Zahir Qerim Pajaziti (1.11.1962 - 31.1.1997)

Beqir Elshani: NË U VRAFSHA, MA MERRNI HAKUN!

Më 31 janar 1997 dëshmori i kombit dhe i Pavarësisë së Kosovës, Zahir Pajaziti, së bashku me Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun, u vra nga forcat e shumta fashiste të Serbisë Pushtuese. Në kohën e veprimtarisë luftarake të Zahir Pajazitit, Prishtina ishte kryeqytet i Luftës për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe bashkim të natyrshëm me Shqipërinë tonë. Ky ishte ideali i Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij, siç thotë fjala e urtë “Trimi i mirë me shokë shumë”. Për opinionin evropian dhe botëror Prishtina nuk është vetëm kryeqendër administrative e Kosovës, por kryeqytet i demonstratave dhe i luftërave të përgjakshme kundër kolonizatorit serbosllav. Derisa shtetet evropiane kishin hequr dorë nga kolonizimi i vendeve të huaja në botë, përkundrazi diplomacia evropiane dhe ndërkombëtare pushtuesit sllavo-grek vazhduan t’i përkëdhelin për vazhdimin e kolonizimit të trojeve shqiptare. Këtë e dinte çdo luftëtar që betohej mbi Flamurin Kombëtar Shqiptar, dhe në mesin e tyre ishte heroi Zahir Pajaziti.
Zahiri, i lindur më 1 nëntor 1960 në Turanë, ku edhe kreu shkollën fillore, në vitin 1976/77 bën hapin e parë drejt revoltës kombëtare kundër pushtetit të egër jugosllav që e shtypte popullin shqiptar, ndaj organet pushtetit e përjashtojnë nga Shkolla e Policisë në Vushtrri. Retorika e djaloshit trim ishte se ai nuk pranoi të vishte uniformën e kamxhikut kundër popullit shqiptar dhe kundër atdheut të tij, sepse ishte bir i popullit shqiptar. Kështu Zahiri po brumosej me idetë revolucionare drejt çlirimit të Kosovës me toka të copëtuara. Ai kishte parë sesi Besianën me Preshevën po i ndante kufiri i vizatuar nga qarqet shoviniste të Jugosllavisë. Xhelatët Tito-Rankoviq, Kosovën e shkëputur nga trungu i Shqipërisë Natyrore e copëtuan në drejtim të Serbisë, të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Këtë golgotë shoviniste do ta kuptojnë të gjithë trimat shqiptarë, që do të përfshihen në Demonstratën e Madhe për Kosovën Republikë në vitin e mirënjohur 1981. Prandaj Zahiri i brumosur me idenë e çlirimit dhe bashkimit kombëtar, ia kishte kthyer shpinën shkollës policore me ushqim të shijshëm, me rroba të bukura, me dhomën luksoze, me veprimtari të pasura dhe me privilegjet pararendëse në shërbim të politikës kundërshqiptare.
Pas kryerjes së gjimnazit në Besianë në vitin 1981, Zahiri regjistrohet në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze pranë Fakultetit Filologjik në Prishtinë. Sipas urtisë latine se në luftë heshtin muzat, e përfshiu edhe studentin kryengritës, në mënyrë që t’i përvishet luftës drejt çlirimit të Kosovës. Zahiri me suksesin shembullor, që dikur kishte braktisur shkollën e parë të mesme në Vushtrri, arriti që për hallet e mëdha kombëtare të ndërpres edhe studimet në Universitetin e Prishtinës. Ai e dinte se Universiteti pret, por Liria e Atdheut nuk pret, sepse në kohë lufte mali i dendur është shtëpia më e sigurt e partizanëve që luftojnë për çlirimin e atdheut nga hordhitë pushtuese. Prandaj në vend se të dëgjonte leksionet e universitetit, u mor me shpërndarjen e letërsisë revolucionare dhe trakteve për çlirimin e Kosovës, ai ishte atdhetar i flaktë për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e cila qysh në vitin 1913 ishte shkëputur me darët e fuqishme të Konferencës së Londrës.
Si çdo atdhetar, edhe Zahir Pajaziti donte të çmallej për të parë Shqipërinë, mirëpo nuk kishte pasaportë, sepse nuk ishte i lirë, ngjashëm siç ishin të lirë sllavët, që lodronin ku të donin, por edhe që nuk ndëshkoheshin kur bënin zullume. Ky trim, që më shumë se shumë donte ribashkimin e Shqipërisë Etnike, iu afrua lumit Buna, që dhunshëm ndan dy qytete antike shqiptare Ulqinin me Shkodrën, dhe e kaloi duke notuar në thellësinë e lumit. Kështu veproi, sepse armiku malazias qëllonte çdo kokë shqiptare, që shkonte për tu takuar me vëllezërit dhe motrat shqiptare matanë lumit dhe matanë bjeshkës. Pas vizitës vëllazërore në Shqipëri Zahiri ishte kthyer në vendlindje. Dihet që udba sllavofashiste e kishte torturuar me metoda çnjerëzore, sepse djaloshi sypatrembur as nuk zbulonte plane konspirative shqiptare, as nuk i nënshtrohej premtimeve të bukura serbosllave. Ashtu siç e presin studentin e ri shkallët e universitetit, po e priste viti i Demonstratave për Kosovën Republikë në vitin 1981: O me hatër, o me luftë, me që pasuria më e madhe e njeriut është jeta që i falet atdheut. Porosia luftarake e Zahirit të përkujton Themistoklin, i cili para se të fillonte betejën, ushtarëve të tij u thoshte: “Sapo të nisë sulmi, më ndiqni nga pas, në u tërheqsha, më vrisni, në u vrafsha, ma merrni hakun”. Së bashku me bashkëluftëtarët për çlirimin e Kosovës: Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitija, Fahri Fazliu, Fadil Vata, gjithë trimat shqiptarë, që kanë lënë gjurmë për lirinë e Kosovës, ka lënë edhe dëshmori Zahir Pajaziti, prandaj vatra e Kodrës së Prishtinës mori emrin e gjithë trimave anembanë Kosovës – “Kodra e Trimave”. Kudo që demonstroi Zahiri për Kosovën Republikë dhe për largimin e kolonizatorit serb, që me ndihmën e tankeve po vriste lirinë e popullit shqiptar.
Zahir Pajazititi ngutej, prandaj për shkak se në Shtabin e njësisë Guerile nuk kishte aksione, kishte shkuar për stërvitje ushtarake me të gjitha llojet e armeve në Shqipëri, atje ku Armata Shqiptare ishte shumë e profesionalizuar për mbrojtjen e atdheut nga bishat serbomaqedonomalazeze. Këtue ka vendin të përmendet kureshtja luftarake e Zahir Pajazitit, i cili në stërvitjet ushtarake u takua me komandantin e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Prandaj në kohën kur ish-Jugosllavia po shkapërderdhej prej veriut në krye me Slloveninë dhe me Kroacinë, rekrutët trima të Kosovës po kaliteshin në radhën e vëllezërve të shumtë shqiptarë në Shqipëri. Pajazitin, Ademin, Edmondin dhe shumë trima të tjerë po i mundonte heshtja afatgjate e doktrinës pacifiste. Durimi apo rezistenca pasive pa afat nën pushtimin serbofashist la pasoja të paparashikuara në të gjitha trojet e pushtuara shqiptare, pasojat e së cilës po i ndejmë edhe sot. Këtu e ka vendin qortimi i Shekspirit, i cili thotë: “Durimi është mallkim i fisit tonë”. Prandaj ushtarët e ardhshëm të UÇK-së duhej armatosur për çlirimin e Kosovës dhe shpëtimin e popullit nga torturat shtazarake të Serbisë Fashiste. Një gjë dihet, Serbia Kosovën e kishte marrë me anën e Konferencave Diplomatike, prandaj kolonizatori serb nuk mund të hiqej ndryshe nga Kosova, pos me grykën e pushkës. Kështu deklaroi edhe Qëndresa Shqiptare, Adem Demaçi, se barbarinë serbe nuk e ndalin vendimet e Konferencave Evropiane dhe të OKB-së pa e ndalur me një ushtri të organizuar shqiptare për mbrojtjen e popullit shqiptar, që po shkonte drejt zhdukjes. Serbia nuk i ka shndërruar manastiret shqiptaro-katolike për qëllime fetare, përkundrazi i ka shndërruar për qëllime kolonizuese të trojeve iliro-shqiptare.
Ashtu si Heroina e Popullit Shqiptar, Qerime-Shote Galica, të cilën e ndiqte shovinizmi serb dhe regjimi kundërpopullor i Ahmet Zogut, ngjashëm veproi edhe regjimi i Sali Berishës ndaj Zahir Pajazitit të kalitur dhe të armatosur për çlirimin e Kosovës, të cilin e arrestoi duke kaluar kufirin e dhunshëm që ndante Tokën Shqiptare. Si përforcim i kësaj vlen të përmendet se Ahmet Zogu, përndryshe mik i vjetër i Musolinit, pas Luftës së Dytë Botërore, bëhet mik i Josip Broz Titos, (paçka pse ishte komunist); dmth. sipas formulës matematikor bëhet dy herë armik i Shqipërisë! Pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti emërohet Komandant i Operativës pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Detyrën ushtarake e zbatoi me disiplinë të lartë ushtarake, në të gjitha vendet strategjike të Kosovës, atje ku e kërkonte nevoja. Kreu shumë aksione guerile me armë zjarri, duke vrarë kriminelët serbë, që qarkullonin me automobilat e tyre krahas tankeve dhe helikopterëve të shumtë policorë, si dhe stacionet e policisë, duke i ngritur në ajër. Këto ishin shenjat e para të luftës heroike për çlirim përfundimtar nga Serbia kolonialiste.
Aksionet e shpeshta të guerilasve shqiptarë me direktivat e UÇK-së po shtoheshin, ndaj kolaboracionistët e Kosovës kërkuan intervenimin Interpolit për kapjen e “irredentistëve” shqiptarë. Formula e pushtuesit serb ishte shumë e qartë, qiraxhinjtë në Barakën e LDK-së nuk bënin rezistencë për LIRI, prandaj Beogradi nuk i trazonte. Ishte një strategji e Serbisë Fashiste në krye me xhelatin Millosheviq, me anën e së cilës donte të digjte fshatrat, të vriste dhe ndiqte popullin shqiptar, dhe në fund të bënte dialog me krundet pacifiste të Kosovës. Këtë e argumenton edhe Zoran Stijoviç, ish shef i analitikës së sigurimit të shtetit në Kosovë brenda UDB-së, se si përmes Mehmet Krajës dhe njerëz të tjerë kanë ardhur tek listat e UÇK-së. Të gjitha këto i dinte strategu i luftës për çlirimin e Kosovës, ndaj kurrë nuk u ndalë me sulmet kundër pushtuesit më të urryer në botë, që shkrumbon çdo bimë mbi tokë. Zahiri ishte në lidhje me bashkëluftëtarët trima në të gjitha anët e Kosovës: me Ilir Konushevcin, Luan Haradinajn, Adrian Krasniqin, Mujë Krasniqin, Adem Jasharin dhe shumë të tjerë. Kështu më 31 Janar 1997 në Pestovë të Vushtrrisë, tre pjesëtarët e njësive ushtarake të UÇK-së: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në luftën ballë për ballë me forcat e shumta policore të Serbisë Fashiste dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË TRIMAVE PËR LIRI!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …