leoni

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Bartësit e funksioneve publike e politike të rezervohen nga komentimi politik i punës së gjyqësorit e prokurorisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka ftuar bartësit e funksioneve publike dhe politike që të rezervohen plotësisht nga komentimi politik i punës së gjyqësorit dhe prokurorisë. “Drejtësia është garancia e shenjtë e të gjithëve, se askush nuk është mbi ligjin dhe ligji nuk i shërben as institucioneve ndaras, as pushtetit ndaras, dhe as qytetarëve ndaras, por është neutral dhe i barabartë për të gjithë edhe atëherë kur jemi fajtorë edhe atëherë kur na çliron nga barra e fajësisë. Ky është parimi themelor që duhet të na udhëheq të gjithëve drejt konsolidimit të drejtësisë në të cilën besojmë pa asnjë hezitim”, ka thënë Tahiri. Duke parë komentet dhe reagimet e shumta ditëve të fundit që ndërlidhen me punën e pavarur të organeve të pavarura të zbatimit të ligjit, ministri Tahiri rikujton se drejtësia është neutrale dhe e barabartë për të gjithë dhe se ajo ka standarde të mirëfillta veprimi, të cilat nuk mund të jenë pjesë e diskursit politik.

“Pa marrë parasysh se kush është subjekti apo pala në procedurë, janë organet e pavarura të zbatimit të ligjit ato që vendosin se kush ka rënë ndesh me ligjin e kush është i pafajshëm. Çdo presion ndaj institucioneve të drejtësisë, nga kushdo çoftë, është i papranueshëm”, ka theksuar Tahiri. Me këtë rast, ministri Tahiri, ka ftuar të gjithë bartësit e funksioneve publike dhe politike që ngjashëm siç bëjnë qytetarët e vendit, të rezervohen nga çdo komentim i punës së prokurorisë dhe gjykatave, dhe t’i besojnë atyre në administrimin e drejtë të drejtësisë, sepse sipas tij vetëm me respektimin e plotë të pavarësisë së tyre, mund të presin procese të besueshme dhe të aplikueshme drejtë dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetaret e vendit.

 

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …