Bedri Halimi: Thekse nga intervistat e disa të burgosurve shqiptarë në masakrën e Dubravës, Bajrush Xhemajli

Mendoj që ka shumë kënd që duhet diskutuar për Dubravën. Një prej këndeve që unë parapëlqej të bisedoj është çështja e tragjiko-komike sepse ka pasur momente shumë tragjike por ka pasur edhe momente komike në atë tragjike. Ne e kemi shkruar një liber të quajtur “Masakra e Dubraves” nuk e di nëse ju ka renë në dorë?

Sa i përket çështjes së Dubravës ka qenë indikacion grumbullimi sepse ne të gjithë kemi qenë në burgje të ndryshme por na kanë grumbulluar në Dubravë, p.sh mua nga burgu i Sremit, nga burgu i Nishit të gjithë të burgosurit politik i kanë dërguar në Dubravë, në burgun e Sremit kemi qenë 40 të burgosur,  përafërsisht dhe na kanë dërguar në burgun e Nishit, që na kanë rrahur pa masë,  me mjete të ndryshme si p.sh. me hekura, drunjë dhe gjithçka kanë pasur në dorë, ndërsa mua me kanë rrahur 4 herë atë natë që kemi shkuar në burgun e Nishit. Na rrahnin aq sa që ide nuk keni, saqë nuk e dija a është trupi im apo jo, sepse nuk e ndjeja fare, dua të dalë të çështja e grumbullimit, pra grumbullimi është bërë me urdhrin ma të lartë shtetëror të Serbisë madje mund ta pyesni Ismetin ai e din. Mendoj që është mirë me marrë Ismet Mahmutin dhe të tregon shumë mirë si ka qenë ngjarja, siçë kishte ndodhur gjatë rrugës për në Dubravë që gardianet në autobusë u kishin thënë serbeve mos i prekni këta se prej Millosheviçit kemi urdhër me i dërguar në Dubravë. Pra ajo ka qenë një strategji që me i dërguar në Dubravë. Me i provokuar nga vete fakti që kur kalonin aeroplanët e NATO-s, ata fillonin t’i gjuanin. Ne ndjenim kënaqësi kur i dëgjonim duke gjuajtur sepse ata i bombardonin pastaj, por nuk e dinim që Serbët do të merrnin hak tek ne. Mendoj që bazën kryesore Serbët e kanë pasur në Dukagjin sepse aty ka pasur edhe UÇK. Te burgu e kanë pasur një makineri me një lloj antene  dhe NATO tenton pandërprerë të bombardonte atë makineri, por nuk mund ta qëllonte.

B.H: Ku ka qenë e vendosur ajo makineri?

Ka qenë e vendosur në burg te oxhaku i ngrohtores. Një herë aq shumë kanë tentuar ta qëllojnë atë makineri saqë u bë  terr. Nuk u shihte asgjë nga pluhuri, u bë një lloj muzgu, ndërkohë neve na jepnin nga pak bukë, na maltretonin na rrahin natën kënd dëshironin deri në ditën e 19 majit. Ka qenë shumë interesant, nuk e di sa ia vlenë  me potencuar ketë. Unë isha dalë duke shikuar disa të burgosur ordiner shqiptarë dhe me duket që kanë qenë nga ana e Prizrenit. Kemi qenë në burg bashkë, ata kishin dalë jashtë sepse ishin ordinerë dhe kositnin barin nëpër oborrin e burgut, unë po e ngrej dorën dhe po i përshëndes, policia më kishin vërejtur dhe vinë e na nxjerrin jashtë mua dhe dy të tjerë si unë dhe na pyetën me ke po folni ju. Me një fjalë na maltretonin dhe na renditen por në atë moment gjuan NATO jashtë burgut. Neve na thanë: “BEZHI BRE ……..” ngase ata e dinin çka ka ndodhur. NATO kishte bombarduar mu te drejtoria e burgut. Kështuqë ne shpëtuam, hymë brenda. E kemi pasur vetëm  një libër në gjuhë angleze ngase në Nish të gjitha na i kanë shqyer. Me të arrijtur në krevat fillova ta lexoj atë libër. Në atë moment u godit pavijoni “C”. Nga reflektimi i dritareve mendova që ka bombarduar pavijonin “B” dhe po ju them shokve me duket se NATO bombardoi pavijonin “B”, ata më thanë: “jo more”, ndërkohë serbët ishin fshehur në bunkerët e tyre. Në pavijon “B” ishin kapur të burgosurit në grila për t’i shkoqur nga vendi, po mendoja çka kanë këta që nuk po e dijnë çka i ka ndodhur kur një i burgosur po bërtet o baci “bal”(fjalën e kishin për Bajrushin) çka po pret hajde ndihmona, unë e thirra dhe po i them: “shiko bacit kujdesu për mendtë, ngase me ba me shpëtuar, e mos m’i pas mendtë ma mirë është mos me shpëtuar hiq” dhe shkuam në pavijonin “C”. I shkonte flakë, aty ishte vrarë Enver Topalli dhe dy të tjerë, janë vrarë dhe 14 të burgosur, e ata të burgosurit ordinerë, që gati u rraha për ata, që i kisha përshëndetur, me kazma i thyen grilat e burgut. Bombardimi vazhdonte dhe në atë moment erdhën gazetarë me kamera nga televizione të ndryshme. Erdhën mjekë po ashtu  mu duk sikur gjithçka është e përgatitur, duke na incizuar neve, të vrarët, të plagosurit, gjoja se shikoni çfarë ju beri NATO. Për fat të mirë të të plagosurve erdhën mjekët, ndërkohë gazetaret incizonin, pra me të vetmen arsye që ne po i ndihmojmë të plagosurit nga bombardimet e NATO-s. Pastaj na thanë mos provoni të ikni apo të afrohi të muri sepse të gjithëve do t’ju vrasim. Atë natë qëndruam brenda, u qetësua situata, të nesërmen dolëm hëngrëm bukë, të pasnesërmen kur kemi shkuar për mëngjes NATO bombardoi serish, u bë aty pluhur, saqë nuk shihej asgjë, askush nuk vinte të ndihmonte sepse gazetaret e incizuan atë që dëshiruan dhe askujt nuk i interesonte për neve. Ne i thyem dyert e ambulancës ngase na nevojiteshin gjerat për t’i mjekuar të plagosurit. Atë ditë kanë hyrë 10 persona, ishin njësia speciale dhe filluan të gjuanin me zolla, me automatik, revole, e gjithçka tjetër. Disa të burgosur që ishin futur në puseta, atyre ua lëshonin nga dy bomba  e gjera të tilla. Ka pasur mundësi që ndonjë të plagoset apo edhe të vritet. Të nesërmen në mëngjes ka filluar tragjedia e vërtetë, kur filluan pushkatimet, vrasjet. Gjuanin me çdo gjë që kishin dhe u vranë shumë,  po ashtu edhe u plagosen shumë. Pas asaj ngjarje menduan që kishin vrarë mjaft. Filluan të na numërojnë, sa kishim mbetur dhe i dëgjuam duke thënë që mjaft janë vrarë.

B.H: Pra, ata thanë që mjaft kanë vrarë?

Po ashtu është, mendoj që kanë qenë 150 të vrarë afër 300 të tjerë të plagosur, një e di kur hyri në derë dhe tha “Shqiptari vishe na Kosovu nema, samo vi ste ovde”.  Ka pasur nga të burgosur që kanë bërë vetëvrasje pasi nuk kanë mundur të durojnë ato vrasje dhe tortura. Ishte muzg si në romane të Kadaresë të plagosurit i dërguam në sallë të sportit, thash ta kërkoj Naitin, duke shkuar po i shoh 4 persona dhe po e pyes çka jeni duke bërë këtu, njëri me tha: “Mos më prek se po e fali xhenazen” dhe u drejtuam edhe ne për ta falur, pra ishin disa momente të rënda. Me tragjikja që unë kam përjetuar më së rëndi pas pushkatimit, kur vendosem për t’i dërguar te një pavijon të plagosurit dhe mungonte një i burgosur, Gafurr Luma, pyesnim ku është Gafurri, unë thash që e kam parë te kuzhina por përsëri më pyeten disa të burgosur tjerë, ku është? Unë u përgjigja njëjtë, përsëri më pyeti një tjetër, unë i thash: “te kuzhina” pak me nervozë, ai më tha: “sapo isha te kuzhina, Gafurri është i vdekur nga një plumb”. Unë e kam dashur shumë atë djalë dhe fillova të qaj aq shumë, sikur një fëmijë sepse isha mbushur duke parë të vrarë duke i bartur dhe kur me treguan për Gafurrin nuk munda më të duroj. Pas asaj situate vërtet u qetësova. Moment i rëndë ishte kur më humbi shpresa që do të jetojmë. Ne nuk iu dorëzoheshim derisa dikur u dorzuam. Na futën në sallën e sportit. U organizuam për vetëmbrojte, ata kuptuan që po organizojmë diçka, dhe ata kishin dërguar disa të burgosur ordinerë për të thënë që nëse nuk dorëzoheni, do të na vrasin neve, ne nuk donim të dorëzoheshim dhe pas dy tri thirrjeve që na bënë vendosem të mos dorzohemi. Avdi Mehemti nuk donte të dorëzohej edhe unë vendosa që mos të dal. Erdhën përsëri disa të burgosur për të thënë: “të dorëzohemi ngase do të na vrasin”. Filluan të dalin të burgosurit ngase nuk i kishim nën kontroll. Naiti doli duke thënë: “Rroftë pavarësia” e gjera të tilla për të dhënë moral të burgosurve, pra ky ishte çasti kur më humben shpresat dhe u dorëzuam. Kur dola jashtë pashë disa të burgosur serbë të mobilizuar, njëri nga ata na shajti serbisht që ju donit të bënit rezistencë. Një gardian tha që do t’ju dërgojmë në Nish, por në rrugën që do të shkonim ne, NATO ka bombarduar urën dhe tha: “Mos iu afroni mureve” dhe se nesër do të ju dërgojmë dikun tjetër, ndërkohë merrni rroba apo gjerat tjera. Gani Baliu e kishte pëlkyer këmben dhe shkuam për t’i marrë disa gjera.

B.H: Kur ju dërguan herën e parë në Dubravë, a keni parë diçka rreth burgut?

Rreth burgut ka pasur shumë ushtarë serbë. Faktikisht ata janë ushqyer aty sepse në kuzhinë ishin afër 100 lopë të preme, të freskëta në frigoriferë. Vetë fakti kur kalonte ndonjë aeroplan i NATO-s, ata gjuanin me kundër raketor, tregon që ka pasur forca të mëdha të serbeve.

B.H: Sa të burgosur kanë bërë vetëvrasje në Dubravë?

 

Dy të burgosur njëri quhet Rrahim dhe tjetrit nuk ia di emrin.

B.H: A ka pasur përpjeke për të ikur nga burgu?

Po, ka pasur shumë, Asllan Selimit i kam bërtitur shumë sepse ishim mbledhur dhe kuvendonim, varianti më i keq ishte të ikim nga burgu. Kur vinte Asllani bërtiste: “Ejani të ikim të gjithë nga burgu”. Kur ka ardhur herën e tretë duke thënë: ashtu jam ngritur dhe i kam bërtitur shumë dhe me kërkoi falje. Duke i treguar Enver Dugollit, me tregoi që ai kishte bërë plan me disa të tjerë me ikë nga burgu dhe tha që nuk do të ndodhë. Të gjithë ata që kanë ikur nga burgu menjëherë janë vrarë. Për Bislim Zogajn, them që nëse është një hero në Dubravë, është Bislimi, Nait Hasani i cili ishte i plagosur dhe nuk është ndalur. Isha unë me Hajredin Hysenin dhe vjen Haqif Ilazi dhe thotë: hajde se është plagosur Naiti. Ndoshta ke dëgjuar që thonë: “të nxë gjaku” dhe vërtet me dukej që po vrapoj, por në vend ishim ne realisht. Naitin ne e donim shumë. Kur shkuam Naiti ishte humbur i tëri, i plagosur në shpinë, Bislimi e kishte rrotulluar për t’ia lidhur plagën, madje deri në brinjë. Plaga kishte shkuar, ka qenë moment shumë i rëndë, e kam përjetuar shumë. Naiti kur na shikoi iu mbushen sytë me lot. U mërzitem shumë. E kemi marrë dhe e kemi futur në pusetë sepse mendonim që do të mbrohej nga bombardimet. Dua të dalë ku isha duke thënë: “bisedonim si të veprojmë”, thoshin që t’i dërgojmë të plagosurit në objektet që ka bombarduar NATO sepse mendonim që nuk do të bombardoi përsëri. Ne thamë që të shkojmë nga ambulanca deri të salla e sportit, tani tek pavijoni, por ishte rrezik nga snajperët në karakollë. Vendosem të shkojmë duke vrapuar, dikush shkoi me Dëfrim Rifajn deri te shkolla, një tjetër niset por merr thua dhe rrezohet dhe nuk mundet të ngrihet përsëri, gjithashtu edhe Shaban Çupi rrezohet. Kur shkuam të shikojmë pavijonin ishte një i plagosur aty që e kishte thyer këmben, ai quhej Rasim dhe e pyetem çfarë të bëjmë. Së bashku me Dëfrimin e dërguam në një shtrat. Aty kemi filluar t’i bartim të plagosurit, ndërkohë nga karakollet gjuanin me snajperë, ndërsa mua nuk më linin të barti ndonjë të plagosur. Madje Dëfrimi më pat thënë: “Po vdiqe ti, nuk ka kush me organizuar këtu”, realisht ashtu ishte sepse të gjithë ishin me të rinjë, pak përvoja në burgje, pra atë ditë kanë bartur gjithë ditën të plagosur.

B.H: Ju keni qenë në Dubravë me herët dhe kur jeni kthyer herën e dytë a ishin gardianët e njëjtë dhe drejtori?

Kryesisht ishin gardianët e njëjtë.

B.H: A dini për sjelljet e gardianëve dhe emrat e tyre.

Të them realisht unë isha 14 vjet në burg. Nuk më interesonte si quheshin, isha lodhur në burgje. Ishte Branko Komatina që e ka marrë Ukshin Hotin dhe e ka përcjellur deri te dera kryesore. Por ishte edhe një tjetër që nuk kishte ndryshuar nga të gjithë të tjerët, të tjerët ishin çartur krejt.

B.H: Çfarë ishte roli i të burgosurve serbë aty?

Ata të gjithë janë mobilizuar dhe kanë vrarë të burgosur shqiptarë.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: KURTI DUHET TANI TA DËRGOJË NË KUSHTETUESE DRAFTIN E ASOCIACIONIT!

Albin po se bëre këtë tani nuk hyjmë në Këshillin e Europës! Nëse nuk hyjmë …