Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se të hënën do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për aprovimin e ligjit për ndarjet buxhetore. Ai ka thënë se kjo u bë me kërkesë të mbi 40 deputeteve. Pas vendimit të Gjykatës Kushtuese për pavlefshmërinë e votës së deputetit Et-hem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, partitë parlamentare, me përjashtim të LVV-së, kanë shprehur gatishmërinë për ta miratuar buxhetin për vitin 2021. Më 30 nëntor, Qeveria e kishte bartur Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, dhe ai i është proceduar Kuvendit, por nuk është votuar ende.
