Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Fatmir Miroci

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Fatmir Miroci

Në mesin e këngëtarëve të mirënjohur të trevës muzikore të Dukagjinit, që kanë bërë emër me këndim, sidomos pas luftës së UÇK-së dhe fitores historike kundër pushtimit serb, është edhe Fatmir Miroci, një burrë shtat-hedhur, i cili e përthekon këngën nga të gjitha anët e pjesët e saj, duke i dhënë dimension me fuqi zëri dhe muzikalitet karakteristik.

Fatmiri ka filluar të këndojë shumë herët së bashku me këngëtarin e mirënjohur Xhavit Hykosmani, por këngëtar i afirmuar u bë pas luftës së UÇK-së, pjesëtar i së cilës kishte qenë. Ky këngëtar, ashtu sikur edhe mjaft të tjerë në Kosovë, i përket radhëve të këngëtarëve luftëtarë, të cilët krahas pushkës kishin pasur edhe çiftelinë, për t’ i kënduar heroizmi të bashkëluftëtarëve dëshmorë, për të mobilizuar dhe frymëzuar bashkëluftëtarët, në rrugën e tyre pa kthim, drejt lirisë.

Në këtë mes, përkujtojmë me pietet, lavdi e respekt  zëruesit e parë të këngës së lirisë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur kanë qenë, Mujë Krasniqi e Beqir Gashi, të dy dëshmorë, pastaj Muhamet Malësori, profesor i filozofisë, dëshmor, Bejtë Rexhepi këngëtar e luftëtar i dalluar, dëshmor i luftës së lavdishme të UÇK-së,  Shaqë Avdia, dëshmor i UÇK-së, rapsodi i mirënjohur,  Feriz Krasniqi,  ka vdekur gjatë kohës së luftës në malet e Domanekut, e të tjerë.

Janë të shumtë luftëtarët këngëtarë që kanë kënduar edhe në fronet e luftës, duke marrë shembull nga Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, i cili jehonën e fuqishme të armës çlirimtare e përcillte me këngë, veçmas me këngën e Çerqiz Topullit, ashtu sikur edhe vëllai i tij, Hamëz Jashari, që kishte qenë edhe këngëtar e  aktor i njohur.

 Pushka dhe kënga e kanë përcjellë shqiptarin nga shekulli në shekull, por me sa dimë ne,  në asnjë periudhë të historisë sonë kombëtare, nuk ka pasur më shumë luftëtarë këngëtarë, sesa në  epopenë  e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Një pjesë e tyre janë afirmuar pas luftës dhe fitores kundër pushtuesit serb.

Këta luftëtarë, këngëtarë, prioritet të këndimit të tyre kanë këngët për dëshmorët, për bashkëluftëtarët e tyre. Andaj kënga e tyre është këngë që buron nga mendja e nga zemra, është këngë përkushtimi, në të cilën është derdhur tërë forca mobilizuese, krijuese, artistike e përmbajtësore e këngës së lirisë, kënga më e dashur dhe më kuptimplote e kombit.

Këngët e lirisë, këngët për dëshmorët, martirët, për masakrat barbare, që kanë kryer serbët në Kosovë, mund të përkufizohen si  këngë historike dhe këngë trimërie, por mbi të gjitha janë këngë të epopesë së lavdishme të UÇK-së, janë këngë të veçanta heroizmi e atdhetarie.

Fondi i këngëve për dëshmorët e kombit kalon në mijëra e mijëra, ende të pa numëruara, ndërsa vetëm në fonotekën e Radios-Kosova e Lirë dhe të TV-Diellit janë regjistruar mbi dy mijë  e më shumë këngë për dëshmorët.

Ka në këtë mes,  disa këngëtarë e këngëtare, në repertorët e tyre kanë nga më shumë se nga  100 këngë për dëshmorët. Kjo është një begati kombëtare e këngës shqipe, në Kosovës dhe kudo në trojet shqiptare, të cilën e solli Lufta fitimtare e UÇK-së dhe liria e Pavarësia e vendit.

 Në mesin e këngëtarëve të trevës muzikore të Dukagjinit, të njohur e të dëshmuar  për këndim me përkushtim të këngëve për dëshmorët, shquhet edhe, Fatmir Miroci, i cili këndon edhe këngë të zhanreve të tjera, por mbi të gjitha me përkushtim e vullnet, i këndon këngët e lirisë, vetë,  por edhe me këngëtarë të tjerë.

Me zërin karakteristik, duke u mbështetur në veçoritë e  trevës muzikore  ku ka lindur, është rritur dhe edukuar, ai ka krijuar stilin e vet të këndimit, ashtu si çdo këngëtar i njohur, me tipare dhe veçanti të caktuara krijuese dhe ekzekutuese me vegla të ndryshme muzikore, veçmas me çifteli e sharki.

Jeta në rrëzat dhe në malet e Gjeravicës,  ku ai është rritur, tingujt e pastër e harmonikë të natyrës, jehona e lugjeve dhe e brigjeve, doemos se kanë ndikuar në jetën dhe botën e tij të perceptimeve artistike, që nga fëmijëria.

Është i njohur fakti se banorët e viseve malore janë më të vrullshëm, më energjikë dhe gjithmonë të gatshëm për tu ballafaquar me të papriturën  që sjellë mali, bjeshka, përroi, lumi i rrëmbyeshëm malor. Ndërsa këndimi i pafre dhe i pa përmbajtur  në natyrë, jehona e shpërndarjes së tingujve nëpër lugina malesh, ngjall e mocione dhe frymëzime.

Andaj e veçanta e këndimit të këtij këngëtari, është këndimi i lirshëm, i harmonishëm, me shqiptim të qartë e të kuptueshëm të fjalëve e fjalive, duke i plotësuar ato me zërin e pastër e melodik, mbi të gjitha me një zë të fuqishëm e burrëror,  që është po ashtu një veçanti tjetër, me të cilën dallohet kënga e tij.

 

Këngëtari, Fatmir Miroci, ka një repertor të pasur të këngëve, ndërsa  vendin kryesor  e zënë këngët për dëshmorët, këngët e lirisë, këngët e trimërisë, por edhe këngët e dashurisë dhe këngë të motiveve të tjera, të cilat zakonisht këndohen në ahengje, dasma e ndeje dhe që janë kryesisht këngë argëtimi.

Po kështu, ky këngëtar i trevës muzikore, rapsodike të Dukagjinit, doemos se ka trashëguar edhe një ndikim të natyrshëm nga këngëtarët e mirënjohur të kësaj ane, të cilët kanë pasur fat  ta kenë në mesin e tyre, bardin e këngës shqipe, Dervish Shaqën, i cili ka ushtruar një ndikim të veçantë te të gjithë rapsodët e vendit, veçmas te ata të Dukagjinit.

Në këtë trevë muzikore kanë bërë emër edhe këngëtarë në zë si më të paharrueshmit dhe të mirënjohurit, Bajrush Doda, Augustin Uka,  Lan Dobra, Shaqë Avdia, Marash Krasniqi, Ismet Peja, e shumë të tjerë. Pikërisht kjo trashëgimi e pasur folklorike, është kthyer në një shkollë të vetvetishme të këngës së Dukagjinit, e cila ka veçanti e veçori të këngës burimore, autentike, të kësaj treva që nga kohët e lashta e deri në ditët tona.

Fatmir Miroci, me këngët e tij dhe me ata me të cilët këndon, qoftë duet apo në grup, ka krijuar stilin origjinal të këndimit. Ai këndon lirshëm, hareshëm, me frymëzim, sepse e zotëron këndimin autentik, duke mos u ndalur në begatimin  e fondit të këngëve, të cilat dëgjohen me ëndje, në dasma e ahengje, në ndeje e prezantime të ndryshme. 

 Krojmir

Gusht 2021

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …