leoni

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: Remzi Ademaj, me rastin e përvjetorit të rënies në altarin e lirisë

Remzi Ademaj u lind më 03.06.1952 në fshatin Zhur të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në Zhur, të mesmen në gjimnazin “J.R.Kica” në Prizren. Qysh në moshë të re është marrë me veprimtari të organizuar politike të cilin aktivitet patriotik nuk e ndali pastaj deri në vdekje.
Remzi Ademaj rrjedh nga një familje atdhetare, që brez pas brezi ndiqej nga armiq dhe pushtues të ndryshëm. Në kohën kur Hasan Prishtina me bashkëluftëtarët e vet e organizoi popullin e kësaj ane në kryengritje të armatosur kundër pushtuesit serb, të parët e familjes së Remzi Ademajt dallohen në atë kryengritje. Katragjyshi i tij, Asllan Rexhë Ademaj shquhet si bashkëpuntor i Hasan Prishtinës dhe organizator i luftës. Ky aktivitet politik e ushtarak që udhëhiqej nga Asllan Rexhë Ademaj, u bë halë në sy të regjimit shovinist serb, i cili me mizoritë e veta, bëri që populli i kësaj ane (fshatrat Zhur, Vermicë, Dobrushë, Shkozë e Morinë) t’i lëshojnë trojet e veta dhe të vendosen në brendi të fshatrave të Shqipërisë. Kjo ndodhi pasi që ushtria serbo – çetnike dërgoi forca të shumta për t’i shuar kryengritjet. Banorët e këtyre fshatrave qëndruaan plot tre muaj në Shqipëri, e pas kësaj kohe vjen lajmi se të gjithë ata që i kanë lëshuar trojet e veta mund të kthehen, pasi “Krali i ka amnistu dhe nuk do të ndiqet asnjëri”. Ditën kur u kthyen fshatarët në qendër të fshatit, soldateska serbe ndaloi popullin e Zhurit midis qendrës dhe një epror serb lexoi “komunikatën mbi amnestinë e Kralit”, ku thuhej se nuk do të ndiqet askush. Të nesërmen pasdite, në shtëpinë e Asllan Rexhë Ademajt vijnë dy gjandarë dhe e marrin Asllanin me vete. Asllani kurrë nuk u kthye më në shtëpi të vet, dhe familja e tij kurrë nuk e gjeti kufomën e tij, edhe pse këtë u munduan t’a mësojnë shumë herë.
Babëgjyshi i Remzi Ademajt, i biri i Asllan Rexhë Ademajt të cilin banorët e Zhurit dhe më gjerë e njihnin si Mulla Rexhepi, kishte autoritet të madh në tërë këtë anë. Komunistët u munduan që të përfitojnë dhe t’a bëjnë bashkëpunëtorë të tyre, por Mulla Rexhepi nuk u luhat për asnjë çast. Duke i dhënë prioritet në jetë kombëtarës, e jo ideologjisë. Meqë nuk u thye asnjëherë, pasuan torturat dhe vuajtjet e Mulla Rexhepit dhe familjes së tij. Tri herë përjashtohet (leqitet) nga fshati pa kurrëfarë arsye. Të birit të Mulla Rexhepit, Liman Ademajt dy herë i montohet procesi gjyqësor, ku dënohet me burg të rëndë.
Remziu duke e njohur historinë e familjes së tij dhe vuajtjet e popullit të tij, e vazhdoi rrugën drejt lirisë së kombit. Herët krijoi botëkuptimin mbi luftën e vazhdueshme çlirimtare, ku zhgjodhi edhe bashkëluftëtaret e bashkëmendimtarët e denjë drejtë kësaj rruge të shenjtë. Në fillim të vitit 1980 ra në kontakt me vëllezrit Jusuf e Bardhosh Gervalla dhe që nga ai çast lindi një miqësi e sinqertë mes tyre, e cila vazhdoi dhe u dëshmua në shumë punë e aksione konkrete drejt lirisë. Takimet mes tyre u shndërruan në takime organizative politike. Remziu përmes tyre u njoftua edhe me organizatën të cilës i takonin vëllëzrit Gërvalla, e ajo ishte Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera në Jugosllavi. Natyrisht pa asnjë hezitim edhe Remziu u antarsua në këtë organizatë. Me aktivitetin e vet të drejtëpërdrejtë në këtë organizatë, Remziu synonte drejt qëllimeve të veta, familjes dhe bashkëluftëtarëve, për çlirimin e popullit nga robëria serbo – çetnike. Takimet me vëllezrit Gërvalla bëheshin gjithnjë e më të shpeshta, e kjo bëri që ata të miqësoheshin si miq shtëpie. Aktiviteti i tyre politik, zhvillohej edhe përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me Kosovën, aktivitet ilegal, e që kjo u kurorëzua me organizimin e demonstratave të vitit 1981, të cilat u mbështetën dhe u përkrahën nga të gjithë shqiptarët kudo në botë. Pas këtyre demonstratave u organizuan edhe shumë demonstrata edhe në qytete të ndryshme të shteteve perëndimore.
Më 11.12.1985 Remziun e arrestoi policia italiane në qytetin Goricë, (zonë kufitare me ish – Jugoisllavinë, tani Republika e Sllovenisë). Me gjithë kundërshtimin e Remziut për të mos rënë në duart e gjakpirësve të UDB – së Jugosllave, policia italiane me forcë dhe duarlidhur e dorëzoi te pala jugosllave. Nga kufiri u dërgua në burgun e Nova Goricës në Slloveni, ku pas shumë torturave u përcoll deri në Prizren. Në Prizren u prit nga kryeudbashi Vesel Krasniqi, i cili i tha këto fjalë: “Ku je Remzi Ademaj, armiku më i kërkuar nga ne. Të kërkuam edhe në qiell, e ti na erdhe si qingji i pjekur në tepsi”! Për 6 muaj rresht vazhduan hetimet në burgun e Prizrenit duke e maltretuar dhe ekspozuar shumë torturave. Gjykimi u mbajt në Prizren me ç’rast u dënua 6 vjet. Pas kësaj u transferua në burgun e Lepogllavës, Gospiqit dhe Stara Gradishkës në Kroaci. Remziu në këto burgje u njohtua me mjaftë veprimtarë shqiptarë të cilët i vuanin dënimet që ua kishte caktuar UDB – ja jugosllave.
Pas daljes nga burgu, Remzi Ademaj vazhdoi veprimtarinë e tij në rrugën drejt lirisë dhe mposhtjes së armikut shekullor serbo – çetnik. Krahas saj punoi edhe në shoqatën “Nënë Tereza”, dega në Zhur, ku mes tjerash themeloi edhe ambulancën e kësaj shoqate. Po ashtu u angazhua aktivisht edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Në vitin 1995 si shumë shqiptarëve, të cilët çështjen e lirisë dhe pavarësisë e kishin në rend të parë, iu montua procesi gjyqësor për gjoja formimin e Ministrisë së Mbrojtjes për anën e Vërrinit. Ky proces i montuar u zbatua nga udbashi Zllatko Roksandiq, një kriminel serbo – çetnik i cili edhe gjatë borgosjes së parë gjatë hetimeve i tha Remziut: “Remzi Ademaj, gjatë tërë jetës do të jeshë i ndjekur, edhe kur ta vuan dënimin, grupi i parë kudo që të zbulohet, t’i do të kyqesh e do të dënohesh prap”. Dhe vërtet herën e dytë u dënua me 3.5 vite nga gjykata serbe edhe pse nuk pati kurrëfarë dëshmie konkrete.
Por as ky rast nuk e luati Remziun nga rruga e lirisë. Vuajti një pjesë të dënimit, pastaj u lirua që të mbrohej derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë.
Kur UÇK – ja e kishte filluar luftën në Kosovë, gjykata serbe ia vërtetoi dënimin Remziut dhe i bëri thirrje që të shkoj për t’a vuajtur atë. Më 02.06.1998 u largua nga shtëpia me pretekst për t’u strehuar në një vend më të sigurt, ngase vazhdimisht ndiqej nga policia serbe. Remziu në këtë kohë kaloi në Drenicë, aty ku Adem Jashari me luftëtarët e tij e kishte dhënë kushtrimin e lirisë. Remziu në Drenicë iu bashkangjitë luftës për çlirimin e kombit nga armiku shekullor dhe në këtë rrugë çlirimtare u ngjit në malet e Sharrit, në zonën e Vërrinit, ku edhe u bë komandant i lartë i UÇK – së në këtë zonë. Këtu nga bashkëluftëtarët e vet njihej me pseudonimin Petrit Kodra, dhe vërtet, si Petrit e çoi përpara idealin e vet dhe të shokëve të tij në realizimin e synimeve kombëtare. Këtu në këtë regjion, iu bashkangjiten shumë luftëtarë nga Vrrini, Prizreni dhe regjione tjera të Kosovës. Ai e dinte se populli liridashës i Kosovës është afër realizimit të lirisë. Në gusht të vitit 1998 u nis për mision në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK – së në Likovc. Gjatë kthimit ra në pritë në krye të detyrës në Grazhdanik afër Nashecit më 14 gusht. Fillimisht u varros me nderime të larta në fshatin Lybeqevë, për t’u rivarrosur pas çlirimit në varrezat e dëshmorëve në Landovisë. Rrugën e Remziut e vazhduan shokët e tij të pushkës deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga hordhitë çetnike serbe.
Lavdi jetës dhe veprës së heroit të kombit, Komandant Petritit – Remzi Ademajt.

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …