Behlul Jashari

Behlul Jashari: Para 18 viteve, në 21 shkurt 2002, ishte mbyllur gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja

Para 18 viteve, në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua dhunshëm, kundrligjshëm e padrejtësish nga shtepia e saj-Pallati me emrin e saj dhe detyrimisht u mbyll nga administrata e UNMIK-ut. Gjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë. Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin në pronën e uzurpuar – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj, bazuar në ligje, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës kanë bërë kërkesat e tyre edhe për kompensim për dëbimin kolektiv padrejtësisht nga puna.   Gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare, nisi të dalë para 75 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Duke mos u ndalur, duke dalë gazetë e rezistëncës edhe me emrin “Bujku”, edhe kur e ndaloi regjimi okupues i Beogradit në 7 Korrik 1990, duke dalë me numra të jashtëzakonshëm edhe pasi e dëboi e mbylli UNMIK-u, gazeta tradicionale Rilindja u bë  edhe histori e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja pas dëbimit doli me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues të kohëpakohshëm, të cilët i ka përmbyllur në 30 Dhjetor 2008 me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: 23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohej në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018.

Por, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka bërë pagesën për shpronësimin, nga e cila punëtorët e gazetës Rilindja do realizionin të drejtën e ligjëshme për 20% e vlerës së hapësirave ku punonin në Pallatin tani ndërtesë qeveritare, Dhe, çka është më e rëndësishmja,   ende nuk u bë zgjidhje për statusin e ri dhe nuk ridoli gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ishte institucinale me status të ndërmarrjes shoqërore.

Një zhvillim i  ri dhe i shumë mirëpritur është se në këtë muaj Shkurti 2020 të 75 vjetorit të numrit të parë të gazetës tradicionale e historike Rilindja për zgjidhjet që kërkohen e priten Qeveria e re e Kosovës ka shprehur interesim dhe për këtë ka komunikime me Kabinetin e Kryeministrit.

Kërkesa për zgjidhje, për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga UNMIK – Misioni  i OKB  në Kosovën e pas luftës së përfunduar në Qershorin  e vitit 1999.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Në këtë ditë të 18 vjetorit të uzurpimit të Pallatit të Rilindjes nga UNMIK-u, në fund të këtij shkrimi protestë sjellim kryeartikullin dhe një letër që kam shkruar në 19 e 20 Shkurt 2002 e botuar në numrin e fundit të përditshëm të gazetës Rilindja në ditën e mbylljes-dëbimit, 21 Shkurt 2002:

ZBATOHET VENDIMI I UNMIK-ut PËR LARGIM NGA PALLATI I RILINDJES

GAZETA “RILINDJA” DETYRIMISHT NDËRPRET BOTIMIN DERISA T’I SIGUROHET LOKALI I RI I PUNËS

Gazeta “Rilindja” detyrimisht ndërpret botimin, përkohësisht, pasi prej sot fillon zbatimi i vendimit të UNMIK-ut për largimin e saj nga Pallati i Rilindjes, ku është paralajmëruar vendosja e disa ministrive të Qeverisë së Kosovës. Ndërprerja, duke filluar prej nesër, do të zgjasë derisa “Rilindjes”, që largohet nga Pallati i saj, t’i sigurohet lokali i ri i përshtatshëm për punë të redaksisë. Administratori i UNMIK-ut për Pallatin e Rilindjes, përmes asistentes së tij, na njoftoi dje në mëngjes se energjia elektrike në Pallatin e Rilindjes do të ndërpritet sot në orën 16. Si pasojë, pas kësaj ndërprerje të energjisë elektrike do të ndërpritet edhe puna e Radio-Rilindjes.

Lidhur me këtë situatë NIB “Rilindja” iu ka drejtuar me një letër zyrtare Kuvendit të Kosovës, kryetarit akademik Nexhat Daci, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetarit dr. Ibrahim Rugova, Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarit Hashim Thaçi, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetarit Ramush Haradinaj.

 Në letër thuhet:

Ju njoftojmë se detyrimisht do të ndërpritet, dhashtë Zoti vetëm përkohësisht, botimi i gazetës më të vjetër, tradicionale, të Kosovës, “Rilindja”, për shkak të ekzekutimit të vendimit të UNMIK-ut për largim nga lokalet tona në Pallatin e Rilindjes, pa na u siguruar lokal tjetër i gatshëm për të vazhduar punën normalisht dhe pa ndërprerje.

Në Pallatin e Rilindjes, të premten e kaluar është ndërprerë uji, ndërsa administratori i UNMIK-ut për Pallatin, z. Simon Burges, na ka paralajmëruar se këtë të premte, më 22 shkurt, (më vonë na u tha këtë të enjte) në orën 16, do të ndërpritet edhe energjia elektrike. Administratori i Pallatit na ka thënë se ne duhet të kalojmë në aneksin e Pallatit, atje ku është Shtypshkronja, por ato lokale janë tejet të shkatërruara, madje kulmi nuk e mban shiun, prandaj për t’i riparuar e bërë ambiente normale për punë, duhen investime të mëdha, qindra mijëra euro.

Ne nuk e kemi mundësinë që t’i sigurojmë mjetet për këto investime, por edhe jemi të bindur se, edhe duke u mbështetur në të drejtën për pronën, është obligim moral e material i atyre që na i marrin lokalet tona në Pallatin e Rilindjes të na sigurojnë lokale të tjera, që do të jenë po ashtu të gatshme të vazhdojmë punën normalisht.

Për ne në “Rilindje” ishte e paimagjinueshme që në këto rrethana të reja, në Kosovën e lirë, të mbesim pa lokale pune, e të jemi të detyruar ta ndërprejmë botimin e gazetës, që mu në këtë muaj festoi 57-vjetorin. Madje, të përkujtojmë, edhe në kushte shumë të rënda të luftës e të paraluftës e kemi nxjerrë këtë gazetë, edhe si gjysmëilegale e me emër tjetër (“Bujku”), atëherë kur regjimi i Milosheviqit e ndaloi me dhunë “Rilindjen”, në atë kohë gazetën e vetme të përditshme shqiptare në Kosovë.

Për “Rilindjen”, institucionin shumë të rëndësishëm që për gati gjashtë dekada është simbol i qenies shqiptare dhe i Kosovës, që të mbijetohet, është e domosdoshme mbështetja institucionale, morale e materiale. Krahas institucioneve të Koso vës, besojmë se do të kemi edhe mirëkuptimin e mbështjetjen e autoriteteve ndërkombëtare, të cilat bënë dhe po bëjnë aq shumë për Kosovën.

Para se të përfundojmë, të shtojmë edhe këtë: Ne në “Rilindje” i gëzohemi shumë ngritjes së institucioneve të Kosovës dhe përshëndesim vendosjen e ministrive në Pallat, pa asnjë fije kundërshtimi, edhe pse për momentin po mbesim keq.

Dhe, më në fund, ju përcjellim vullnetin e shprehur të punëtorëve të “Rilindjes”, që kjo gazetë të jetë e afërt me institucionet e reja të Kosovës, si dhe kërkesën që çështja e “Rilindjes” të shtrohet në Kuvendin e Kosovës.

Një letër tjetër “Rilindja” i ka dërguar edhe autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe zyrave diplomatike në Prishtinë.

AUTORITETEVE NDËRKOMBËTARE NË KOSOVË DHE ZYRAVE DIPLOMATIKE NË PRISHTINË

Shumë të nderuar,

Ju njoftojmë se detyrimisht do të ndërpritet, dhashtë Zoti vetëm përkohësisht, botimi i gazetës më të vjetër, tradicionale, të Kosovës, “Rilindja”, për shkak të ekzekutimit të vendimit të UNMIK-ut për largim nga lokalet tona në Pallatin e Rilindjes ende pa na siguruar lokal tjetër për të vazhduar punën.

Besojmë se do të kemi mirëkuptimin e interesimin Tuaj për angazhimet që “Rilindja” të ketë mbështetje institucionale, morale e materiale, që pas largimit nga lokali i saj t’i sigurohet lokal tjetër pune, i përshtatshëm për redaksi gazete.

“Rilindja” më 12 shkurt të këtij viti festoi 57-vjetorin dhe shpresojmë se do të presë edhe shumë përvjetorë të tjerë.

(RILINDJA, 21 SHKURT 2002)

Kontrolloni gjithashtu

Sllavko Simiq zbulon bisedat dhe marrëveshjet e Mimoza Kusarit me Millan Radojçiqin në vitin 2022

Ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka sjellë në qendër të vëmendjes rikthimin e diskutimeve …