leoni

Bedri TAHIRI: PLAGËT E GJENERALIT, MENSUR KASUMI, DËSHMI TË LUFTËRAVE ÇLIRIMTARE I

Bedri TAHIRI: PLAGËT E GJENERALIT, MENSUR KASUMI, DËSHMI TË LUFTËRAVE ÇLIRIMTARE I

(Kuvendime e rikujtime me gjeneral Mensur Kasumin, më 16 mars 2021, në restorantin “Kristal”, buzë Ibrit në Mitrovicë, ku ishte i pranishëm edhe ish nxënësi im, Ramadan Bozhlani) 

 

Fillimi

Djaloshi sypishë i Çukasit (ish Skoqnës), Mensur Kasumi (1966), pasi mbaroi mësimet e fillores dhe Akademinë e Rendit Publik dhe Vetëmbrojtjes Shoqërore në Vushtrri, ia mësyu Akademisë Ushtarake në Sarajevë, për ta përvetësuar mirë e mirë artin luftarak, sepse e dinte se vendi i tij kishte nevojë për zanat të tillë për tu liruar njëherë e përgjithmonë nga prangat e robërisë shekullore.

Dhe, paskëtaj ndoqi Yllin e tij jetësor, duke zbatuar në praktikë ato që i kishte mësuar në teoritë e doktrinave luftarake. Mori pjesë kudo që kërciste pushka çlirimtare, si një misionar i shenjtë, duke marr pjesë nëpër luftërat e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës e për të kulmuar në atdheun e tij të gjymtuar, në Kosovën dardane. Si shenjë kujtime e dëshmi kohe, në shtat mban katër plagë të rënda e me pasoja shëndetësore…

Me një fjalë, çështjes kombëtare e atdheut i dha shumë, edhe pjesë të trupit, e nga Ai nuk mori asgjë! Rast i rrallë, mbase unikat e i papërsëritshëm! Vullnetar që nuk kërkon shpërblime, kënaqet me Lirinë e shumëpritur për popullin e vet të përvuajtur! Edhe për të folur, është i kursyer, flet pak. Sidomos për vete nuk flet fare! Modest i pashoq. Rrahagjoksinë sikur ua ka lënë të tjerëve. Shpirti i tij human është i brumosur me atdhedashuri, me sinqeritet, me urtësi, me dinjitet, me dituri prej eruditi e me një mbamendje brilante të jashtëzakonshme.

 

 

 

Meqë, ka kohë që nëpër duar e kam  monografinë kushtuar heronjve Fehmi e Xhevë Lladrofci (“TË PANDARË EDHE NË PËRJETËSI”), një ditë (më 16 mars 2021) pata kënaqësinë që nga ky mendjendritur të shënoj momente e dromca jetësore nga veprimtaria e tij luftarake, me theks të veçantë për bashkëluftëtarin e tij, të madhin e të pavdekshmin Fehmi Lladrovci…

 

Në Kroaci…

 

Nisja e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, që nisi në krye të saj, në Slloveni (aty lufta zgjati fare pak, vetëm 18 ditë), trokiti në zemrat e të gjithëve, veçan tek ata që ndjeheshin të robëruar nga serbosllavia. Konkretisht, në zemrat e shqiptarëve! Kjo u ndje më shumë tek oficerët shqiptarë që shërbenin në APJ. Ata dezertuan dhe u degdisën gjithandej ku mund të depërtonin e të gjenin strehim. Kështu i ngjau edhe oficerit të ri, Mensur Kasumit, fill pas gjysmë viti që kishte dalë në detyrë…

…Po, ashtu është vërtet,- pohon ai, për të vazhduar. Ishte fundviti 1990. Shpërbërja e Federatës Jugosllave veç po niste. Ne e pamë se si po rridhte puna dhe dezertuam. Unë, meqë edhe e kisha pasaportën kroate, kalova në Zvicër. Diku gjashtë muaj punova në një agjension udhëtimesh…

      Aso kohe, në Zvicër, nisën të mbahen disa tubime me pjesëtarët e disa organizatave politike që vepronin atje.  Në to u tha se dikush nga oficerët shqiptarë duhet të shkojë në Kroaci dhe t’i tubojë shqiptarët që kishin arritur të dezertonin nga ish-APJ-ja dhe t’i tubojë në një kazermë. Duke e kuptuar rëndësinë e atij misioni, unë u paraqita vullnetar dhe vetëm disa ditë pasi që e mora mbi vete këtë obligim, arrita në Zagreb ku ia fillova punës menjëherë.

Tashmë Fehmi Lladrovci ishte liruar nga burgu dhe shtëpia e tij dykatëshe (me qira) në rrugën “Radiqev” nr. 11u shndërrua në Shtab! Ai, qysh në burg, bashkë me Adem Demaçin dhe veprimtarë të tjerë shqiptarë, kishin planifikuar formimin e një ushtrie shqiptare. Kështu, pa humbur kohë, u organizuam rreth tij dhe vepruam hiç pa u ndalur. Krah të fortë e kishte bashkëshorten e bashkëveprimtaren, Xhevë Krasniqin-Lladrovcin. Pos tjerash, nga duart e saj jemi ushqyer të gjithë ne që vepronim atypari!

         Në marrëveshje me përgjegjësit e Ushtrisë Kroate, ne e bëmë kazermën tonë në qytetin e Gospiqit, bashkë me shumë kolegë të mi të tjerë, ndër të cilët do t’i përmendja: Naim Malokun, Fadil Demirin, Fehmi Lladrovcin, Xhafer Jasharin, Nevxhet Hazirin dhe eprorë të tjerë. Kështu, shumë shpejt arritëm të krijojmë një ushtri të njëmendtë shqiptare prej treqind pjesëtarësh vullnetarë, të cilët merrnin pjesë aktive në luftë (ata që nuk donin të rrinin, pas stërvitjeve, ua rregullonim pasaportat kroate dilnin në Perëndim).

Komandant i të gjitha forcave shqiptare në Kroaci ishte Gjeneral Tomë Berisha, kurse komandant i Brigadës sonë, që ndryshe quhej “Garda Kombëtare”, gjegjësisht “Brigada Shqiptare” ishte kolonel  Tomor Buza. Fehmi Lladrovci ishte komisar i Brigadës.

Në fakt, fillimisht u krijua Njësia e Veçantë për Ndërhyrje të Shpejtë, e cila kishte nevojë urgjente që tu nënshtrohej përgatitjeve fizike e taktike dhe për ketë arsye u vendos që të qëndrojmë në Akademinë Policore të Zagrebit, me seli në Dubravë. Drejtuesit dhe përgjegjësitë e kësaj Njësie, ishin Naim Maloku, Fehmi Lladrofci, Xhafer Jashari, Fadil Demiri, në mesin e të cilëve pata fatin të jem dhe Unë.

Gjatë stërvitjeve disa javore, pata nderin dhe privilegjin t’i njohë shumë figura fisnike të popullit tim, të cilët disa vite me vonë, do të jenë edhe bashkëluftëtarët e mi, në vendit tim. Mirëpo, një moment i veçantë për të gjithë ne ishte, se në mesin tonë u paraqit një djalosh i cili erdhi për të mbajtur ligjërata dhe stërvitje ushtarake. Që në ditët e para të leksioneve të tij u zbulua talenti dhe zhdërvjelltësia e një strateg, pa e ditur se ky djalosh do ta krijoj gjatë viteve në vijim, një histori të paharrueshme në të dy vende dhe për dy popujt. Ky ishte Bekim Berisha, të cilit, si me shaka ia vura nofkën ABEJA, e cila e përcolli deri në rënien e tij heroike. Bekimi, si një çun i përgatitur profesionalisht tej mase, bëri që me aftësitë e tija prej Legjionari, ta stërvit dhe aftësojë njësitin tonë si, të ishim vërtet “specijalca”.

-Roli i Abesë, fillimisht në luftën e Kroacisë, ishte dhe do mbetet në analet e historisë si i pa përsëritshëm. Nga njohuritë e mia si ushtarak, mendoj se nuk njeh doktrina ushtarake dhe as që është mësuar ndokund ajo strategji e përdorur në luftë, e cila është aplikuar nga Bekim Berisha. Ai ishte Ajnshtajni i strategjisë luftarake. Ai ishte Gjeniu luftarak i këtij shekulli. Strategjia luftarake e përdorur nga ana e Bekimit, ka bërë që të ndryshoj doktrina ushtarake e Akademive të shumta në regjion. E them me përgjegjësinë më të madhe morale se Abeja ishte dhe mbetet luftëtari më trim e më i spikatur kundër falangave serbo-çetnike në historinë e këtyre Luftërave Ballkanike.

Pas betejave në Kroaci, Bekim Berishën e takova edhe tri herë: Më 1995 e pata mysafir një javë në shtëpinë time në Jabllanicë, mes Konjicës e Mostarit, më 1998 në Shqipëri (priste të futej për së dyti në Kosovë me shumë luftëtarë) dhe së fundi, po atë vit, në ZOSH, në betejën e Bellaqefcit e Hadës (prania e të cilit zmbrapsi armikun). Më nuk e takova për të gjallë…Pata privilegjin ta kem mik, shok dhe bashkëluftëtar në tri luftëra: në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë!

 

* * *

Me të përfunduar stërvitjet në Dubravë, me urdhër të Shtabit Qendror, në krye me Gjeneralin Tomë Berisha, ne morëm rrugën me autobusë (15 autobusë) për në Gospiq, në Regjionin e Likës, me ç’rast numri i Njësisë sonë numëronte mbi 400 pjesëtarë, tani më stërvitur mirë.

Pra, siç po shihet, ne, qysh në vitin 1991, me vetëdije, ishim ushtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo, fatkeqësisht, pas tetë muajsh ndodhi më e keqja kur erdhi urdhri që Brigada jonë të shpërndahej. Kjo ndodhi për shkak të asaj se, kur disa politikanë në Kosovë, dëgjuan se në Kroaci po përgatitej një brigadë ushtarake, e cila do ta hapte luftën edhe në Kosovë, menjëherë u dërguan disa aktivistë, të cilët shkuan me qëllim që ta shpërndajnë Brigadën shqiptare në Kroaci.

-Kjo ishte e çuditshme, thotë Mensur Kasumi, ngase për tetë muaj rresht, Garda Shqiptare ka zhvilluar beteja në rrethinën e Kninit. Ne kemi qenë të përqendruar në Gospiq, që do të thotë se kemi operuar në këto zona të Likës dhe të Dalmacisë. Betejat më të ashpra i kemi zhvilluar në vendin e quajtur Ornica, në Liçki Osijek, në Petrovac, si dhe lokalitetet tjera jo larg Kninit.

Një aksion të rreptë luftarak e kemi zhvilluar në betejën e Liçki Osijkut, ku edhe e kemi arritur ta marrim këtë lokalitet nga serbët. Me atë rast i kemi vrarë shumë  çetnikë dhe e kemi shkatërruar fabrikën e granatahedhësve 82 mm. Aty edhe Brigada jonë pati humbje: nëntë të plagosur dhe dy të vrarë: ushtarët Samet Bogujevci dhe Fadil Salihu nga Gjilani (janë varrosur në Zagreb, në Varrezat e Dëshmorëve, e më vonë janë rivarrosur në Kosovë).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …