Bilall Sherifi : Dy verdiktet e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e djeshme kanë dhënë dy verdikte: një verdikt verbal (përmes diskutimeve) dhe një formal (përmes votës së tyre).

Gjatë diskutimeve në seancën djeshme të gjithë deputetët njëzëri thanë PO drejtësisë, i thanë po parimit universal të drejtësisë.

Ata përmes fjalëve të mbajtura në kuvend kërkuan ndriçimin e të gjitha krimeve që janë kryer në territorin e Kosovës, përmes kësaj ata bënë as më pak dhe as më shumë se sa që do të bënte çdo deputet i secilit vend dmokratik në botë.

 Duke i thënë PO ndriçimit të të gjitha krimeve që janë kryer në territorin e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, dëshmuan se drejtësia qëndron në themelet e këtij shteti. Dëshmuan se nuk kërkojnë të marrin në mbrojtje nga drejtësia askënd.

 

Por, nuk pranuan që të harrojnë dhe t’i lënë të pa ndëshkuara krimet që janë bërë kundër popullit të cilin ata e përfaqësojnë.

Ky ishte mesazhi të cilin ata e përcollën gjatë diskutimeve në seancën e djeshme të Kuvendit.

Ndërsa, përmes votës formale, ata i thanë JO drejtësisë selektive, sepse të votosh për një model të tillë siç ish paraparë në këto amendamente do të thoshte të votosh pikërisht kundër parimit universal të drejtësisë.

 Vota ndryshe përpos JO do të ishte hipokrizi e pashembullt, sepse me apo pa qëllim Kuvendi i Kosovës do të hiqte dorë së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat.

Kështu dhe vetëm kështu duhet të lexohet ajo që ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës.

Kushdo që e lexon dhe e interpreton ndryshe ose është naiv ose ka qëllim të keq.

Tendenca që vota JO të interpretohet si antiamerikane dhe anti evropiane është jo vetëm e paqëndrueshme por tendencioze dhe dashakeqëse.

Tani është koha që aktorët e skenës politike, qoftë pozitë apo opozitë, të fillojnë bisedimet për një konsensus i cili do të ndërtohej mbi domosdoshmërinë e ndriçimit të të gjitha krimeve që janë kryer në territorin e Kosovës.

Modalitetet se si do të ndërtoheshin mekanizmat për këtë çështje gjithashtu duhet të kërkohen në kuadër të Kushtetutës.

 

Pasi të arrihet qëndrimi i përbashkët të fillohet dialogu me aktorët ndërkombëtar të involvuar në këtë çështje. Vetëm në këtë mënyrë mund të dalim më të fuqishëm si shoqëri dhe si shtet.

 

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …