Ahmet Qeriqi: Një bisedë e gjatë me oficerin Tahir Sinani në odën e Elez Durmishit në Krojmir, 13 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Një bisedë e gjatë me oficerin Tahir Sinani në odën e Elez Durmishit në Krojmir, 13 janar, 1999

Në mëngjes kam ndenjur me mjekun Ramë nga Godanci me Vehbi Zeqirin dhe traktoristin, Zenel. Me ta kam biseduar lidhur me aktivitetin dhe punën e tyre në drejtim të grumbullimit të ndihmave për ushtarët dhe për spitalin e Krojmirit.

Ikja e papritur dhe e paralajmëruar e Luanit ka ngjallur dyshime në mesin e njerëzve. Ata që e njohin mirë nuk habiten në veprimet e tij, por disa të tjerë  këtë ikje e interpretojnë me dyshime të llojllojshme.

Sido që të jetë, Elez Durmishi do ta marrë komandën e Batalionit, meqë deri tani ka qenë zëvendës.

Sot nuk kam shkuar në Berishë, meqë janë grumbulluar shumë punë dhe mendoj që të paktën një ditë të pushoj.

Gjatë ditës  kam takuar Vehbi Qeriqin, Heset Hamdiun, Ramadan Rizanin Salih Rizanin e të tjerë. Idriz Qeriqi, vëllai i Luanit thotë se ai e ka caktuar përgjegjës për logjistikë të Shtabit lokal. Idrizit i them që për këto punë të merret vesh në komandë, meqë tani derisa Luani nuk është këtu, duhet që dikush tjetër të vendoset në vend të tij. Idrizi është djalë që ha llaf. Ai, prej fillimi të luftës ka vepruar dhe ka punuar pandërprerë, mirëpo edhe ai është në presion të veprimeve të pamatura të Luanit. A ka vëlla dhe është krejt normale që e ka mbrojtur. Edhe unë e kam mbrojtur më tepër se të gjithë por sa para bën, kur ai është i tillë çfarë është. Është fat që e ka nën kontroll Azem Syla, të cilin e respekton dhe  e dëgjon.

Moti ka filluar të prishet. Në mbrëmje ka ra shi si me rrëshek. Me Qemal Aliun i cili është kthyer nga pushimi, në fshatin Konjuh, ku jeton me familjen, kemi shkuar në odë të Elez Durmishit. Atje kemi takuar oficerin e armatës shqiptare, Tahir Sinani, tani anëtar  Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe komandant i Njësive Diversante Speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Aty e takojmë edhe Ajvaz Berishën, zëvendësin e Tahirit një ushtare dhe disa ushtarë të tjerë. Në odë si zakonisht ndodhet edhe Baca Avdyl, babai i Elezit një burrë i zakonit, mirëpritës, punëtor dhe burrë shumë i drejtë.

Tahir Sinani është i shkurtër nga shtati. Ka një vështrim të ushtarakut shumë të disiplinuar. Në bisedën e tij vërehet përkushtimi për luftën çlirimtare. Ai na adreson edhe mjaft kritika për mungesën e angazhimit serioz dhe për të metat në organizimin civil. Tahir Sinani na qorton se nuk kemi ndërtuar strehimore për popullatën dhe prognozon se në rast të luftës frontale, ushtarët e UÇK-së, në vend se të luftojnë në front, duhet të përkujdesën për evakuimin e popullatës civile. Ai nuk mund të pajtohet me faktin se popullata civile, tërë ditën humb kohën kot dhe nuk siguron bunkerë e strehimore kolektive, kur i ka të gjitha mundësitë.

-Nuk ka kurrfarë iniciative nga shtabi i shpjegoj oficerit të zjarrtë të Armatës Shqiptare, tani komandant i UÇK-së.

-As duhet pritur fare nga shtabi, ma kthen fjalën dhe shton,

-Kjo është punë e këtyre që ju i quani shtabe civile. Oficeri, Tahir Sinani nuk e di se në ç` nivel të ulët organizativ janë këto shtabe civile. Ai vjen nga një  vend ku është ndërtuar një realitet dhe një koncept tjetër i mbrojtjes. Njerëzit te ne edhe pse të përfshirë një vit në luftë nuk dinë se çfarë do të thotë strehimore kolektive.

Gjatë bisedës së gjatë që kemi zhvilluar, mësoj se Tahir Sinani e njeh mjaft mirë traditën kulturore dhe historike të së kaluarës. Megjithatë kam fituar bindjen së është paksa edhe mistik, në interpretimin e disa fenomeneve. Më vinte keq ta kundërshtoja në disa raste të mungesës së gjykimit kritik për fenomenin e misticizmit. Është fat i mirë që në mesin e ushtrisë sonë ndodhen oficerë të tillë. Ai është i ashpër në detyrë, por shumë i afërt dhe i drejtë me ushtarë.

Tahiri është oficer i detyrës dhe i përkushtimit çlirimtar. Ai ka ushtruar ndikim dhe disiplinë të madhe në mesin e ushtarëve. Tahir Shqipnia i thonë pleqtë të gëzuar se ka ardhur një oficer i shkolluar në kohë të Enver Hoxhës.

Nderimi dhe respekti që ushtarët dhe eprorët tanë  i bëjnë Tahir Sinanit është për çdo lëvdatë. Do t’ ishte fat i madh po të kishte këso ushtarakësh në të gjitha zonat. Me sa kam njohuri unë tani për tani janë vetëm katër pesë oficerë të armatës shqiptare, ndërsa ushtarë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë ka shumë më tepër. Në Llap vepron komandant Adem Shehu, në Shtabin e Përgjithshëm janë dy kolonelë, Dilaver Goxhai dhe Bardhyl Tahiri. Mbase mund të ketë edhe të tjerë nëpër zonat operative. Oficerët nga Shqipëria forcojnë moralin  e ushtarëve por edhe të popullatës civile në zonat e luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Sot në orën 8 të mëngjesit jam nisur në drejtim të Berishës. Sapo kam kaluar …