Besim Xhelili: SHKA "17 Shkurti" nga Badeni i Austrisë shënoi 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Besim Xhelili: SHKA “17 Shkurti” nga Badeni i Austrisë shënoi 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Jo më kot thuhet se Atdheu është aty ku gjuha ruhet e shkruhet dhe ku malli për vendlindjen të djeg zemrën, por vlerat dhe organizimet e ndryshme kulturore, artistike e letrare të bashkatdhetarëve, shtypin sadopak në brendi këtë siklet shpirtëror dhe të sjellin ndjenjën e vatanit aq afër, aq para syve…! Dhe SHKA “17 Shkurti” nga qyteti Baden i Austrisë, tashmë e disa vjet radhazi dhe tradicionalisht për festat kombëtare për 28 Nëntorin dhe 17 Shkurtin, me programe të begatshme e të larmishme ushqen shpirtin e mërgimtarëve në Austri dhe shuan etjen për Mëmëdheun.

Është për t’u çmuar dhe lavdëruar puna e mundimshme shumëvjeçare e shoqatave shqiptare në Austri. Në veçanti ato shoqata që kanë organizime me fëmijët, filizat dhe ardhmërinë e kombit, meritojnë përkrahje, mbështetje dhe fjalë të zgjedhura. Një e tillë është padyshim SHKA “17 Shkurti” nga qyteti Baden në Austri, e cila sivjet, me rastin e manifestimeve për nder të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me një bagazh me peshë kulturore e atdhetare, duke tubuar në program fëmijët e shumtë entuziastë mërgimtarë, krenarë me prejardhjen e prindërve të tyre, të veshur me kostume të shumëllojshme kombëtare, me thyerjen e duarve në formë të shqiponjës dykrenare, shfaqi para mëse njëmijë bashkatdhetarëve në sallë një koncert festiv madhështor. Programin e begatuan me pjesëmarrjen e tyre shoqatat simotra të ardhura nga vise të ndryshme të Austrisë si ajo “Dardania” nga Knittelfeldi dhe “Iliria” nga Vöcklamarkti, si dhe mësuesi Ibrahim Hasanaj me një grup nxënësish që recituan disa vjersha.

Programin e hapi moderatorja e zellshme dhe e zgjuar profesionalisht Kaltrina Durmishi, e cila me mjeshtëri në të dy gjuhët, atë shqipe dhe atë gjermane e udhëhoqi programin. Ajo ftoi përfaqësuesit e komunës që të bënin një fotografi të përbashkët me anëtarët e shoqatës. Më pas me një fjalë rasti u paraqit kryetari i SHKA “17 Shkurt”, atdhetari dhe veprimtari i palodhur z. Tahir Turkaj. Ai falënderoi të gjithë ata që kontribuan në përpilimin dhe realizimin e këtij programi dhe sponsorët, pa të cilët ky aktivitet nuk do të kishte ndonjë sukses. Në vazhdim mori fjalën kryetari i qytetit Baden z. Stefan Szirucsek, i cili mes tjerash tha se pak më parë teksa u fotografua në mesin e fëmijëve ishte ndier tepër mirë dhe i lumtur kur u intonuan të dy himnet. “Është shumë me rëndësi që fëmijët ndjehen shqiptarë dhe njëkohësisht austriakë, që kanë dy atdhe dhe që rriten me dy gjuhë. Kjo është një vlerë e diversitetit dhe pasurisë shoqërore austriake”, u shpreh ai më tutje. Fjalë rasti dha edhe znj. Carmen Jetler Cincelli, deputete e parlamentit austriak, e cila sapo ishte kthyer nga Prishtina, ku kishte marrë pjesë me një grup pune në manifestimet e atjeshme për 10-vjetorin e pavarësisë. Dr. Helga Krismer, mike shumvjeçare e shqiptarëve dhe shoqatës, u shpreh pak me rigoroze në fjalimin e saj, duke kritikuar zv.kryeministrin e ri austriak për orientimet e tij jo në përputhje me linjën e Austrisë sa i përket qasjes ndaj Kosovës. Ai para ca kohe kishte dhënë një intervistë për një gazetë serbe, duke thënë ato pallavra të vjetra kinse Kosova qenka Serbi. Këtë gjë tashmë e ka kundërshtuar zyrtarisht Ministrja e Punëve të Jashtme të Austrisë, duke thënë se Austria nuk ka lëvizur qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Nga komuna e qytetit të pranishëm ishin edhe z. Peter Ramberger dhe z. Christian Stiasny.

Me praninë e tyre dhe me një fjalë përshëndetëse e nderuan këtë manifestim z. Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri dhe znj. Dhurata Selimi, Këshilltare e Ambasadës së Kosovës në Austri. Të pranishëm ishin dhe shkrimtari shqiptar në Vjenë Besim Xhelili, veprimtari Ajet Shira, Valdet Deralla Gjinali, mbesa e Mehmet Pashë Derallës, Ministrit të Parë të Mbrojtjes në qeverinë e Ismail Qemalit etj.

Programi vazhdoi me recitime, këngë e disa valle, prej të cilave disa ishin përgatitur nga koreografja Diellëza Turkaj. Për udhëheqjen artistike u përkujdes Agron Nuredini, kurse shoqërimin instrumental e realizuan Hamdi Hyseni, Dj Xheni dhe Arben Bunjaku. Në fund u shpërndanë mirënjohje për mbështetësit e aktiviteteve të shoqatës, për të vazhduar me një atmosferë të lirë kremtuese me këngë e valle, nën shoqërimin e këngëtarit Xhafer Ahmetaj. Nuk munguan as gatimet e shumta tradicionale shqiptare, të cilat me një çmim të volitshëm iu ofruan të pranishmëve. Evenimentin e përcolli Radiotelevizioni i Kosovës.

Mbetemi me shpresën që aktivitetet e tilla mos të ndalen, por përkundrazi të shtohen dhe të përkrahen sa më shumë nga vizitorët. Edhe bashkëpunimi mes shoqatave shqiptare në Austri e më gjerë është një nyje e rëndësishme dhe urë lidhëse kulturore. Të bashkuar e jo të përçarë jemi më të fortë e të pathyeshëm. Urime Kosovë dekadën e parë të mëvetësisë. Qofsh e bekuar, ndonëse e ekspozuar kah dhëmbët e ujqërve! Rroftë populli dhe flamuri shqiptar.

Vjenë, 24 shkurt 2018

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …