviteti i tyre. Ata kanë qenë të vetëdijshëm se si folën e treguan të vërtetën, si mos të kishin folur fare, do të likuidoheshin, por në rastin e dytë do të dëmtohej lufta e drejtë e NDSH-së, e ardhmja e saj,  e cila do mbulohej me një vello të dendur të dyshimit.

Pikërisht  për këtë, ata kanë folur hapur, pa u trembur fare dhe pa kërkuar mëshirë nga regjimi shqiptarë-vrasës serb.

Këta dhe shumë drejtues e luftëtarë të NDSH-së janë pushkatuar nga regjimi jugosllav, për aktivitetin dhe luftën e tyre në dobi të atdheut dhe kombit shqiptar dhe në fund, gjatë hetimeve e gjykimeve farsë kanë shprehur bindjet e tyre, të vetëdijshëm se nuk do të kurseheshin.

E veçanta e këtyre deklaratave është mbrojtja me përgjegjësi e përkushtim kombëtar,  që i kishin bërë çështjes shqiptare, e cila edhe pas luftës, që quhej Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, në vitet 1941-1945, pas pezullimit të Rezolutës së Bujanit, ( 31. 12. 1943- 1.2, 1944) më 10 korrik të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, në  të cilën asokohe RPSJ kishte marrë vendim për mbetjen nën Jugosllavi të Kosovës, viseve shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi.  Krerët dhe luftëtarët e NDSH-së nuk ishin pajtuar me ri mbetjen nën pushtim dhe ishin organizuar duke bërë përpjekje të kontaktonin forcat anglo-amerikane, që kishin bërë përpjekje që pas luftës të mbaheshin zgjedhjet e lira, të cilat do ishin edhe një verdikt popullor mbi parimin e shprehjes së lirë të përcaktimit kombëtar  e politik dhe parimit të njohur e aq shumë të proklamuar në programet e komunistëve, mbi të  drejtën e popujve për Vetëvendosje.

Komunistët jugosllavë kishin shkelur atë parim dhe kishin mbështetur kufijtë e Kongresit të Versajës, duke aneksuar  edhe njëherë dy të tretat e trojeve shqiptare.

Në pyetjen që xhelati shqiptar-vrasës, Spasoje Gjakoviq i kishte bërë Ajet Gërgurit, se a je ballist, ai ishte përgjigjur me qartësi dhe korrektësi.

“Jam ushtar i Ushtrisë Nacional-Demokratike Shqiptare”. 1)

I pyetur se cili ishte qëllimi kryesor i Kongresit të Lipovicës i 25 korrikut të vitit 1945, Ajet Gërguri ishte përgjigjur.

Qëllimi ynë ishte që t i njoftonim njerëzit në komitete se ne nuk jemi as kemi qenë  ballistë, por pjesëtarë të LNDSH-së, që përpiqemi  për vendosjen e rendit të ri demokratik, shpalljen e zgjedhjeve të lira dhe përgatitjen e popullit për të votuar, në përkrahje të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Po kështu duhet t i bënim të ditur komiteteve se kryetari ynë, ende i pashpallur Ymer Berisha, mbante lidhje me dy oficerë anglezë dhe ne prisnim që në Kongres ai të na referonte lidhur me këshillat e tyre. Po kështu  ]qëllimi ynë kryesor ishte ta ftonim popullin të votonte për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë.

 

Në pyetjen e Spasoje Gjakoviqit se cili ishte qëllimi i “Ballit Kombëtar” në Shqipëri, Ajet Gërguri ishte përgjigjur:

– Qëllimi i tyre është  ta rrëzonin Qeverinë e Enver Hoxhës dhe të kthehen në pushtet  ata,  që kishin qenë në kohën e fashizmit.

 

Në pyetje se a kishte ndonjë dallim mes jush dhe ushtrisë së Enver Hoxhës, Ajet Gërguri ishte përgjigjur shkurt dhe prerë:

– Nuk ka ekzistuar asnjë dallim.

 

Në pyetjen se a kishte luftuar ushtria e Enver Hoxhës kundër nesh (Ushtrisë jugosllave) ai ishte përgjigjur shkurt.

– Jo!.

 

– A keni luftuar ju kundër  ushtrisë sonë? kishte qenë pyetja ndër të fundit që operativisti  shqiptar vrasës Spasoje Gjakoviq i kishte drejtuar, Ajet Gërgurit. Ai  ishte përgjigjur:

– Po kemi luftuar kundër jush kur kemi qenë të shtrënguar, në mbrojtje!

– A keni vrarë njerëz të caktuar të qeverisë e të pushtetit tonë?

– Po, kemi vrarë!

– A keni mundur të mos i vrisni ata?

– Kemi mundur,  por këtë e kemi bërë nga zori. Ka të tillë që janë vrarë, pa qenë të urdhëruar nga ne.

Kjo mbrojtje e përgjegjshme, politike e kombëtare  e Ajet Gërgurit, para xhelatëve të OZN-së, tregon në radhë të parë guxim, korrektësi, pranim të së vërtetës, mbrojtje të idesë të çlirimit të Kosovës dhe bashkimit me Shqipërinë. Në planin politik, deklarata  e tij nuk ishte diplomatike, as retorike, as përpjekje për ta shfajësuar veten dhe për t’i rënduar të tjerët, thjesht ishte një deklaratë burrërore, mbi të gjitha tërësisht e vërtetë  në pasqyrimin e ngjarjeve në kushte dhe rrethana në të cilat kishte vepruar deri  në ditën kur ishte arrestuar.

Ajo që mua më bie në sy në fund të  deklaratës së Ajet Gërgurit lidhur me Enver Hoxhën dhe qëndrimin e tij ndaj Kosovës dhe LNÇ-së në përgjithësi, është fakti se kreu i NDSH-së askund dhe në asnjë vend nuk kishte marrë ndonjë vendim apo qëndrim kundër Shqipërisë së Enver Hoxhës. Po ashtu përveç përpjekjeve të pasuksesshme, për t’u lidhur me forcat balliste të Muharrem Bajraktarit, nuk kishte rezultuar asnjë lidhje me kreun e Ballit, Mid’hat Freshëri, as me grupe të tjera të ballistëve. NDSH-ja me kohë kishte marrë qëndrim distancues  ndaj Ballit si formë politike e diskredituar dhe e kompromituar, edhe këtë e kishte thënë, Ajet Gërguri gjatë hetimeve.

Në anën tjetër të medaljes, NDSH-ja dhe disa krerë të saj kishin lidhje të drejtpërdrejta me Sigurimit e Shtetit në Shqipëri,  sikur ishte rasti i Aziz Zhilivodës me grupin e tij, i cili disa herë nga Shqipëria ishte futur në Kosovë, me direktiva të qarta me qëllim për të riorganizuar forcat, të cilat kërkonin bashkim me Shqipërinë e kohës. Po kështu, edhe kreu numër dy i pushtetit në Kosovë, Rifat Berisha mbante lidhje me  shërbimet e Shqipërisë së Enver Hoxhës. Ai, edhe pse kishte nënshkruar, në Konferencën e Prizrenit, duke parë se ishin tradhtuar hapur qëndrimet lidhur me Kosovën, kishte marrë qëndrim kundër regjimit jugosllav dhe iu kishte bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë që ende ishin në male, deri në rënien e tij heroike.

Asokohe, Rifat Berisha politikani numër dy në Kosovë, pas Fadil Hoxhës, mbante kontakte të fshehta me struktura të caktuara të Shërbimit Sekret të Shqipërisë dhe bënte përpjekje ta shfrytëzonte momentin historik në raportet e acaruara mes Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik,  për të bërë kthesë në ardhmërinë e Kosovës. Po si do të kuptohet më vonë, ai nuk kishte arritur të ndikonte aq shumë, në kreun komunist të Kosovës, i cili ishte në vëzhgim të agjentëve të Titos e të Rankoviqit. Grupi akuzohej se kishte mbajtur lidhje dhe u kishte dhënë informacione Halit Berishës, Jahir  Berishës dhe Bajram Berishës, të cilët pasi kishin çarë rrethimin gjatë luftimeve në Gajrak,  kishin shkruar në Shqipëri dhe ishin rekrutuar në radhët e Shërbimit të Sigurimit. Këtij grupimi iu kishte bashkuar edhe Aziz Zhilivoda, i cili vepronte në kuadër të Shërbimit Sekret të Shqipërisë, ndërsa Jugosllavia e kishte shpallur kriminel të luftës dhe Shaban Haxhinë, një atdhetar me bindje komuniste, por që vepronte mbi baza të Rezolutës së Konferencës së Bujanit,  për bashkim e Kosovës me Shqipërinë. Këta dy kishin qenë ndërlidhësit kryesorë të grupeve dhe kishin vepruar në një platformë me qëllim të largimit për në Shqipëri të disa kuadrove të dëshmuara atdhetare dhe nga atje të merrnin instrukcione dhe ndihmë në organizimin e  kryengritjes kundër Jugosllavisë, me qëllim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Po kështu duke qenë të kthjellët dhe largpamës dhe me qëllim për të mos e rrezikuar shtetin shqiptar, shumë prej tyre nuk kishin kërkuar strehim në Shqipëri, ( përveç në raste të veçanta) me qëllim  për të mos dhënë pretekst për intervenimin e Jugosllavisë me rastin e prishjes përfundimtare të marrëdhënieve mes dy shteteve në vitin 1948.

Është edhe një e vërtetë tjetër jo pak e  hidhur se në kuadër të Partisë Komuniste të Shqipërisë, më vonë Partia e Punës së Shqipërisë, pati jo pak elementë pro-jugosllavë, në krye me Koci Xoxën e të tjerë. Mbetjet e tyre në Shqipëri  kishin mbijetuar deri në vitin 1990 kur edhe kishin dalë në sipërfaqe, madje edhe agjentë që kishin vepruar me vite të tëra në shërbim të Beogradit dhe që u riorganizuan me rastin e rënës së sistemit komunist të Ramiz Alisë.

Duke arsyetuar organizimin,  formimin dhe aktivitetin politik dhe ushtarak të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, njëri ndër ideologët e saj, Gjon Serreçi Më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, ka sqaruar në tërësi programin dhe veprimtarinë e NDSH-së

Gjon Serreçi i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar:

Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne.

Në pyetjen e inspektorit të UDB-së se si  ishte planifikuar të arrihej deri te realizimi i një qëllimi të tillë, Gjeon Serreçi ishte përgjigjur:

Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta…

Më 3 maj të vitit 1947  në lëndën akuzuese kundër Gjon Serreçit, Ukë Sadikut, Ajet Gërgurit, dhe Osman Bunjakut, në pjesën e lëndës ku shpallet fajtor Gjon Serreçi, atij i përshkruhen këto vepra:

Si mësimdhënës në gjimnazin e Prishtinës ka shfrytëzuar detyrën dhe ka bashkëpunuar me nxënësit për të zhvilluar veprimtarinë e tyre të dhunshme nëpër komitete, duke dhënë betimin për besnikëri ndaj Organizatës….

Në fund të prillit të vitit 1946 ka krijuar lidhje me  anëtarët e Komitetit Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Moranën dhe  Hasan Bilallin… Në radhët e kësaj organizate të cilën e kryesonte Ajet Gërguri, pranoi detyrën e sekretarit…

Ka hartuar programin dhe ka udhëhequr punimet në Kongresin e Lipovicës më 25 korrik 1946…Ka bërë përpjekje për të ikur në Greqi… Pas shpartallimit të grupit në Hoqë të Qytetit më 8 gusht 1946  ka shkuar në rrethin e Neredimës, Kamenicës e Preshevës dhe ka vazhduar punën në formimin e komiteteve ilegale nacionaliste.

 

  1. 2. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: Çfarë duhet me shumë për ta kuptuar atë që i thotë vetit shqiptar e realisht është anti-shqiptar!?

Çfarë duhet me shumë për ta kuptuar një që i thotë vetit shqiptar e realisht ...