Brickos

Remzi Hoxha

Bahri Bivolaku: Remzi Hoxha, kolos i lirisë, fisnikërisë dhe humanizmit II

Remzi Hoxha humanist

 

Karakteri i Remziut  humanist buron nga vetë familja e tij. Shtëpia e tyre në Shkup ishte vendi i strehimit për të përndjekurit, djemtë e ri të ikur nga arrestimet për mos përgjigjeje në thirrjen për shërbim në armatën jugosllave në pritje për të dal jashtë, hallexhinjtë e ndryshëm etj. Ishte vend pushimi dhe qëndrimi komod edhe për politikanët dhe aktivistët e ndryshëm. Kati i fundit i shtëpisë ishte i mbushur me shtretër edhe dy katesh dhe vazhdimisht ishte i mbushur. Remziu aktivitetin e vet solidar e zhvilloi në aksionin për ndihmën minatorëve të Stan Tregut të larguar nga miniera.

Ndihma personale dhe e miqve të tij afaristë ishte e konsideruar. Ai Sindikatën e Afaristëve e kualifikonte për ditët e vështira që vinin si “Buka e Kosovës”. Remziu ishte pjesë e të gjitha komisioneve solidare të qytetit të Ferizajt. Remziu ishte themelues dhe financues i KMDLNJ-se në Ferizaj. Ishte një prej anëtarëve për përpilimin e kartelave sociale e shëndetësore për të gjitha familjet skamnore në Ferizaj dhe realizimin e saj në praktikë. Jep kontribut të çmuar me lidhjet e tij në aksionet “Familja ndihmon familjen”. Organizon aksionin për sigurimin e barnave dhe sanitarisë për raste lufte apo emergjente. Kontribuoi në zgjerimin e bazës grumbulluese në këshillin financiar. Korrespodencën e “Rilindjes” si gazetë e vetme ditore e atëhershme e pajisi komplet me aparaturë.Ndihmoi financiarisht në adaptimin e ambulancës së “Nënës Terezë” në Ferizaj.

Vëllezërit Hoxha nga Shkupi sa herë që kërkohej ndihmë monetare nga Remziu për rastet sociale në Kosove, ata në  Çarshinë e Shkupit e realizonin me urgjencë. Remziu dhe familja e tij ndihmuan në shërimin e shumë pacientëve nga Kosova në spitalet e Shkupit. Përmes Remziut shqiptarët e Ladorishtes e fshatrave tjera të Maqedonisë ndihmuan Kosovën. Vizitoi dhe u ndihmoi disa nga delegatët e Kuvendit të Kosovës që shpallën deklaratën kushtetuese.

Remzi Hoxha politikan

Remziu aktivisht nuk u inkuadrua në parti politike edhe pse në fillim të 90-tave e shohim si delegat të Kuvendit të Degës së LDK-së në Ferizaj. Më vonë vazhdimisht ishte në kundërshtim me qëndrimin e përgjumur të kësaj partie. Ai nuk u mor me parti politike, por me sindikatën e tij dhe bashkëveprimtarët krijoi politikën, ai e bënte politikën. Qëndrimet e tija për rezistencë aktive në  çdo sferë ishin thjesht thelb në strategjinë e veprimit politik e programi i integrimit kombëtar ishte moto e aktivitetet politik të tij. E kishte të qartë se po qe se stërkuqet rezistenca paqësore e aplikuar nga politika lufta është pashmangshme. Në një takim që kishim pas grevës së 3 shtatorit me një delegacion të kryesisë së LDK-së në selinë e saj në Prishtinë (Fehmi Agani, Nekibe Kelmendi, Ibrahim Berisha e ndonjë tjetër), ai u nda i zhgënjyer nga takimi. Tema e bisedave ishte se cila strategji e koordinuar të veprojë pas mbylljes së veprimtarisë afariste nga pushtuesit për rastin e grevës.

LDK-ja kërkonte që të ketë mbrojtje institucionale, të aplikohej pra përmes gjyqeve serbe të realizoheshin të drejtat. Remziu ishte për formë të veprimit politik të rezistencës aktive, atë të thyerjes së drurëve dhe hapur objektet tona afariste pa procedura dhe pa përfill pushtuesin serb, pasi edhe ashtu ishin mbyllur. Remziu e donte veprimin politik aktiv jo për poste a pozitë a pushtete morale institucionale. Ai përmes atyre veprimeve synonte mobilizimin qytetar në realizim të interesit kombëtar.

Me këtë shkrim nuk pretendoj për të mbyll shpjegimin e veprimtarisë kombëtare pasi ajo është shumë e madhe. Qëndrimi i institucioneve të shtetit shqiptar, por edhe atij në Kosovë e edhe në Maqedoni është fare i pakuptim, për të parin bizar e të tjerët të përgjumur e qyqarë, e Remziu veproi që shqiptarët në këto treva të kenë institucione të lira e demokratike.

Ironizimi i Gazidedës në rastin e Remziut 

Nuk do të dëshiroja assesi që me vdekjen e Gazidedës të vdes edhe shpresa për të zbardhur të vërtetën për fatin e Remzi Hoxhës. Remzi Hoxha u arrestua më 21 tetor 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK-ut, i cili ishte i komanduar nga Bashkim Gazidede, tashmë i ndjerë. Arrestimi u bë në mes të ditës dhe nga persona zyrtarë. Veturat e përdorura ishin të po kësaj krijese që mendon të jetë kombëtare si dhe në prezencën e dëshmitarëve, punëtorëve të punëtorisë së Remziut, të cilët këtë fakt e prezantojnë me një deklaratë të firmosur dhe të bërë publike. Zyrtarisht një fakt i tillë për këtë arrestim vërtetohet edhe nga vetë SHIK-u në shkresën zyrtare të tij si përgjigjeje Avokatit të popullit Nr. 2294 Tiranë 31.07.2002 ku thuhet qartë “… një ndër automjetet që është përdorur për këtë arrestim është se vetura me targa TR 2449 C i takonte SHIK-ut dhe se ajo është tërhequr nga shefi i prapavijës së drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë z. Nuredin Dërvishi për nevoja operative me datë 20.10 1995”.

Më pas është i dorëzuar ish-drejtorit të SHIK-ut në Tiranë Mehmet Hagjolli. Nga të dhënat operative konfirmohet fakti se në këtë operacion ka marrë pjesë edhe shefi i bazës 10 të vëzhgimit z. Avni Kolldashi. Pas arrestimit të Remziut nga ta është dorëzuar tek oficerët operativ si Ilir Kumbaro dhe Arben Sefëgjini, kryetar dege dhe zëvendësdrejtor në drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë.

I arrestuari është dërguar në një bazë sekrete në Vain të Lezhës”. Bashkim Gazidede si shef i këtij shërbimi edhe në shkresën e tij Nr. 3755 datë 95/96 drejtuar prokurorisë mohon se vetura është marrë në datën e caktuar dhe përdorur nga SHIK-u, duke injoruar edhe faktet e cekura më lartë dhe këtu edhe i vihet pikë aktivitetit për zbardhjen e fatit të Remziut, pasi vullneti i Gazidedës dhe mohimi i tij kishte fuqi për të bërë këtë. Dëshmitarët të këtij rrëmbimi zyrtar paraqiten edhe z. Ziso Kristopolo nga Saranda si dhe Armend Loshaj nga Deçani, të arrestuar po atë ditë nga SHIK-u për po të njëjtin rast. Z. Ziso tani jep shpjegimet dhe për natyrën e bisedave nga inspektorët e SHIK-ut, të tëra të natyrës politike dhe ngjarje të konstruktuara nga vetë ata. Vetëm motivi është ende i paqartë dhe mund të spekulohet. Dëshmitari tjetër dhe i arrestuari Armend Loshaj në këtë mes ka një rol krejtësisht tjetër. Që të dy dëshmitarët janë gjallë. Në dokumentin zyrtar të SHIK-ut paraqiten në përfundim se si të implikuar në rrëmbim dhe zhdukje inspektorët Avni Kodashi (më vonë i liruar nga shërbimi 1998), Ilir Kumbaro i liruar nga shërbimi 1996, Dion Mece i liruar më 1997, Arben Sefëgjini 1997, Behxhet Muhellasi i liruar më 1997, Roland Dede shofer i Ilir Kumbarës. Për këtë ngjarje ishte në dijeni edhe zëvendësdrejtori i kundërzbulimit z. Flamur Gjymyshka (kunati i Gazidedës).

Se është marrë vetura zyrtare me targa të cekura nga të lartpërmendurit ka edhe një konfirmim tjetër zyrtar Nr. 805/2 data 30 03 1996 të policisë rrugore të nënshkruar nga drejtori i Policisë rrugore të Ministrisë së Brendshme kolonel Edmond Kasesi …

E dëgjova me vëmendje paraqitjen e Gazidedës para se të vdes në TV Klan, është e para publike pas kthimit nga azili në vendet islamike dhe mendoja se kjo kohë i ka mundësuar që të ndryshojë pozitivisht, por jo ishte ai i vjetri dhe ai me të vërtetë dinte të fliste vetëm nga pozita e të fortit, pasi edhe ishte në atë pozitë të mbështetur nga politika pushtetare gjithsesi. Gazidede në atë paraqitje publike ironizoi aq shumë dhe fare gjakftohtë refuzonte faktet që ai, përkatësisht vartësit e tij rrëmbyen një atdhetar.

Të ironizosh nuk është forcë, është virtyti më i dobët në karakterin e njeriut. Mohonte fare thjesht e pa asnjë argument faktet e ofruara për veturën e përdorur dhe dëshmitarët që dëshmojnë këtë ngjarje. Në procedurën hetimore vartësit e tij e pranojnë se Remziun e kanë arrestuar dhe dorëzuar eprorëve për trajtim të mëtejmë, ndërsa ai e mohonte këtë. Ky ishte cinizëmi i  Gazidedës. Ishte i fortë dhe në shtetet me demokraci të brishtë ku nuk sundon ligji por vullneti politik, ia ofruan këtë hapësirë që të luante me ndjenjat e familjarëve dhe shumë të interesuarve tjerë për zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen në fjalë.

Një shef i shërbimeve informative, në një shtet të Evropës juglindore mos të di për aktivitetin e vartësve të tij dhe mos të ketë njohuri për rrëmbimet në mes të ditës, vërtet është qesharake. Vallë, çfarë pune të ketë bërë atëherë ai? Ai dhe vartësit e tij, por dhe politika që i mbështetë janë duke e fshehur të vërtetën për krimin e bërë dhe sa kohë ende se kam të qartë. Shpjegimi i tij në emision se biznesmenëve të rrëmbyer, të zhdukur, vrarë etj., nuk kanë qenë në fokus të veprimtarisë së SHIK-ut por të policisë dhe se rasti i Remziut nuk është i vetëm nuk paraqet farë arsyetimi faktik. Remziu nuk ishte biznesmen tipik dhe të kishte kapacitete të mëdha fitimprurëse.

Ai e dinte mirë se rrëmbimet e biznesmenëve përcillen me kërkesa për përfitime materiale nga i rrëmbyeri përkatësisht nga familja e tij dhe në këtë rast nuk kishte asnjë kërkesë të tij. Në rastin në fjalë kishte të bëjë me një veprimtar kombëtar dhe nuk ka kërkesa përfitimesh materiale. Duke njohur mirë Remziun jam shumë i sigurt se ai e donte Shqipërinë shumë më shumë se Gazidede.

Si shpjegohet e dhëna se vetëm një ditë pas rrëmbimit të Remziut në Tiranë, në Ferizaj nga policia serbe u bastisën lokalet sindikale dhe të tjerat në të cilat punoi Remziu. U bastisën edhe shtëpitë e udhëheqësve sindikal dhe veprimtarëve kombëtar e që ishin miqtë më të mirë të Remziut.

Policia serbe mori dokumentacionin e gjetur. Është kjo koincidencë apo çfarë? Si e mohoni arrestimin e Remziut nga vartësit tuaj kur ai u prangos në ora 13:30 e në ora 14:45 prapë vartësit tuaj u rikthyen për ndonjë dokumentacion dhe për t’u treguar punëtorëve se Remziu po verifikohet në organe.

 

  1. Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë

 U gëzuam ne shokët dhe bashkëveprimtarët me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri si vendi ynë i shenjtë. Marrja e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të lira na gjeti së bashku me Remziun në Tiranë. Ishte gëzimi më i madh në jetën tonë që kishim jetuar dhe vepruar për këtë ditë u vizituam edhe juve dhe partinë Lëvizjen Demokratike edhe pse Remziu më thoshte se vizita pa një mbështetje të madhe financiare për këtë lëvizje është boshe. Mendonim që sa më demokratik dhe i konsoliduar të jetë shteti shqiptar aq më dobiprurëse do të ishte për pjesët tjera të ndara nga trungu ynë i përbashkët.

  1. Berisha, jam shumë i bindur se rastin e zhdukjes së veprimtarit Remzi Hoxha e keni të njohur. Jam informuar për përgjigjet që u keni dhënë figurave publike e politike nga ana tjetër e trojeve shqiptare se ju nuk keni njohuri për raste të tilla pasi në Shqipërinë që ju e udhëhiqnit pushteti është i ndarë dhe politika nuk përzihet në mekanizmat e sigurisë. Arsyetimi i tillë nuk qëndron fare apo është i njohur vetëm në teori. Mekanizmat e tillë të sigurisë janë leva në dorë të pushtetit e të politikës e veçanërisht për shtetet e Ballkanit kjo është bazike.
  1. Berisha kaluan ca vite të juaja në opozitë ( periudha e parë e juaja në këtë rol ) dhe ju keni fituar besoj një përvojë nga gabimet e qeverisjes së parë dhe shtetin shqiptar do ta shpini drejt konsolidimit në shtet të së drejtës, ku ligji dhe përgjegjësia para tij është fundamentale. Lufta e filluar kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj., nga ju më jepte shpresë për një mendim të tillë.

Shpresova që edhe për fatin e bashkëveprimtarit tonë tani më lehtë mund ta zbardhim, por shpejt u zhgënjeva. Z. Berisha, ju me rikthimin e Gazidedes dhe dhënies së një posti në qeverisje më demantuat dhe gradualisht tregoni se jeni po ai i vjetri. Në vend të qelisë ju e shpërbleni mikun tuaj dhe këtu vërehet qartë se pushtete të ndara nuk ka pas as atëherë e as sot.

Kam pritur se gjatë qëndrimit tuaj disa ditor në Kosovë do të ktheheshit në familjen e Remziut dhe të kërkoni falje për humbjen e birit të tyre. Kështu bëjnë liderët e përgjegjshëm. Nuk është ligësi të pranohet gabimi, e të ndëshkohen fajtorët. Dëshirojmë që e vërteta të nxirret vullnetshëm dhe Ju mund të kontribuoni për të. Sakrifikoni ca miq për të vërtetën dhe drejtësinë. Ne nuk dëshirojmë që gjer te ky akt të vijë detyrueshëm për shtetin shqiptar edhe pse durimit i ka ardhur fundi, u bënë 23 vjet. Z. Berisha, kaloni vetëm për pesë minuta në anën e familjarëve dhe dashamirëve dhe miqve të shumtë të Remziut, dhe sigurisht se do ta merrni vendimin meritor. Këtë veprim e keni borxh dhe me marrjen e tij nuk humbni asgjë personalisht.

Zoti Sali Berisha, sot nuk jeni në pushtet, por edhe nga kjo pozitë ju mund t’i bëni gjërat që nuk i bëtë gjërat sa ishe kryministër. Kryeministri i tashëm i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, duhet të japë mbështetje të fuqishme organeve të drejtësisë në Shqipëri, për të bërë veprimet  e duhura duke e sjellë në Tiranë akterin kryesor të këtij akti kriminal, Ilir Kumbaron.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …