Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Nuk është Shqipëria e vitit 1997…

Të gjitha sondazhet e nxjerrin fituese Partinë Socialiste me diferencë të madhe me rivalët e saj në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Shanset janë shumë të mëdha për një mandat të tretë.

Opozita po e ndjen humbjen, prandaj paralajmëron se nuk do të njohë fitoren e Partisë Socialiste. Kërcënon: “Po nuk e morëm pushtetin ne, më 25 prill, tym e flakë flakë do të bëhet Shqipëria. S’është asgjë viti `97”. Betohet e stërbetohet se do të jetë në krye të Revolucionit për të shpëtuar Shqipërinë. Deklarata të tilla, të cilat nxitin dhunë dhe destabilizim të vendit kanë tërhequr vëmëndjen e ndërkombëtarëve dhe kanë detyruar ata të reagojnë fort, në kohë e drejtperdrejt. Dje Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer dha mesazhin për zgjedhjet, duke kërkuar nga palët që ato të jenë sipas standardeve demokratike, si dhe të sigurohet të ketë besim për rezultatin. Pra palët ta njohin e ta pranojnë rezultatin.

Shqiptarët nuk kanë arsye të tremben. Nuk janë kushtet dhe rrethanat e vitit 1997. Është një Shqipëri krejt tjetër, më demokratike, vend i NATO-s, me Kushtetutë, më e fuqishme dhe e zhvilluar. Ekonomia e tregut po konsolidohet nga dita në ditë. Të ardhurat për frymë janë disa herë më të larta. Pesha e faktorit politik shqiptar në Ballkan është rritur. Shteti është në mbrojtje të lirive, të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve. Nuk kemi në pushtet një qeveri që i sulmoi qytetarët e saj në Jug, një polici dhe SHIK në shërbim të pushtetit e të dhunës. Nuk kemi një qeveri si ajo e PD-së që bëri thirrje, frymëzoi dhe i organizoi turmat e saj fanatike për të shkatërruar gjithçka. Kjameti le të bëhet kur ne të mos jemi në pushtet – ishte mesazhi i saj mjeran, vdekjendjellës.

Shqiptarët duhet të mos harrojnë  thirrjen e filozofit të madh, Shopenhaueri shekuj më parë: “Mos u tremb nga e shkuara që s’kthehet, trembu nga ata që e sjellin të shkuarën”. Opozita që kemi ne, po të vijë në pushtet do të sjellë të shkuarën: zhbërjen e reformës në drejtësi, mungesën e shtetit ligjor: të mos paguash për energji elektrike, ujë, taksa, të ndërtosh kuturu, ku të duash e si të mundësh, të paguhesh pa shkuar në punë, të marrësh pasaporta diplomatike si militant i PD-së, të marrësh shpërblime, ndihma, pensione të veçanta, vende pune si shpërblim për pjesëmarrje në mitingje të dhunshme e se ke vjedhur dhe blerë më shumë vota. Të rriten e të lulëzojnë universitetet e tipit “Vitrina”. Të vidhen e të grabiten pronat në bregdet.

Shqiptarët duhet të bëjnë kujdes kur shkojnë para kutisë së votimit. Mos ta harrojnë `97-tën, Gërdecin, vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm në mes të bulevardit, fshehjen dhe manipulimin e provave për këto krime, akuzat ndaj opozitës, Presidentit, Kryepokurores së kohës për “grusht shteti”. Shqiptarët të mos harrojnë nenin famëkeq 24/1 të Kodit të Punës, ku mijëra qytetarë u larguan masivisht nga puna për bindjet e tyre politike, grabitjen e votave, më 1996, gjakosjen e opozitës në maj të vitit 1996, djegien e gazetës “Koha jonë”, burgosjet dhe vrasjet e gazetarëve, grabitjen masive të pronës së shqiptarëve, privatizimet klienteliste. Nga lidershipi i PD-së as dje, as sot nuk kemi dëgjuar ndjesë.

Opozita e sotme ka ndryshuar fjalorin, ka rritur dozat e demagogjisë e të hipokrizisë. Janë të njëjtat figura që kanë qeverisur më parë, është e njëjta filozofi politike e qeverisjes, i njëjti koalicion, të njëjtët kandidatë për deputet, miq, shokë, farefis e oligarkë. Janë provuar e stërprovuar dhe nuk kanë shans të ndryshojnë e të sjellin ndryshimin. Kërcënimet e saj, frika, paniku që i ka zënë paralajmërojnë humbjen e thellë, fundin e saj.

Autori është Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kosova ishte ripushtuar nga Jugosllavia qysh në shkurt të vitit 1945, nuk kishte nevojë të aneksohej nga Serbia

Mjaft më me fjalë e shprehje  nga  ish-ishët e bivshes jugosllave, të sjella në Kosovë nga Veton Surroi me gazetarët e kompanisë së

Mjaft më me fjalë e shprehje  nga  ish-ishët e bivshes jugosllave, të sjella në Kosovë …