Artan Duka: Institucionet fetare nuk duhet të bien në kurthin e politikës, që majmet në kanalet e ujërave të zeza të historisë

Të anatemosh e të tjerrësh të shkuarën sipas interesit është bërë prej kohësh “sport” pas viteve 90. Në këtë rendje të ethshme për të shtuar kredenciale “demokratike” apo shfryrë duf historik, më të zellshmit i gjejmë tek politika e ditës që sajon CV “demokratike”, si për karrierë ashtu edhe lobim tek bota por, nuk mbetet pas edhe revanshizmi historik që mendojnë se u bë deti kos dhe i futen me këmbë me iluzionin se kolaboracionizmit i ka dalë era pas rënies së socializmit!

Kësaj kuturisje iu bashkua së fundmi edhe Kisha Katolike(!) me merakun e saj ndaj “neo-komunizmit” duke kërkuar dënimin e apologjisë së komunizmit! Befasi kjo, kur mendon raportin tradicional politikë-besim me fenë në punën e grigjën e vet, ndaj të “mallkosh” sot nostalgjinë të përzjerë me krenari, ndaj punës e luftës së brezave të tërë, vetëm era “besim” nuk mban!

Filmat, librat, fotot, 29 nëntori që sapo festuam, nuk janë jetëshkrimi i një personi, qoftë ky dhe Enveri por e shumicës së një shoqërie që me mund e sakrifica dha gjithçka në emër të një ideali po aq të shtrenjtë sa edhe besimi për grigjën e dikujt.

Nga martirët (sikurse të tillë ka edhe krishtërimi) e veteranët e LANÇ pa të cilët Shqipëria mund të coptohej nëse do të damkosej nga bota fitimtare si kolaboracioniste (fashizmin pati edhe individë me rraso mes apologjetëve të tij) dhe më tej sakrifica e brezave të tërë për të bërë shtet 45 vjet.

Të shkuarën nuk ka thes që e nxë!

E para gjë në demokraci është liria për të qenë e për të menduar ndryshe, argument kryesor ky me të cilin sot anatemohet e futet në një thes e gjithë periudha e socializmit tek ne duke mos kursyer as vetë luftën para saj. Por monizmi nuk çrrënjoset me qasje moniste dhe “Adami” i fesë tregon se molla e ndaluar josh më shumë ndaj, në do t’a popullarizosh e nxisësh kurreshtjen për diçka, shpalle të paligjshme!

E sa për neo-monizmin, donkishotizmi nuk ka brirë sepse ai vate që kur na mbytën lloj-lloji partish, çdokush e ka një tapi, njerëzia e nis ditën me shpresën të fitojë dhe sektori privat zotëron pothuajse gjithçka!

E shkuara, duke  përfshirë edhe atë fetare, nuk është bardhë e zi e nuk e nxë një thes i vetëm! Duhet ndarë shapi nga sheqeri, idealja nga ekstremizmi dhe pastaj, “gurin” t’a flakë ai që nuk ka bërë prapësi! Feja vetë ka plot dritë-hije në histori nga Kryqëzatat e përgjakshme, Inkuzicioni famëkeq, bekimi i ushtrive pushtuese, flirti me nazizmin, ngacmimet e abuzimet seksuale të fëmijëve e femrave nga priftërinjtë,  e dukuri të tjera që janë bërë nën hijen apo frymëzimin e simboleve fetare etj.

E nëse gjithçka që ndodh në këtë dynja është vullnet hyjnor, atëhere faji është gjetiu dhe “fali se nuk dinë” apo “urrejtja nuk shëron”, vlen për të gjithë e të gjitha periudhat historike, ndryshe humbet kuptim.

Moda e anti-darvinizmit e vlera që bashkojnë

Besimi fetar është e drejtë individuale e qetësimit të shpirtit dhe duhet të mbetet e tillë. Politika jonë e shquar për qasjen makiaveliste për pushtet, sot e ka bërë modë e “blasfemon” Darvinin e shkencën duke u shndërruar në zgjatim të pushtetit të fesë në shoqëri. Politika në ambicjen e saj për pushtet e ka për detyrim të flasë në emër të gjithçkaje që na bën bashkë, në emër të të gjithë qytetarëve të pa-gojë pa dallim. Nuk ka punë as ta yshti e as të bëhet palë me fenë,  sikurse e ka bërë tashmë huq deri dhe kur Kushtetutën e nisin me të që në krye!

Shoqëria njerëzore është më shumë se besimi e prej shekujsh bota ka përqafuar evolucionin, shkencën e sot vetë Universi është në hartë që mbahet në xhep! Shqipëria është më shumë se grigja e dikujt dhe historia e saj është kontribut brezash që nuk ka “mrekulli” e lutje që e fshin dot nga kujtesa e kombit.

Demokracia, bashkë me lirinë e besimit solli edhe atë të qenët  ndryshe, duke përfshi qëndrimin ndaj së shkuarës dhe monopolin e së vërtetës dhe rolin e kohës nuk e ka askush, as ata që mendojnë se janë zëdhënës të amshimit!

Besimi nuk është ekskluziv i institucionit fetar. Ai lidhet më së pari me vlera universale, të përjetshme sa vetë njeriu sepse u shfaqën bashkë me të para vetë besimit fetar e formësojnë identitet. Nga vëllazërimi, toleranca e mirëkuptimi, solidariteti dhe gjendja pranë tjetrit në nevojë, dashuria e sakrifica për tokën e të parëve etj vlera e tipare që bëjnë njeriun e shoqërinë dhe që sot i ndan edhe besimi fetar dhe deri dje, edhe komunizmi si ide. Feja e komunizmi nuk janë në varkë por ndajnë plot vlera e besime në parim, nga mirësia e vëmendja ndaj tjetrit, respekti ndaj shoqërisë e të mirave të krijuara me mund e sakrifica etj. Idetë, të mira a të këqija qofshin, dalin mbi ne e ligjin dhe ndonjëherë, edhe e keqja zë vend në emër të së mirës dhe këtu askush e asgjë, nuk është qelibar për t’i drejtuar gishtin tjetrit. Ajo që na mungon si shoqëri është mesazhi i vëllazërimit dhe i ecjes përpara. Jo ato të ndarjes dhe pykat që përçajnë që nëse trashëgohen marrin peng të ardhmen. E këtu institucionet fetare kanë rol të rëndësishëm, nëse janë ato që thonë dhe nuk duhet të bien në kurthin e politikës ngjalë e të “pafe” që majmet në kanalet e “ujërave” të zeza të historisë. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …