Bedri Islami

Bedri Islami: Edi Rama nga Kurti e Haradinaj, te serbët dhe Ballkani i Hapur, mesazhet në Prishtinën e trazuar

Edhe sikur ta kishte ndërtuar vetë kohën e duhur për të bërë një vizitë zyrtare në Kosovë, ai, Edi Rama, nuk do të kishte mundur të gjente një më të përshtatshme. Duke e kapur fluturimthi ftesën e Albin Kurtit për të vizituar Prishtinën, ai nuk ngurroi, dhe, sapo dha mesazhin e tij politik nga Nju Jorku , për të drejtën e Kosovës të jetë aty, në Kombet e Bashkuara, pa ardhur ende në Tiranë, u ndal në aeroportin “Adem Jashari”.

Kosova është në një gjendje të pazakontë: reciprociteti në targat e makinave, gjëja më normale në botë dhe e zbatuar nga pala serbe, ka sjellë në dy anët e kufirit forca speciale, ku duket se shkrepja më e vogël mund të sjellë në ndezje të re lufte në Ballkan.

Albin Kurti i zënë me këtë gjendje, i futur në fushatë për zgjedhjet komunale, me hallet e pandemisë dhe problemet e mbledhura mbi tryezën e tij, nuk kishte as kohën e as dëshirën të hape një front tjetër, që, edhe pse në dukje shumë shpejt i zgjidhshëm, mund të ishte më i gjatë në kohë se sa hallet e tjera.

Edi Rama e njeh krejt mirë skenën politike të Kosovës. Mik me njerëzit e politikës që nuk janë më në skenë, për më tepër mbështetës i hapur i tyre, ai ka pasur kujdesin të ketë njohjen e duhur edhe për të tjerët, të dijë prirjet dhe huqet e tyre, të gjejë kohën e ngacmimit për të hequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër ose ta afrojë këtë gjendje; mik i Thaçit dhe i PDK-së, ai ka hapur mendimin edhe për njerëzit e LDK-së, kur i është dashur, ashtu si i ka mbyllur ato, kur nuk i është dashur.

I pakompleksuar nga ajo që ka ndodhur një të djeshme, në raportet me politikën në Kosovë ai mendon më shumë për të nesërmen. Akullnaja mes tij dhe Ramush Haradinajt, për të cilën mendohej se do të ishte një aisberg i pakthyeshëm, ai e dinte se do të ishte e shkuara, duke njohur karakterin e Haradinajt.

Sidoqoftë ai bëri kujdes të përcillte disa mesazhe në Kosovë.

  1. Rama e di se zenithi i popullaritetit të tij në Kosovë ka rënë ndjeshëm dhe ishte e mundur që të vazhdonte të binte. Loja me Ballkanin e Hapur dhe zigzaget në politikën ballkanike, turri me të cilin mori përsipër gjëra jashtë formatit të tij, për më tepër jashtë çdo mendësie ballkanike, përballja me Albin Kurtin, që si ai është njeriu i politikës që ndjek karizmën, sidomos me ndjekësit e tij, të shumtë, të radhitur mirë pas shefit dhe përgjithësisht të rinj, e kanë ulur jo pak emrin e shefit të qeverisë së shtetit shqiptar.

Edi Rama nuk është më njeriu i duhur dhe i pritur si mesia pas fjalës së tij të njohur në Beograd. Ndaj, rreptë, prerë dhe qartë, duke vënë pikën në fjalën e tij, ai u shfaq përkrahës pa ekuivok i qeverisë së Prishtinës. Mbi ndasitë dhe hidhërimet apo konspiracionet, Edi Rama, me entuziazëm, vendosi çështjen kombëtare.

E bëri se ky është mendimi i tij apo se kështu i duhej në një moment të tillë, kjo bën pjesë në lëvizjet politike të Edi Ramës, që, shpesh herë është shfaqur nacionalist i dorës së parë, e, po kaq shpesh, edhe si kozmopolit i shkallës sipërore.

Sidoqoftë gjetja e tij ishte e duhura, përcaktimi i tij preu rrugën e shumë klisheve të tjera në mediat që ishin përgatitur për të zënë keq shefin e qeverisë shqiptare dhe, edhe kur pyetjet ishin të drejtpërdrejta, të lidhura me akuzat e mediave prishtinase apo të opozitës, për lidhjet e tij me Vuçiç, ai gjeti mënyrën për të përmendur vëllain e tij të madh, duke hedhur lojën e fjalëve te vëllai i vogël.

Qëndrimi i Ramës ishte i duhuri. I vetmi që duhej të mbahej dhe këtë ai e di më mirë se të gjithë.

  1. Edi Rama e hapi spektrin e vizitës së tij. Ai nuk mendoi se mund të ishte thjeshtë një vizitë kortezie, ashtu si mund të ishte ftuar. E ktheu nga një takim gjysëm zyrtar në një vizitë të nivelit të lartë, ku kishte me vete gjysëm e ministrave, të cilët, më shumë se sa ai foli me Kurtin, biseduan me njëri tjetrin.

Ministrat e Ramës, ashtu si ato të Kurtit, gjetën më shpejt gjuhën e përbashkët. Një qeveri kundërshtare si ishte ajo e shtetit shqiptar në 25 prill e më tej, jo rastësisht u bë e pranuar dhe bashkëpunuese. Nëse hobeja e fatit do të kishte rënë mbi kokën e Ramës, çka edhe ishte menduar se mund të ndodhte, ai bëri kujdes ta shpërndajë mbi shumë “ kokë” të tjera, këtë herë ministrash.

Vizita e Ramës u bë qeveritare edhe më shumë nga sa ishte menduar, ajo eklipsoi “bëmat” e padëshiruara apo diferencat që mund të kishin ndodhur.

Kurti bëri kujdes ta përmendte këtë, ndoshta edhe atij i duhej një gjetje e tillë, kur, për më tepër, e ka ditur se Rama nuk do të ishte fillikat në Kosovë.

  1. Rama e di fare mirë se njeriu që ishte dikur ndër më të afërtit e tij në Kosovë, Kurti – ky, duhet pranuar, pas Thaçit, nuk është kafshatë që kapërdihet lehtësisht dhe, po ashtu si ai, kërkon përmasat e liderit. Të dy njerëz të lexuar, por të ardhur nga shkolla e përvoja të ndryshme, ishte menduar se do të përplaseshin një ditë.

Përplasjen e bëri  Kurti, pasi e kishte ditur se kjo do të ndodhte nga Rama, dhe, animi i tij drejt Berishës dhe Metës ishte pranimi i faktit se tani për tani jemi në kahe të ndryshme.

Rama nuk mund të bëjë më ekskursione në Kosovë. Ai e evitoi përplasjen e tanishme, duke mos qenë pjesë e debatit politik, por edhe duke e shpërndarë vëmendjen e tij te të gjithë.

Por ishte në kohën e duhur edhe për Kurtin, i cili ka para vetes problemet e mëdha me shtetin serb dhe , ndoshta shpejt, edhe disa ngastra problemesh me bashkësinë ndërkombëtare, dhe , pikërisht tani, i duhet edhe mbështetja e shtetit shqiptar.

Në Kosovë janë edhe zgjedhjet vendore. Është sprova e parë e Kurtit pas fitores në zgjedhjet parlamentare. Ai e di fare mirë se do e ketë të vështirë të ruajë kuotat e larta të arritura disa muaj më parë.

Kurti nuk kishte ngazëllim dhe as nuk e trajtoi vizitën e Ramës si fitore. E trajtoi si diçka të zakonshme dhe u kujdes që mjeshtërisht ta përcillte këtë përmes rrjeteve sociale. Rama nuk ekzistoi tek Kurti, Kurti mbushi faqet e Ramës. Pranimi i vizitës së mision apo kthesë e rëndësishme do të bënte që militantët e Kurtit të mos kishin më një armik të jashtëm për të zhvilluar një betejë të brendshme.

  1. Rama nuk hoqi dorë, as në Kosovë, nga Ballkani i Hapur, megjithë atë çka po ndodh në kufirin e Kosovës me Serbinë. Nguli këmbë në idenë e tij, megjithëse e di se ngjarjet e ditëve të fundit janë fillimi i mbylljes së dyerve për Ballkanin e Hapur. Me gjeneralët fantazmë , edhe ai e di, nuk mund të ketë lëvizje të lirë, tolerancë e mirëkuptim.

Por nuk hoqi dorë as nga rreshtimi i tij në krah të Kosovës. Gjysma e tij ishte aty, duke ruajtur , krahas gjuhës së nacionalistit edhe tonin e politikanit të dialogut.

Ai bëri kujdes që të theksonte disa herë se Kosova është në të drejtën e saj, se BE po gabon me Kosovën, se gjeneralët e mundur nuk mund të ringrihen, ama zgjidhja është përmes dialogut. Shqiptaromadhi Rama u shfaq edhe si evropiani Edi, apo, si i tha një studente, ikonë e modës.

  1. Edi Rama ishte edhe te Haradinaj. Me asnjë lider tjetër të Kosovës nuk ka pasur kaq shumë përplasje. E kanë akuzuar njëri tjetrin për shumë çka dhe nuk janë marrë vesh vetëm për shumë pak. Haradinaj ka qenë më i drejtpërdrejtë në akuzat ndaj tij, Rama ka qenë institucional në qëndrimin e mbajtur, duke iu drejtuar gjyqit dhe duke u tërhequr prej tij.

Ata u takuan. Nuk ishte ngjarje, por kishte në vete thelbin e ngjarjes së ardhshme. Takimi me Haradinaj largoi mllefin, por ishte mesazh edhe për opozitën tiranase, sidomos për presidencën. Ai për kaq ishte në Kosovë. Shkoi, foli, u dëgjua, u hesht, u takua dhe erdhi.  (Botuar në DITA)

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …