Brickos

Remzi Hoxha

Bahri Bivolaku: Remzi Hoxha, kolos i lirisë, fisnikërisë dhe humanizmit I

Në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, kujtojmë veprimtarin kombëtar, Remzi Hoxha, që kontribuoi shumë në këtë proces

Zoti Sali Berisha, sot nuk jeni në pushtet, por edhe nga kjo pozitë ju mund t’i bëni gjërat që nuk i bëtë gjërat sa ishe kryministër. Kryeministri i tashëm i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, duhet të japë mbështetje të fuqishme organeve të drejtësisë në Shqipëri, për të bërë veprimet  e duhura duke e sjellë në Tiranë akterin kryesor të këtij akti kriminal, Ilir Kumbaron.

Një mendimtar pati thënë: “Kush nuk do të arsyetojë është fanatik e ëndrrimtar, kush nuk di të arsyetojë është budalla dhe kush nuk guxon të arsyetojë është skllav i të tjerëve”.

Gjykuar sipas kësaj thënie, nuk është e vështirë ta gjejmë veten se ku gjendemi në rastin e pazbardhur të veprimtarit kombëtar, veprimtarit sindikalist e humanistit të madh, Remzi Hoxha. Institucionet tona edhe pas 18 vjet lirie (e tillë si është-gjysmake) dhe pas dhjetë viteve shtet, nuk arritëm që të bëjmë diçka konkrete për fatin e Remziut. Shoqëria nuk përjashtohet fare nga kjo përgjgjësi. Zhdukja e tmerrshme e këtij veprimtari të madh nuk ka ndodhur në Serbi, apo nga pushteti serb në Kosovë në kohën e luftës. Ka ndodhur në mes të Tiranës, nga akterë të njohur që figurativisht përfaqësonion shtetin por që gjykuar sipas rastit konkret kryenin porosi nga shteti i Serbisë. Një gjë e kam të qartë, se Remziu ishte njeri shumë i përkushtuar për lirinë kombëtare. Duke e njohur mirë, e di që ai si një idealist i madh që ishte e donte Shqipërinë dhe kombin përgjithësisht shumë më shumë se sa ata që e arrestuan dhe e zhdukën. Remziu, atyre viteve, kishte kontakte, qoftë direkte apo përmes bashkëveprimtarëve me veprimtarët e ilegales, të cilët punonin për të krijuar kushte për lëvizjen e armatosur në Kosovë. Ai, veç tyre, kishte kontakte edhe me strukturat legale të politikës në Kosovë. Ai më së paku ishte një biznismen, siç emërohet shpesh. Biznismen ishte aq sa i duhej për të siguruar mjete në aktivitet e tij kombëtare. Në fakt kush ishte Remzi Hoxha?

 Remzi Hoxha sindikalist

Remziu rrjedh nga një familje bujare relativisht e pasur, tradicionale shqiptare shkupjane me shumë fëmijë. Përveç në Shkup ata zejen e artarit e ushtronin me mjaft sukses edhe në Ferizaj, Kaçanik, Prishtinë etj. Remziu përveç kësaj zeje e donte edhe shkollën dhe kreu studimet në Universitetin e Prishtinës drejtimin e elektroteknikës. Ai në Ferizaj ushtronte për kohë të gjatë veprimtarinë afariste, kishte dy dyqane në qendër të Ferizajt si dhe shtëpinë, po ashtu. Nga aspekti social kishte të gjitha kushtet për një jetë të qetë e të lumtur me gruan dhe fëmijët e tij.

Në vend të këtij komoditeti që e kishte nga afarizmi ai zgjodhi një rrugë tjetër për kohën, rrugën e sakrificës për lirinë kombëtare, si kusht elementar, pastaj për të ushtruar afarizëm kuptimplotë dhe të sigurt. Para angazhimit në sindikatë kishte kontakte me veprimtarë të lëvizjes ilegale dhe të burgosur politikë. Me LPRK-në, gjegjësisht veprimtarët e saj i ndihmonte pa masë.

Më 1989 ai edhe zyrtarisht aktivizohet në sindikatën e ekonomisë së vogël dhe të zejtarisë së Ferizajt në fillim e pastaj merr udhëheqjen e tërë degës sindikale në nivel të Kosovës. Angazhimin e tij këtë organizëm ai fare thjesht e arsyetonte: është vend ideal për të bërë rezistencën aktive për të shprehur humanizëm e solidaritet, si dhe përgatitje për ditë më të vështira, por që do t’i takojnë krenarisë kombëtare. Ai këtë rezistencë aktive e promovonte fillimisht në Ferizaj e pastaj edhe në qytete tjera si p.sh. mbajtja e qëndrimit për mos vendosjen e flamujve të Serbisë në objektet afariste private për festa e ndryshme, zakonisht serbe, si formë e rezistencës aktive kolektive.

Ngjashëm ishte edhe refuzimi për të vënë mbishkrimet cirilike në po ato objekte, përkundër qëndrimeve krejt të kundërta të politikës së atëhershme shqiptare në Kosovë. Gradualisht Remziu përveç degës sindikale mori në udhëheqje edhe Trupin Koordinues të sindikatave në Ferizaj dhe e shndërroi në qendër të vendosjes së rezistencës aktive politike. Ai gjatë gjithë veprimtarisë së tij jepte shembullin e vet.

Në kongresin e parë të BSPK-së të mbajtur në Gjakovë më 01.07.1990 ka qenë prezent si delegat i Kongresit dhe atë në shoqëri të Eva Brendli aktivisten ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ai aktivisten e shoqëroi edhe ditën e nesërme në Kuvendin e Kosovës gjatë shpalljes së Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Remzi Hoxha ishte një ndër organizatorët dhe nikoqirët e ardhjes së delegacionit të parë ndërkombëtar sindikal vizitë Kosovës te Don Salajman dhe Janez Kociancic nga konfederatat e sindikatave të lira me seli në Bruksel. Ai edhe u arrestua po për këtë aktivitet për herë të parë e pastaj s’kanë pasur të ndalur arrestimet e tija e sidomos thirrja në biseda informative. Ishte organizator i grevës së 3 shtatorit për Ferizaj si dhe protestës defiluese 1 orëshe qendrës së qytetit. Ishte ideatori dhe zbatuesi praktik i themelimit të sindikatave simotra në tërë hapësirën shqiptare si nevojë e veprimit drejt lirisë kombëtare.

Do të na duhen më vonë thoshte Remziu afaristët e gjithë trevës shqiptare. Ai në Shkup mbajti takime me krerët e lëvizjes sindikale të Shqipërisë.

Remzi Hoxha, veprimtar kombëtar

Remziu ishte ai i cili në çdo takim zyrtar apo edhe privat përdorte shprehjen pjesa e ndarë e kombit apo e territorit shqiptar. Atij i pengonin shprehje tjera gjeografike të fiksuara në kokat tona. Që nga fundi i vitit 1990 dhe fillimi i vitit 1991 filloi të shfaqë mendimet për organizimin e rezistencës së armatosur si formë të vetme për çlirim të trojeve shqiptare si dhe rolin e sindikatës së afaristëve privat e shihte me këtë qëllim parapërgatitor qoftë për sigurimin e mjeteve monetare për armatim apo edhe mbajtjen e logjistikës së një force ushtarake në trevat shqiptare të okupuara. Kjo ishte edhe arsyeja e krijimit të celulave sindikale në Shkup, Strugë, Kërçovë, Preshevë, Ulqin etj.

Remziu mbante kontakte edhe me shtetin shqiptar përmes vizitave ambasadave të Shqipërisë në Sofje e Beograd. I kam shumë të freskëta kujtimet nga bisedat në ato takime. Remziu gjatë aktivitetit të tij u kontaktua edhe me udhëheqësit e frontit për organizim ilegal të kohës. Me ta filloi të punojë apo u ndihmoi në krijimin e kushteve për blerjen e armatimit dhe mbështetjes tjetër për luftë. Disponojmë edhe faturat monetare të dhëna për këtë qëllim.

Sipas deklarimeve të tij ai mbante kontakte edhe me 2 nënkryetarët e qeverisë së z. Bukoshi. Në mënyrën e vet gjithsesi klandestine siguroi municion për gjetje të sasisë së armatimit tejet modern dhe të konsiderueshëm, por qe vetë blerjen e atij kontingjenti nuk mund ta përballonte edhe pse kishte shitur tërë pasurinë e tij personale. Ky fakt mund të ishte edhe qëllimi i kontakteve me nënkryetarë të qeverisë Bukoshi për sigurim të mjeteve financiare. Pas burgosjes një numër të veprimtarëve të frontit si dhe aktivitetit të tij gjithnjë reziston, dhe për ndjekje të vazhdueshme nga policia serbe detyrohet të braktisë Kosovën për të bërë jetë ilegale për rreth saj gjithnjë aktiv. Ai kishte mbështetje në veprimtarinë e tij kombëtare edhe nga vëllezërit e tij si dhe afaristët shkupjanë.

Zbardhjen e tërë aktiviteti ilegal të Remziut në asnjë formë unë në mënyrë vetanake nuk mund ta bëj, Remziu krijoi edhe një mekanizëm apo urë ku e vërteta për Kosovën si dhe dëshmitë për dhunën e vazhdueshme serbe të plasohen jashtë. Grumbullonte materiale faktike dhe përmes lidhjes së tij i dorëzonte kryetarit të komisionit për ankesa dhe parashtresa të kuvendit federativ Ismet Ramadani nga aty siç me thoshte Dërnovshek i plasonte jashtë vendit.

Në aktivitet të tilla shpeshherë kemi qenë edhe bashkë. Remziu gjithashtu kishte krijuar një lidhje me Vllado Kmabvaski, ish-ministër i drejtësisë dhe atij ia dorëzon tërë dokumentacionin e grumbulluar për shkeljet sistemore të drejtave të afaristëve nga ajo ministri me Remziun tërhoqëm edhe vendimet për legalizim të BSPK-se, LDK-se institutin ekonomik të Kosovës konkretisht drejtorin e saj dr. Musa Limanin e autorizon të hartojë një projekt të zhvillimit dhe integrimit ekonomik të hapësirës shqiptare pasi që mendonte se ky është një ndër kushtet esenciale për bashkësinë ndërkombëtare dhe si avanc pagoi një shumë të konsideruar para nga sindikata.

Remziun për herë të fundit e kam takuar në Tiranë, në kohën e marrjes së vendimit për aplikimin e zgjedhjeve të lira dhe fillim të jetës plurale e demokracisë si formë e qeverisjes në shtetin amë dhe qëndruam plot një javë bashkë së bashku edhe me dr. Hajrulla Gorani (kryetar i BSPK-së ) akademik Rexhep Qosjen, akademik Idriz Ajetin dhe shkrimtarin e publicistin Ramiz Kelmendi, në realizim të një ideje përmbajtjen e kuvendit për bashkim e pajtim kombëtar. Po të njëjtën kohë në Tiranë mbahej edhe kuvendi i sindikatave të lira shqiptare. Meqë Gorani ishte i zënë, na autorizoi ne të dy për të prezantuar dhe për të përshëndetur punimet e atij kuvendi, Remziu edhe bëri përshëndetje në emër të BSPK-së. Në pauzë të punimeve të këtij kuvendi na u afrua një aktivist drejtues sindikal, e nëse nuk gabohem, quhej Gëzim Kalaja. I shqetësuar na njoftoi për rolin e një përfaqësuesi gjoja të konfederatave të sindikatave të lira evropiane, i cili në fakt edhe udhëhoqi punimet e kuvendit dhe se kishte bërë shumë pastrime kuadrosh sindikale në emër të demokracisë dhe quhej Sasha Morina. Të njëjtin person e kishim takuar edhe me liderë opozitarë si dhe publicist të asaj kohe.

Kureshtja për të mësuar me shumë për misionin e Sashës na bëri që ne të takohemi me të për çdo dit të qëndrimit në Tiranë. Ai si gjithnjë vinte në takime me udhëheqësit sindikal shqiptar në të cilët kishte ndikim tejet të madh. Takimi i fundit për ne në këtë përbërje për pak sa të bëhej edhe fatal për jetën tonë. Ishim në tavernën e hotel “Tiranës” me trupin e sindikalistëve shqiptarë dhe Sashën mes tyre.

Sasha si gjithmonë në krye të vendit kryente emisionin e tij me plot sukses, dhe tentimi ynë për të penguar të gjithë nuk do të jepte kurrfarë rezultati. Atë natë “Sasha sindikalisti” kaloi krejt kufijtë e arsyes, si duket i ngazëllyer nga sukseset e tij në Shqipëri na u sul neve nga Kosova me gjithë far etiketash ofenduese. Qëndrimi ynë paraprak ishte që vetëm të heshtim dhe të dëgjojmë model ky i aplikuar qysh nga dita e parë e takimit.  Por, këtë natë me ne ishte për herë të parë një mik i imi i cili mundi të përballojë fyerjet e Sashës dhe animin e sindikalistëve shqiptarë si duket të manipuluar apo blerë. Reagimi erdhi pas deklarimit të Sashës (i cili vazhdimisht thoshte se flet në emër të sindikatave të lira të Evropës) kur u deklarua: “Ju kosovarët për të arriturat që keni bërë duhet t’ia lani këmbët Millosheviçit dhe t’ia pini ujin”. Këtë fyerje nuk e përballoi së pari miku im i ri i cili u ngrit dhe e shau Sashën, Milloshin dhe gjithë këta që po i dëgjojnë kopallat e tij. Për të qenë ironia më e madhe ne na u vërsulën në sulm fizik 7-8 udhëheqësit sindikal duke munduar të nxjerrin armë të ndryshme, por për fat tonin na shpëtoi një djalë i ri në tavolinën përballë që gjatë gjithë kohës kishte dëgjuar bisedën na doli në ndihmë në mënyrën e vet të përsosur dhe shpëtuam. Ne për gjithë këtë ngjarje dhe rolin e Sashës njoftuam prof. Goranin dhe normalisht Remziu lidhjet e veta që kishte.

Ne nga takimet me Sashën dhe sindikalistët shqiptarë kishim siguruar mjaft faktografi. Shumë më vonë kam dëgjuar pak për fatin e Sashës si dhe misionin e tij. Po i zbardhi këto gjëra tani si dhe të tjerat më pastaj duke shpresuar se mund të jenë motive të zhdukjes apo arrestimit të Remziut në Tiranë. Krejt në fund në ndarje me Remziun në Tiranë i thamë lehtë për ty tani je në vendin e shqipes të cilin e deshe shumë dhe je i lirë të veprosh po unë që po kthehem? Buzëqeshi dhe ma ktheu “kam ende ca probleme të vogla, por të pazgjidhura (në rrugën e tij të veprimtarisë kombëtare) dhe më duhet ta takoj Hidajet Beqirin gjithsesi si dhe disa probleme tjera më të mëdha që duhet zgjidh me Ramush Tahirin dhe Nikë Gjeloshin”. Nuk kam insistuar të di më shumë pasi e dija aktivitetin e tij, por unë vija në Kosovë dhe mundësitë e arrestimit ishin evidente. Remzi Hoxha financonte aktivitetet e veprimtarëve kombëtarë që njihte apo edhe dëgjonte të burgosurit politikë, familjet e tyre, por edhe ata që liroheshin dhe hynin në jetën e organizuar të veprimit kombëtar qoftë legal apo ilegal. Ai këtë aktivitet nuk e bënte të dukej dhe vazhdimisht gjente mënyra adekuate për të realizuar atë qëllim. Korrektësia dhe vetë qëllimi i asaj ndihme nuk më lë që të përmend ata.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …