Enver Hoxha

Pjesë nga Ditari politik i Enver Hoxhës për protestat e demonstratat e marsit, prillit dhe majit të vitit 1981 në Kosovë III

Apo mos duan të gjejnë një arsye pa bazë që këto marrëdhënie t’i ngushtojnë, t’i zvogëlojnë vajtje-ardhjet dhe shkëmbimet në shkencat, në kulturë, në arte? Ata, po të duan, e kanë të drejtën e tyre ta bëjnë një gjë të tillë. Ne dyert nuk i sforcojmë. Ne do t’i kemi dyert të hapëta për të gjithë miqtë e sinqertë, cilët do qofshin këta dhe veçanërisht për vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi. Kjo do të shërbejë që ata të shohin “skëterrën shqiptare”, sikurse thonë udhëheqësit kryesorë të Krahinës Autonome të Kosovës dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe ta barazojnë atë me “parajsën jugosllave”, sikurse themi ne. Por mendimin tonë ne po e themi: në rast se jugosllavët i marrin këto masa nacionaliste e shoviniste, do të jetë gabim i madh nga ana e tyre. Shqiptarët e Jugosllavisë dhe gjithë populli shqiptar do t’i dënojë ata dhe kanë të drejtë të thonë se jugosllavët kanë frikë nga zhvillimi i kulturës shqiptare dhe s’kanë frikë nga kultura dekadente! Po u themi sinqerisht jugosllavëve, që masa të tilla nuk do ta qetësojnë opinionin shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë dhe opinioni i shëndoshë jugosllav e ai botëror do ta dënojnë, gjithashtu, këtë veprim. Edhe një herë e kemi për detyrë t’u themi udhëheqjes jugosllave dhe shqiptare në Kosovë dhe në vise të tjera, të ruajnë gjakftohtësinë në mendime dhe në veprime.

Kosova duhet të qetësohet, po atë nuk e qetëson heqja e Mahmut Bakallit dhe sjellja në krye e një Mahmut Çakalli

Udhëheqja jugosllave të shikojë me drejtësinë më rigoroze nevojat e shqiptarëve të Jugosllavisë, të mos i trajtojë keq dhe të mos diskriminojë popullsinë shqiptare, të shikojë me seriozitet dhe me objektivitet kërkesat e ligjshme të kosovarëve, të mos prekë dhe të mos trajtojë keq rininë heroike shqiptare, veçanërisht rininë studenteske, mësuesit, profesorët dhe gjithë inteligjencien patriote të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve në viset e tjera të Jugosllavisë, të mos i konsiderojë Universitetin e Prishtinës dhe shkollat fillore e të mesme shqiptare si çerdhe armiqsh, kundërrevolucionarësh, shovinistësh etj., të mos e sakatosë Universitetin e Prishtinës, me pretekstin se ka superprodhim të të shkolluarve dhe t’i hallakatë studentët shqiptarë në të gjitha universitetet e Jugosllavisë, pse asnjeri nuk gënjehet përse bëhet kjo. Shqiptari nuk e harron «vendin ku ka lerë dhe ku e ka nderë». Asnjëherë nuk mund të ketë superprodhim të shkolluarish, në qoftë se shtohet prodhimi në Kosovën e pasur dhe të varfër njëkohësisht. Këtu duhen marrë masa serioze, të mos fshihet ky realitet i hidhur, pa ju lejojmë të bërtitni sa të doni se në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë “populli s’ka të hajë, s’ka liri”. Këto gabime të mëdha mos i bëni, po i ndreqni.

Nuk duam t’ju japim mend dhe as të ndërhyjmë në punët e brendshme tuajat, por po jua themi për të mirën e përbashkët të të dy vendeve tona, se shumë i keni acaruar çështjet me kosovarët e me shqiptarët e viseve të tjera në Jugosllavi dhe me emigracionin ekonomik shqiptar jashtë Jugosllavisë. Ju po krijoni dasi te këta të fundit. S’janë «agjencitë tona diplomatike» jashtë, zoti Miniç, që e bëjnë këtë dasi, por jeni ju. E theksojmë edhe një herë, dhe për këtë kemi bindjen e plotë, se Kosova nuk mund të jetë kurrë për minimin e Federatës, në rast se kjo e studion dhe e zgjidh me drejtësi këtë çështje të madhe që vetë shqiptarët kosovarë e kanë hedhur në tryezë, që vetë Titoja, Moshe Pijade, Miladin Popoviçi kanë folur për këto çështje nga ana teorike dhe praktike. Kosova duhet të qetësohet, po atë nuk e qetëson heqja e Mahmut Bakallit dhe sjellja në krye e një Mahmut Çakalli. Kosova do të qetësohet, po të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria dhe policia ndëshkuese serbe, të normalizohet gjendja, të lirohen të burgosurit e pafajshëm që kanë mbushur burgjet, t’u kthehen familjeve të vrarët e tyre në demonstrata, se kjo është një çështje e shenjtë dhe humanitare. Studioni me vëmendje dhe me drejtësi kërkesën e popullit të Kosovës për republikë, zgjidhini drejt problemet ekonomike të saj. Vetëm kështu do të qetësohet Kosova, vetëm kështu do të jetë një mike e republikave të tjera të Jugosllavisë dhe brenda Federatës. (Memorie.al)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …