DR. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë III

Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:

“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave  e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve  e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Nr. 7

Më 24 prill 1981 shoku Xhustin Papajorgji priti ambasadorin grek, Konstandin Politis, me kërkesën e këtij të fundit

Tiranë, më 24 prill 1981

Ambasadori tha se kishte ardhur kryesisht për t’u takuar dhe për të shkëmbyer mendime lidhur me dy artikujt e “Zërit të Popullit”, mbi ngjarjet në Kosovë. Me këtë rast ai ngriti dhe problemin e përkthyesit, i cili rastis që kur ka artikuj të tillë kaq të rëndësishëm mungon për shkak të stërvitjes ushtarake. U lut që të shikohet mundësia për zëvendësimin e tij, megjithëse ai është njeri shumë i mirë dhe punëtor, me ndonjë grua që ndoshta përjashtohet nga stërvitja ushtarake, me qëllim që të jetë në ambasadë në raste të tilla.

Shoku Xhustin i tha se po mbajmë shënim për këtë, por ndoshta mund të rregullohet që artikuj të tillë t’i dërgohen ambasadës me kohë në gjuhë frëngjishte apo anglisht, nga ana e ATSH-së. Ambasadori tha se një gjë e tillë do të ishte shumë mirë, mbasi artikulli i djeshëm mua me erdhi sot, do të ishte shumë mirë që të më vinte dje. Pastaj ambasadori tha se kam lexuar artikujt të 8 prillit dhe të 23 prillit, gjithashtu lexova edhe atë të gazetës “Bashkimi” dhe mund të them se atje gjërat janë të qarta dhe të kuptueshme, por kam lexuar edhe shkrime jugosllave e të vendeve të tjera prandaj mendova të takohem me ju për të pasur një ide më të qartë lidhur me zhvillimin e ngjarjeve atje dhe perspektivën e tyre.

Shoku Xhustin i foli në frymën e dy artikujve tanë, duke i theksuar se studentët kërkuan pikërisht ato që u takojnë siç është përmirësimi i kushteve të jetesës, ose shpallja e krahinës republikë brenda kuadrit federativ, gjë që është në përputhje me vetë kushtetutën jugosllave, ndërsa ata iu përgjigjen këtyre kërkesave të ligjshme me tanke, avionë, mitraloza e ushtri, duke sjell policinë e Serbisë dhe të Beogradit për shtypjen e demonstratës. I foli për disnivelin ekonomik që ekziston në Kosovë në krahasim me republikat e tjera, për masat shoviniste dhe ç’kombëtarizuese që përdorin jugosllavët kundër shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre në Jugosllavi, për shtetrrethimin që vazhdon të ekzistoje akoma në Kosovë etj.

I vuri gjithashtu në dukje se qëndrimi ynë ndaj këtyre ngjarjeve dhe masave represive të udhëheqjes jugosllave është i hapur dhe i prerë. Ne nuk kemi ndërhyrë dhe as ndërhymë në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe as kemi pretendime territoriale ndaj saj, por është e drejta jonë legjitime të shprehim mendimin tonë dhe të përkrahim vëllezërit tanë në Kosovë e vise për të fituar dhe gëzuar të drejtat që u takojnë sipas kushtetutës jugosllave.

Ambasadori tha se qëndrimi juaj në këto çështje është i qartë, bile mbrëmë pyeta ambasadorin jugosllav mos ka dorë në këto ngjarje Shqipëria dhe ai mu përgjigj se jo, por radio Zagrebi dhe Beogradi kanë thëne se Shqipëria është nxitëse e këtyre ngjarjeve, pra këtu ka një disakordim midis tyre. Gjithashtu siç e përmendni edhe ju në artikull ka një mospërputhje në numrin e të vrarëve, njëri thotë 11 tjetri 9, por mendoj se ata janë më shumë siç shkruani ju dhe shtypi tjetër botëror. Kjo tregon se atje nuk u bë një demonstratë e vogël nga një grup njerëzish, balliste, çetnike, ustash etj, por një demonstratë masive me përmasa të mëdha. Të çuditë gjithashtu fakti i përdorimit të forcës, mbasi demonstrata dhe manifestime bëhen kudo, bile kohët e fundit u bë një demonstratë e madhe në Athinë nga armenët por incidente nuk pati. Shumë përshtypje vazhdoi ai, më beri shpikja e kombësisë myslimane dhe mendoj se kjo ka të bëjë me siguri me pakësimin e numrit të kombësisë shqiptare. Jugosllavët janë ustallarë për shpikjen e gjërave të tilla. Thonë se është kombësia maqedonase, por unë nuk e kuptoj se çfarë njerëz hyjnë ne këtë kombësi, mbasi para luftës së dytë botërore një kombësi e tillë nuk ka ekzistuar. Di se një pjesë e madhe e Maqedonisë së sotme jugosllave banohej nga grekët, bile në Manastir ka pasur dhe konsullata greke. Në vitin 1915, Venizellosi vajti në Manastir dhe nga ballkoni i konsullatës greke mbajti para grekëve të cilët ishin shumë, gjithë qyteti, dhe u tha se atje ku kanë kaluar ushtritë serbe grekët do të jetojnë nën ligjet e shtetit serb dhe atëherë ata e moren me domate. Që atëherë nuk është folur ndonjë here për kombësi greke në këtë vend.

Në artikullin tuaj flitet për bisedën që kishte pasur Tito me Enver Hoxhën që në atë kohë kishte dhe postin e kryetarit të qeverisë lidhur me Kosovën. Del qartë që Titoja nuk e mbajti fjalën dhe e gënjeu Enver Hoxhën për dhënien e Kosovës Shqipërisë. Mendoj se kjo ndoshta mund të ketë lidhje edhe me marrëveshjen e Bledit, midis Titos e Dimitrovit. Megjithëse dokumentet e kësaj marrëveshje nuk janë publikuar kurrë, mendoj se atje është rënë dakord për një federatë të madhe ku hynte dhe Maqedonia greke, por nuk di nëse hynte dhe Shqipëria. Atje Titoja e ka futur në thes Dimitrovin. Titua, ky reshter i ushtrisë austrohungareze, kur u bë kryetar i Jugosllavisë e shndërroi veten perandor të kësaj perandorie, por me qendër Beogradin dhe jo Vjenën.

Lidhur me ketë shoku Xhustin i tha ambasadorit se nuk dinte gjë për marrëveshjen e Bledit, por nuk e besojmë që Dimitrovi të bënte një gjë të tillë dhe me Partinë e vendin tonë ai ka mbajtur gjithmonë një qëndrim parimor, konsekuent e miqësor. Titua që ëndërronte për përfshirjen e Shqipërisë në federatën jugosllave, si republikë të shtatë të saj, kjo është e vërtetë dhe këtë jugosllavët e kanë propozuar dhe kanë vepruar në këtë drejtim në të gjitha fushat, ekonomi, ushtri etj, por Partia jonë dhe shoku Enver i tregoi vendin. Këto janë të dokumentuara dhe të publikuara në veprat e shokut Enver, në materialet e Partisë dhe në artikuj të ndryshëm. Bile jugosllavët donin të dërgonin në Shqipëri divizionet e tyre, gjoja për të na mbrojtur nga një sulm grek, për të realizuar më lehtë qëllimin e tyre, por ne siç dihet ua hodhëm poshtë këtë kërkesë.

Pastaj ambasadori pyeti se si mund të jetë perspektiva e këtyre ngjarjeve dhe ç’thonë jugosllavët për këtë.

Shoku Xhustin i tha se nuk dinte gjë dhe për këtë mund të pyeste ambasadorin jugosllav. I theksoi se ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë se këto çështje duhet të zgjidhen me gjakftohtësi, të mblidhen palët e interesuara dhe të bisedojnë shtruar, pa përdorur forcën, dhe t’u jepen shqiptarëve të drejtat që u takojnë me kushtetutë, jemi që Jugosllavi të mbetet siç është federata dhe të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis dy vendeve.

Ambasadori tha se i kishte bërë përshtypje deklarata e Dollancit ku theksoi se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që Kosova të bëhet republikë, mbasi rrezikohet federata. Kuptohet se kjo nuk qëndron mbasi Mali i Zi që ka një popullsi shumë më të vogël se Kosova është republikë, atëherë ç’të keqe ka që edhe kjo e fundit të bëhet republikë? Mendoj se arsyeja duhet të jetë gjetiu dhe Dollanci shqetësohet sot për atë që mund t’i ndodh nesër. E them këtë sepse, megjithëse nuk e njoh mirë kushtetutën jugosllave, po të bëhet republikë Kosova atëherë ushtria serbe apo ajo e federatës nuk do të ketë të drejtë të ndërhyjë në Kosovë në raste turbullirash, siç bëri tani. Ai ndoshta mendon se sot Kosova kërkon republikë, por nesër ajo mund të kërkojë, meqenëse ka në kufi Shqipërinë, federate të dyfishtë edhe me Jugosllavinë edhe me Shqipërinë, ose të kërkojë shkëputje nga federata për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Shoku Xhustin i tha se ç’farë mendojnë jugosllavët apo Dollanci për ne nuk ka rëndësi, rëndësi ka që Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi t’u jepen të drejtat që u takojnë me kushtetutë, të heqin dorë nga shtypja dhe diskriminimi ndaj tyre. Pretendimet e Dollancit se republika e Kosovës rrezikon federatën kanë për qellim që të mbulojnë metodat e tyre shoviniste ndaj shqiptarëve atje.

Nr. 8

Shoqata e miqësisë Danimarkë-Shqipëri

Komunikatë mbi masakrat në Kosovë-Jugosllavi

Kopenhagën, më 28 prill 1981

Tanjugu, agjencia e lajmeve jugosllave, ka dhënë lajme në lidhje me të ashtuquajturat çrregullime në krahinën autonome të Kosovës, ku banojnë 1,5 milion shqiptarë të cilët përbëjnë mbi 80 për qind të popullatës. Sipas agjencisë jugosllave në këtë zonë është vënë shtetrrethim, sidomos në Prishtinë, qyteti kryesor i krahinës. Në fillim organet zyrtare jugosllave dhanë shifrën 10 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, pastaj më vonë korrigjuan shifrat respektivisht 11 dhe 50. Pala jugosllave zyrtarisht njoftoi se shtetrrethimi u vendos më 19 prill. Në fund të muajit prill njoftohet se situata është nën kontroll dhe se “krahina është e rrethuar nga forca të shumta ushtarake” pra nga një “kordon i hekurt në qytete dhe fshatra” (sipas gazetës Socdagbladet, datë 27 prill), “në luftën në mes demonstruesve, policisë dhe forcave ushtarake, sipas lajmeve zyrtare, ka pasur mbi 100 ose bile dhe mbi 150 të vrarë”.

Të gjitha lajmet janë dhënë zyrtarisht nga organet jugosllave. Ata kanë organizuar një bllokade për informacionin duke mos lejuar asnjë gazetar as të huaj tjetër të futet në këtë krahinë, bile nuk lejohen as dhe kosovarët të lëvizin, të takojnë të afërmit e tyre, për të penguar që opinioni botëror të njihet me situatën bile edhe në qoftë se ndonjë shqiptar i kësaj krahine që punon në mërgim që do dëshironte të kthehej për të parë të afërmit e tij ose dhe njerëzit e familjes, bile dhe ndonjërin edhe të varrosur të afërmit, pengesat dhe vështirësitë e krijuara nga organet jugosllave kanë qenë nga më të ndryshmet dhe më të egrat.

Lajme të ndryshme janë dhënë mbi masakrat e organizuara në Kosovë kundër popullit shqiptar. Thuhet se janë vrarë 9 pastaj 11, pastaj 150 po sa janë vrarë në të vërtetë në demonstratat ku morën pjesë mijëra vetë. Gazeta “Kurier” e datës 17 prill njofton se mbi 1000 veta marshuan në të gjithë Prishtinën kundër forcave të shumta serbe.

Sipas gazetës turke “Hyriet” e gjithë Prishtina u përfshi në një luftë të vendosur dhe se muret e shtëpive ishin bërë shoshë nga plumbat.

Pati dhe lajme të tjera ku thuhet se kundër demonstruesve u përdor dhuna e ashpër, e egër, si nga helikopterët qëlloheshin me armë demonstruesit, lajme se hyri në veprim edhe artileria e gardës së Prishtinës etj. Lajme të tjera flisnin dhe mbi torturat brutale të përdorura kundër demonstruesve. Shtetrrethimi vazhdon në të gjithë krahinën. Ditë dhe natë ka qarkullime ushtarësh, policia sekrete po përhap kudo terrorin.

Por të gjitha këto janë thjesht lajme, bllokada e krijuar nga organet jugosllave synon që gjërat të mos merren vesh mirë. Dihet se nuk është hera e parë që në krahinën e Kosovës u ndodhin gjëra të tilla. Kohët e fundit janë organizuar edhe masakra të tjera të përbindshme kundër popullit shqiptar, masakra të tilla që janë përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Organet jugosllave gjithnjë janë përpjekur që të mos marrin asnjë lloj faji mbi vete, bile sipas organeve jugosllave është Shqipëria ajo që qëndron mbrapa këtyre ngjarjeve në Kosovë, pra nxit luftën në Kosovë, për ti hapur rrugën Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë socialiste.

Ndërkohë organet jugosllave kanë deklaruar se Shqipëria është e lidhur edhe me masakrat dhe se ajo ka pasur dhe ka synime territoriale për toka në Jugosllavi. Shqipëria nuk ka gjë të bëjë me këto ngjarje. Ajo nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Në luftën që po zhvillohet në këtë krahine ajo nuk ka gisht as direkt dhe as indirekt. Por përgjegjësia për çdo gjë bie mbi udhëheqësit jugosllavë të cilët kanë lejuar që populli shqiptar në Kosovë të jetojë në një varfëri të madhe dhe të mos gëzojë të drejta të tij politike dhe kombëtare. Shqipëria e vogël nuk ka pasur kurrë synime shoviniste dhe gjithnjë ka dëshiruar një zgjidhje të drejtë të kërkesave të popullit shqiptar. Shqipëria e sheh se moszgjidhja e problemit në Jugosllavi është e nxitur dhe nga superfuqitë, sepse në këtë mënyrë këta të fundit synojnë të futen në Ballkan, të dëmtojnë popujt e Ballkanit dhe në radhë të parë Shqipërinë socialiste. Shqipëria gjithashtu e ka shprehur qartë mendimin se në rast se Jugosllavisë i vjen ndonjë rrezik agresioni nga Lindja ose nga Perëndimi, ky rrezik është dhe agresion kundër Shqipërisë dhe se Shqipëria socialiste do të luftojë krah për krah me popujt e Jugosllavisë për të shporrur agresorin jashtë Jugosllavisë. Shqipëria socialiste është e gatshme të bëjë një veprim të tillë. Ajo nuk ka asnjë lidhje, as diplomatike, as kulturore, as tregtare dhe as një lidhje tjetër me BS ose me fuqitë imperialiste si SHBA etj. Por në të njëjtën kohe, pavarësisht se Shqipëria nuk ka asnjë lidhje partie me Jugosllavinë ajo dëshiron një fqinjësi të mirë me Jugosllavinë, marrëdhënieve shtetërore të forcohen dhe të zhvillohen.Veprimet e Jugosllavisë ndaj Kosovës nuk e çojnë në zgjidhjen e drejtë, nuk sigurojnë stabilitet në Ballkan. Shqipëria socialiste kohët e fundit ka përshëndetur disa masa për përmirësim të gjendjes së shqiptarëve që janë marrë kohet e fundit në Jugosllavi si p.sh. e drejta e edukimit në gjuhën shqipe etj.

Shqipëria socialiste ka të drejtë gjithashtu të ngrejë zërin për keqtrajtimin e shqiptarëve veçanërisht në krahinën e Kosovës. Krahina e Kosovës është ndër krahinat më të varfra, nën tutelën e serbëve, dhe është e drejta e Shqipërisë që të përkrahë kërkesat e shqiptarëve për të gëzuar të drejtat kombëtare brenda kufijve të Jugosllavisë dhe në bazë të kushtetutës së federatës. Ky qëndrim i drejtë i Shqipërisë, duke mos ndërhyrë asnjëherë në punët e brendshme të Jugosllavisë, përkrah me të drejtë kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për të shpallur kështu republikë më vete nën kuadrin e federatës jugosllave. Dihet se të ardhurat në Kosovë janë shumë më të ulëta se në Slloveni në një kohë kur krahina e Kosovës furnizon me minerale dhe prodhime të tjera krahina të tëra të Jugosllavisë.

Shqipëria nuk e shikon kërkesën për republikë si një rrugëzgjidhje që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia dhe të bashkohet me Shqipërinë. Shqipëria gjithashtu sheh se plotësimi i kërkesave të drejta kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi do të krijonte një stabilitet për vetë Jugosllavinë dhe do të forconte marrëdhëniet në mes këtyre dy vendeve, do të forconte sovranitetin dhe pavarësinë e këtyre dy vendeve dhe popujve të këtyre dy vendeve. Në të njëjtën kohë Shqipëria socialiste ka shprehur mendimin e saj për tu zgjidhur (çështja) e shqiptarëve me urtësi dhe drejtësi, për të evituar masakrat brutale, gjithnjë duke i parë në prizmin e forcimit të marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve ballkanike.

        Në emër të shoqatës së miqësisë Danimarkë-Shqipëri

Ole Mielsen

Kopenhagën 28 prill 1981.

Nr. 9

Disa mendime të Diplomatëve Perëndimorë për ngjarjet në Kosovë

5 maj 1981

Franca

Nga takimet e Petraqit me Sekretarin e përgjithshëm të MPJ De Leuse dhe Drejtorin Politik të MPJ Robin, del se artikullin e “Zërit të Popullit” e kanë quajtur të drejtë dhe realist. Janë treguar të shqetësuar për zhvillimin e ngjarjeve në Jugosllavi se mos kjo jepte dorë synimeve të B. S. Në Jugosllavi dhe në zonë.

Anëtari i Partisë komuniste m-l franceze, F. Mishel, u shprehen se “Zëri i Popullit”  shpreh qëndrimin parimor dhe të vendosur të PPSH për problemin nacional në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti.

Belgjika

Ambasadori belg në Beograd që është i akredituar dhe në vendin tonë vlerësoi lart artikullin e “Zërit të Popullit” si të drejtë, që i shikon gjërat me urtësi dhe konfirmon edhe një herë politikën e jashtme parimore të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Të gjithë e prisnim këtë reagim të drejtë të Tiranës dhe po të ndodhte ndryshe do të ishte një çudi. Sipas tij edhe koleg të tjerë diplomatë perëndimorë kanë vlerësuar qëndrimin e moderuar të Shqipërisë. Ky dha mendimin se lidhur me ngjarjet në Kosovë do të ishte mirë që ambasadorët shqiptarë kudo që janë të informojnë zyrtarisht qeveritë e vendeve perëndimore. Ambasadori belg informoi gjithashtu se e kishin thirrur në Sekretariatin e jashtëm dhe kishin protestuar se pse Qeveria kishte lejuar të zhvilloheshin demonstrata prokosovare në Bruksel. Ky i kish thënë se Belgjika është një vend i lirë dhe prandaj nuk mund t’i ndalojmë. Si konkluzion ai tha se janë rezultat i gjendjes së rëndë ekonomike në krahinë dhe se jugosllavët duhet ti zgjidhin këto probleme me gjakftohtësi. Për sa i përket Republikës së Kosovës ai tha se nuk ka asgjë të keqe që Kosova të marre këtë status, përderisa kjo e drejtë ju është dhënë të tjerëve. U shpreh kundër reprezaljeve nga ana e jugosllavëve.

Zvicra

Ambasadori i Zvicrës në Beograd, i cili është i akredituar edhe në Shqipëri, vlerësoi pozitivisht artikullin e gazetës “Zëri i Popullit” dhe nuk aprovon përdorimin e dhunës nga ana jugosllave. Ai tha se e kishte thirrur ndihmës sekretari i jashtëm Melovski i ka thënë belgut se artikulli i “Zërit të Popullit” do të ketë pasoja në marrëdhëniet jugosllave-shqiptare, se shkëmbimet tregtare dhe kulturore do të vazhdojnë, por shkëmbimet e njerëzve dhe ato turistike nuk do të lejohen vetëm për shqiptaret, por për të gjitha kombësitë e Jugosllavisë, etj.

Irlanda

Ambasadori i Irlandës në Vjenë tha se artikulli i “Zërit të Popullit” është interesant, i argumentuar dhe elastik. Me të drejtë godet terrorin e egër serb që ka shpërthyer në Kosovë dhe mbron kërkesat e demonstruesve, i përmbahet parimit të fqinjësisë së mirë dhe deklaratës se mëparshme se po të sulmohet Jugosllavia, Shqipëria do të qëndrojë përkrah saj. Evropa Perëndimore është e interesuar për stabilitetin dhe unitetin e Jugosllavisë, për këtë është dhe Shqipëria, sepse është në interes të saj.

Portugalia

Ambasadori i Portugalisë në Beograd, i cili është i akredituar edhe në vendin tonë, ka mbetur i habitur me tonin kërcënues të komentit të Radio Zagrebit, porse ato nuk duhet marrë si qëndrime zyrtare mbasi në këtë drejtim nuk është bërë asnjë deklaratë nga udhëheqja jugosllave.

Ambasadori i Portugalisë në Varshavë ka shprehur çudi lidhur me krimet e jugosllavëve në Kosovë si dhe për çështjen e krijimit të kombësisë “myslimane”, për të cilën tha se është e pafalshme, që feja apo besimi fetar, të kthehet në kombësi.

Danimarka

Këshilltari tregtari (!? – S. S )Danimarkës në Beograd tha se ngjarjet e fundit në Kosovë janë keqësim i mëtejshëm i situatës ekonomike dhe politike në Jugosllavi. Për artikullin e “Zërit të Popullit” tha se ka ngjallë shumë interes në trupin diplomatik në Beograd.

Suedia

Zëvendësdrejtori i Agjencisë se lajmeve suedeze, Kaje Hellen, për artikullin e “Zërit të Popullit” tha se është një analizë e mirë e zhvillimit të ngjarjeve që ndodhen në Kosovë. Tha se ky artikull vlen edhe për pakicat kombëtare, të cilave u mohohen të drejtat e diskriminohen, në shumë vende të botës. Nuk aprovon në asnjë mënyrë dhunën që u përdor ndaj kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi. Ky theksoi se është e drejtë kërkesa për krijimin e republikës. Olof Santeson, shef i redaksisë së jashtme të gazetës “Zvenska Dagbladet”, tha se në rast se nuk realizohen kërkesat e drejta të shqiptarëve në Kosovë dhe krahinat e tjera të Jugosllavisë kjo që ngjau në Kosovë është vetëm fillimi. Ky aprovoi qëndrimin tonë në bazë të artikullit të “Zërit të Popullit”. Drejtori i “Institutit të Çështjeve të Jashtme” të Suedisë tha se përdorimi i dhunës nga forcat ushtarake dhe policore kundër Kosovës është gabim dhe diskrediton politikën e jashtme të Beogradit. Zëvendës redaktori i radios suedeze, T. Bykdal, tha se shtypja me tanke e demonstratave do të acarojë më tej situatën në Jugosllavi dhe se grindjet e kombësive në asnjë mënyrë nuk mund të zgjidhen me tanke.

RFGJ

Shmid Hojer, redaktor politik në gazetën perëndimore “Die Zeid”, tha se jugosllavët i ekzagjerojnë gjërat dhe i shikojnë me nervozizëm, vlerësoi pjekurinë politike dhe analizën e thellë që u bë në artikullin e “Zërit të Popullit”. Për kushtet e Kosovës ai tha se njihen nga të gjithë dhe se shpërthimi që ngjau atje nuk ishte një gjë e papritur. Puna është që ajo të gjejë një zgjidhje të drejtë, mbasi përndryshe këto ngjarje do ti shërbejnë objektivisht interesave të BS në këtë zonë.

Austria

Profesor Bikmajer, thotë se artikulli i “Zërit të Popullit” është një analizë shkencore dhe argumente që të bindin dhe që nuk mund të hidhen poshtë lehtë.

  1. 5. 1981

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …