Brahim Tefik Ademi (28.8.1973 - 29.7.2001)

Brahim Tefik Ademi (28.8.1973 – 29.7.2001)

Njëri ndër idealistët militantë të popullit shqiptar të Kosovës, të cilët nuk mund të pajtoheshin me gjeografinë e copëzuar e të ndarë me kufij, të lirisë së atdheut, është edhe dëshmori Brahim Ademi. Që ditën kur kishte ngjeshur armën e lirisë, duke u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte nisur në luftë për t’i bashkuar copat e ndara të kësaj gjeografie. Me këtë ideal në zemër, ky dëshmor, një herë ishte betuar: të luftonte deri në frymën e fundit për bërjen e Shqipërisë etnike. Dhe, këtë betim e mbajti. Shqipëria etnike nuk arriti të bëhej, por në muret e saj, ai u bë gur i paluajtshëm.
Brahim Ademi ka lindur më 28 gusht të vitit 1973, në fshatin Koshare të rrethit të Ferizajt. Në fshatin e lindjes e ka kryer shkollimin fillor. Shkollën e Mesme Teknike e ka mbaruar në Ferizaj. Për shkak të rrethanave ekonomike dhe të afërsisë së këtij qyteti, aty kreu edhe studimet, në Shkollën e Lartë Teknike, drejtimi i prodhimtarisë.
Dëshmori Brahim Ademi i përket brezit të të rinjve shqiptarë, të rritur në atmosferën e një fushate të egër antishqiptare, të zbatuar nga pushtuesi serb, sidomos pas vitit 1981. Kjo fushatë, njëkohësisht po përgatiste varrmihësit e robërisë serbe, luftëtarët e ardhshëm të lirisë, duke mbjellë tek ata, jo vetëm urrejtjen e tmerrshme kundër pushtuesit, por edhe ndjenjën e sakrificës e të vendosmërisë për vepra heroike. Këto ndjenja kishte krijuar shtypja serbe edhe te dëshmori Brahim Ademi. Prandaj, qysh si 16-vjeçar, në vjeshtë të vitit 1989, ai mori pjesë në protestat e organizuara në mbarë Kosovën, në përkrahje të kërkesave të atëhershme të minatorëve të “Trepçës”. Pas vitit 1992, Brahimi u detyrua të ketë kujdes të vazhdueshëm, pasi disa herë ishte kërkuar në shtëpi nga policia serbe, me qëllim të dërgimit në armatën e atëhershme jugosllave. Gjatë kësaj kohe nuk qëndruan të qetë as prindërit e Brahimit, Tefiku e Sela, si dhe as vëllezërit, Bahriu e Lumi. Mirëpo, kësaj gjendje i dha fund dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Te kjo ushtri, Brahimi nuk sheh shpëtimtaren mistike, por forcën reale rreth së cilës duhej ngjeshur radhët. Prandaj, pa hezituar kishte shfaqur gatishmërinë për t’u bërë pjesëtar i saj. Pas parapërgatitjeve të nevojshme dhe pas disa kontakteve me njësitë e UÇK-së, në pikat ushtarake të Zborcit e të Pjetërshticës, në rrethinën e Shtimes, më 23 korrik të vitit 1998, merr rrugën e lavdishme të ushtarit të lirisë, për në pikën ushtarake të Budakovës në nënzonën e atëhershme ushtarake të Pashtrikut. Në këtë rrugë e kishte përcjellë i ati, Tefiku.
Meqenëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës po shtrihej e po masivizohej me shpejtësi, dëshmori Brahim Ademi, sapo ishte radhitur në radhët e saj, së bashku me shumë bashkëluftëtarë shkoi në shtetin amë, për të sjellë nga atje armatim për nevojat e luftës. Kthimi i tij në Kosovë në kohën e paraparë, u pezullua edhe për disa ditë, për shkak të rrethanave të reja të luftës të krijuara në zonën e Dukagjinit, pas luftimeve të rrepta në Junik, në të cilat kishte rënë luftëtari me nam, Bekim Berisha-Abeja, në fillim të gushtit të vitit 1998. Nëpër këtë zonë duhej të kalonin çlirimtarët me armatimin e tyre. Megjithatë, armiku nuk mund t’i kontrollonte të gjitha shtigjet për në Kosovë dhe disa ditë më vonë, Brahimi arriti në vijën e tij të frontit. Këtë rrugëtim ai e bëri me shumë shokë të armës, ndër të cilët ishin edhe dy bashkëfshatarët e tij, Besim Fazliu, (Televizori) dhe Enver Metushi, me pseudonimin Kaçusha. Shok të pandashëm të armës, kishte edhe ushtarin Faton Sadriu, i quajtur Japani, nga Talinovci i Ferizajt. Brahimi, vetë quhej me emrin e luftës, TT-ja (Teteja).
Gjatë muajve gusht e shtator të vitit 1998, dëshmori Brahim Ademi merr pjesë në sulmet e shumta mbi forcat pushtuese serbe, sikurse edhe në shumë aksione kundër mësymjeve të këtyre forcave nëj fshatrat Budakovë, Rancë, Topillë, Mullapolc, Petrovë etj. Një qëndresë heroike bëri edhe në luftimet e betejës, e quajtur si Beteja e Jezercit, më 28 shtator të atij viti, ku në fushën e nderit ranë disa bashkëluftëtarë të tij. Në këtë periudhë ai ishte pjesëtar i batalionit ushtarak, që vepronte nënzonën operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas ristrukturimit ushtarak të formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brahimi dhe bashkëluftëtarët e tij ngrenë pikat ushtarake në relacionin Shtime-Dremjak-Slivovë, nga të cilat mundësohej kontrollimi i rrugës automobilistike Shtime-Ferizaj. Në këtë kohë TT-ja kishte edhe rol komandues në Brigadën 161 të UÇK-së, e cila ishte formuar në këtë kohë e që pas rënies së komandantit të saj, Ahmet Kaçiku, mori këtë emër. Kjo brigadë u bë tmerr për armikun deri në fund të fushatës bombarduese të NATO-s kundër forcave serbe. Ajo sulmoi këto forca në shumë vende të Zonës Operative të Neredimes të UÇK-së, duke ua pamundësuar depërtimin në pikat strategjike të kësaj zone. Në të gjitha luftimet, në sulm e në mbrojtje, dëshmori Brahim Ademi ishte shembull i trimërisë e i heroizmit atdhetar.
Pas përfundimit të luftës çlirimtare në Kosovë, Brahimi kishte parandjenjë të fortë se rruga e lirisë kombëtare për pjesën e robëruar të kombit ishte ende e gjatë. Prandaj, nuk e hoqi uniformën ushtarake. Ai vazhdoi jetën ushtarake si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në transformimin e saj në Trupa të Mbrojtjes të Kosovës, në vjeshtë të vitit 1999, për të vazhduar jetën nën uniformë edhe si pjesëtar i këtyre trupave. Deri në gjysmën e vitit 2001, shërbeu në kuadrin e Brigadës 361 të TMK-së, në kazermën “Epopeja e Jezercit” në Ferizaj. Ndërkohë, kishte përcjellë me interesim luftën që UÇPMB-ja zhvilloi në trevën e Preshevës, si dhe atë që Ushtria Çlirimtare Kombëtare po zhvillonte në trojet etnike shqiptare nën pushtetin maqedon. Ai nuk mund të qëndronte i qetë para pamjeve të tmerrshme të bombardimit mbi vendbanimet shqiptare në Maqedoni, nga forcat ushtarake të këtij shteti, si dhe para detyrimit kombëtar për t’i dalë në ndihmë kësaj pjese të popullsisë shqiptare. Rënia për lirinë e Kosovës e të riut nga rrethina e Tetovës, Mujdin Aliu, si dhe inkuadrimi i shumë bashkëluftëtarëve të tij nga trojet shqiptare nën Maqedoni, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte dëshmia e dhënë më parë se liria e përbashkët do të mund të arrihej vetëm me forca të përbashkëta dhe se atdheu do të ndiente dhembje, kudo që të shkelej ai. Prandaj, pasi kishte vendosur dhe kishte bërë përgatitjet e nevojshme për të shkuar në frontin e luftës kundër forcave të pushtuesit maqedon, për këtë vendim, Brahimi, një ditë e kishte njoftuar të atin. Për t’ia lehtësuar shqetësimin atij, ai kishte theksuar faktin se shumë të rinj shqiptarë nga viset në Maqedoni, më parë i kishin dalë zot Kosovës, prandaj ishte koha të kthehej borxhi. Kohë më parë, Brahimi kishte marrë disa ditë pushimi nga shërbimi në TMK. Këtë kohë e shfrytëzoi për mobilizim në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Në radhët e kësaj ushtrie, ai u radhit më 13 qershor të vitit 2001. Në frontet e luftës në Maqedoni kishte edhe të rinj të tjerë nga Kosova. Disa kohë më parë, atje kishin arritur edhe eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tahir Sinani, nga Tropoja dhe pjesëtarja e kësaj ushtrie, Hyrë Emini, nga Ferizaj, ndërkohë që së bashku me Brahim Ademin, në front shkoi edhe luftëtarja, Vjollca Fazliu, nga Prelezi i Ferizajt.
Në Maqedoni, dëshmori Brahim Ademi me bashkëluftëtarë angazhohet për ta organizuar luftën çlirimtare në trevën e Gostivarit e të malësisë së Korabit, ku tashmë edhe ishte formuar dhe po vepronte Brigada 116 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Mirëpo, derisa po përgatitej një aksion ushtarak, më 29 korrik të vitit 2001, bie në krye të detyrës, në Tanushë të Gostivarit, te vendi i quajtur, Zabeli i Kukut. Në këtë rast, në fushën e nderit bien edhe dëshmorët, Tahir Sinani, Hyrë Emini, Naser Ademi, nga fshati Negotinë i trevës së Pollogut të Gostivarit dhe Hisa Fazliu, po ashtu nga treva e Gostivarit. Ndërsa, bashkëluftëtarët e dëshmorëve, Hajrush Fejzulli, nga Gostivari dhe Vjollca Fazliu, u plagosën.
Trupi i dëshmorit Brahim Ademi dhe ata të katër dëshmorëve të tjerë të rënë në Tanushë të Gostivarit, u varrosën në vendin e rënies, te Zabeli i Kukut. Pas përfundimit të luftës në Maqedoni, eshtrat e dëshmorëve Brahim Ademi e Hyrë Emini u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj, ndërsa ata të dëshmorit Tahir Sinani, në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. Ata ishin sjellë nga Maqedonia në Kosovë, ilegalisht.
Dëshmori Brahim Ademi ishte një i ri, bjond e me trup mesatar. Ai merrej edhe me aktivitete sportive, sidomos me lojën e shahut dhe me atë të futbollit të vogël. Si i tillë, derisa ishte pjesëtar i TMK-së, kishte marrë pjesë në disa gara sportive të zhvilluara në kampin ushtarak amerikan, Bon Still, në Sojevë. Për rezultat të dalluar në këto gara, ai mori edhe mirënjohje nga KFOR-i amerikan.
Ky dëshmor i kombit ka lënë edhe disa relikte, të cilat ruhen me kujdes në familjen e tij, si shenja të çmueshme kujtimi. Në këto relikte bëjnë pjesë: ora e dorës, unaza, brisku me mekanizëm automatik, aparati i telefonit mobil, të cilin dëshmori ia kishte lënë të vëllait, në çastin e nisjes për në luftë në Maqedoni, një fotografi të përbashkët me dëshmoren Hyrë Emini, e bërë në çastin e përcjelljes së saj për në luftë, në Maqedoni, disa ditë para se atje të shkonte edhe vetë, uniforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etj.
Kontributi që dëshmori Brahim Ademi i ka dhënë luftës për çlirim kombëtar, do të mbetet i pashlyeshëm në kujtesën e popullit shqiptar. Ai do të nderohet dhe do të kujtohet gjithmonë si shembull i ushtarit të lirisë, që pati dy uniforma e dy emblema, por vetëm një qëllim-atë të çlirimit e të bashkimit të trojeve etnike shqiptare. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …