Gjykata

Dritan Goxhaj: Dëshmitarët entuziastë në Prokurorinë Speciale çojnë ujë në mullirin e armikut të UҪK-së

U bë tashmë disa kohë, pothuajse prej fillimit të këtij viti, që Prokuroria Speciale në Kosovë po lëshon fletë-thirrje për shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale në Hagë. Këto fletë-thirrje, në 99% të rasteve u kërkojnë personave të thirrur të paraqiten si dëshmitarë në atë prokurori, për të dhënë dëshmi. Deri sot, vetëm 1% e kësaj kategorie që janë thirrur në cilësinë e të akuzuarit të dyshuar, dhe nga mediat mësojmë se vetëm dy persona e kanë kundërshtuar.

Kjo është diҫka që pritej të ndodhte prej kur u miratua kjo prokurori dhe kjo gjykatë speciale nga Parlamenti i Kosovës. Ajo që nuk pritej të ndodhte, dhe që po ndodh në një mënyrë disi të ҫuditshme, është reagimi i atyre personave të cilët kanë marrje thirrje nga Prokuroria Speciale, për t’u paraqitur si dëshmitarë të saj! Dua ta ritheksoj këtë, sepse në Kosovë një sërë personash që kanë kryer detyra të larta komanduese në krye të UҪK-së dhe të njësive të saj operative e taktike, po deklarohen gjithë zell, se u ka ardhur ftesë për t’u paraqitur në Hagë, duke u mburrur: “Shkova dhe e mbrojta UҪK-në tonë të pastër para Gjykatës Speciale”.

Kjo deklaratë e tyre është kryekëput mashtrim, rrenë, e bërë ose nga injoranca ose qëllimisht. E themi këtë, sepse këtyre personave, në realitet, nuk u ka ardhur thirrje nga Gjykata Speciale, por fletë-thirrje nga Prokuroria Speciale, e cila është ende duke grumbulluar fakte hetimore kundër UҪK-së. Dhe, më së shumti, të ҫudit fakti që këtë fletë-thirrje e reklamojnë sikur t’u ketë ardhur ndonjë thirrje për t’i dekoruar!

Papërgjegjshmëria e tyre në gjithë këtë veprim “patriotik”, nëse nuk është nga injoranca, atëherë duhet të jetë e qëllimshme. Ngul këmbë në këtë shprehje, pasi të shkosh e të dëshmosh në Prokurori, do të thtë që të shkosh dëshmitar në favor të palës që akuzon UҪK-në, që në rastin tonë don të thotë, t’i shkaktosh fatkeqësi kombit tënd, qoftë nga padija, qoftë e qëllimshme.

Në Kosovën e sotme, pas 20 vjetësh që, shumë prej ish-komandantëve të rangjeve të ndryshme të UҪK-së nuk lanë gjë pa shkatërruar, prishur, grabitur e vjedhur dhe, pasi shitën gjithҫka që ishte për t’u shitur në Kosovë, janë pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme, po na shesin tri gjëra të vjetra sa vetë jeta: Po na shesin gënjeshtrën për të vërtetë; dëshminë në favor të palës akuzuese, për patriotizëm; tradhëtinë për virtyt.

T’i marrim me radhë këto tri gjëra që sapo përmendëm.

Po na shesin gënjeshtrën për të vërtetë.

Këta dëshmitarë entusiastë po deklarohen tërë mburje, se ju ka ardhur ftesë ose fletë-thirrje nga Gjykata Speciale. Po, realiteti nuk është kështu. Në fakt, këtyre u ka ardhur ftesë nga Prokuroria Speciale dhe jo nga Gjykata Speciale. Kjo është më se e qartë, pasi për momentin nuk ka akuza të ngritura dhe nuk kemi ende proces gjyqësor. Procesi gjyqësor, të dashur shqiptarë, kryhet në Gjykatë. Deri më tash, a mund të më thotë ndonjeri nëse ka proces gjyqësor të hapur nga Gjykata Speciale, apo jo? Jo, nuk ka akoma.

Pse nuk ka process gjyqësor nga Gjykata Speciale? Nuk ka, sepse ҫështjet janë akoma në fazën hetimore të hetuesisë, të cilën e bën Prokuroria Speciale. Pra, ҫështjet janë duke u ngritur në Prokurorinë Speciale. Kështu që, këta zotërinj, të cilët thonë se po shkojnë në Gjykatën Speciale në Hagë, në realitet janë duke shkuar në hetuesinë speciale. Prokuroria Speciale është organi që merret me hetimin e krimeve, që gjoja i ka bërë UҪK-ja; me një fjalë ajo prokurori mundohet të zbuloi këto “krime”, dhe jo t’i gjykojë. Nuk i ka ardhur ende radha Gjykatës Speciale.

Pra, kjo është gënjeshtra që po na shesin Prokurorinë si Gjykatë.

Për t’ua bërë më të kuptueshme këtë çfarë shpjegoj më lartë, po ju kujtoj një rast, që pothuaj e gjithë popullsia në Kosovë ka dijeni. Ky rast është deklarata e bërë dikur prej z. Kadri Morina: “Rreth 800 mijë shqiptarë janë thirrurr nga organet e hetuesisë serbe për t’u marrë në pyetje.”

Pra, edhe në rastin konkret, kjo gjë që po ndodh me të intervistuarit nga Prokuroria Speciale në Hagë, është njësoj si në rastin që na thotë z.Kadri Morina. Ndryshimi është veç se këta ish-pjestarë të UҪK-së sot nuk i thërret Hetusia e Serbisë, por po i thërret Hetusia në Hagë, që është Prokuroria Speciale.

Prokuroria Speciale në Hagë, të dashur shqiptarë, nuk është Gjykata Speciale e Hagës. Kush nuk e di, le ta mësojë, se Prokuroria është palë akuzuese; ndërsa Gjykata nuk është palë, por institucion që administron drejtësinë midis dy palëvë; midis palës së akuzuar, e cila në rastin tonë i bie të jetë UҪK-ja,e përfaqësuar nga ata pak shqiptarë të thirrur si të akuzuar, dhe palës akuzuese që është, në këtë rast, Prokuroria Speciale, pas së cilës qëndron Serbia, nëpërmjet senatorit zviceran, Dick Marty.

Dëshminë në favor të palës akuzuese, për patriotizëm.

Këta zotërinj, që thërrasin tërë kapadaillëk se u ka ardhur thirrje dhe kanë vendosur të shkojnë tërë qejf për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale, deklarohen se po e bëjnë këtë për të mbrojtur UҪK-në dhe Kosovën! Instiktivisht, na lind pyetja: Si mund ta mbrosh UҪK-në kur je i thirrur si dëshmitar nga pala akuzuese?! Po e ritheksoj: Prokuroria është palë akuzuese. A e dinë këta “trima” se ҫfarë do të thotë të jesh dëshmitar?! Dëshmitar, or lum miku, do të thotë të dëshmosh për diҫka që ke dijeni, që ke parë ose ke dëgjuar; të pohosh një a më shumë prova për të vërtetuar diça. Dhe, kur i jep një dëshmi të tillë palës akuzuese, që në rastin tonë është Prokuroria Speciale kundër UҪK-së, a mund të më thotë kush nga këta zotërinj dëshmitarë se si është duke e mbrojtur palën e akuzuar, UҪK-në?!  Dhe këtë lloj dëshmie ata po na e shesin si patriotizëm!

Po na shesin tradhtinë si virtyt.

Këta zotërinj, që vetdeklarohen se po shkojnë tërë kënaqësi duke dëshmuar në favor të palës akuzuese, duke e quajtur patriotizëm, po na e shesin veprimin e tyre si virtyt dhe veten si njerëzit më të virtytshëm e më të ndërgjegjshëm të racës shqiptare.

Shembulli më tipik i këtij lloj patriotizmi është pranimi dhe shkuarja në Hagë para Prokurorisë Speciale nga SHP dhe komandantë të disa ZO dhe të disa brigadave, të cilëve u ka ardhur fletë-thirrja si dëshmitarë nga kjo Prokurori. Këta po deklarojnë se kanë shkuar në Hagë në Gjykatën Speciale dhe se po e bëjnë për UҪK-në. Mirepo, shumë pak persona janë thirrur si të dyshuar nga Prokuroria Speciale, të tjerët që janë thirrur prej saj si dëshmitarë janë  bërë pjestarë të palës akuzuese. P.sh., të dyshuar janë thirrur komandanti i Policisë Ushtarake të zonës IV operative, dhe komandanti i BIA-s (gueriles) në Prishtinë, Sali Mustafa. Si është e mundur që, komandantët dhe anëtarët e shtabit të asaj zone thirren si dëshmitarë, ndërsa vartësit e drejtpërdrejtë të tyre, që I merrnin urdhrat prej tyre, thirren si të akuzuar?!

E shtrojmë këtë pyetje bazuar në Statutin e Romës, 17 korrik 1998, (i bazuar në Konventën e Gjenevës të 12 gushtit 1949), i cili është aktualisht Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë, e që është bërë pjesë e sistemit juridik edhe në Kosovë, të cilit i është dhënë përparësi mbi çdo ligj tjetër të Kosovës. Dhe pikërisht, në Neni 28 të Statutit të Romës përforcohet më tej “përgjegjësia e komandantëve dhe udhëheqësve të tjerë”, ku shprehimisht  theksohet: “Edhe personat përgjegjës (titullarë) akuzohen si autorë të krimit, (shih), në rastet kur shkelja e rregullave të së drejtës ndërkombëtare është kryer prej vartësve të tyre.”

Mirëpo, shumë nga këta komandantë e anëtarë shtabesh harrojnë që menjëherë pas lufte rrihnin gjoksin nëpër intervista e në libra të botuar e sponsorizuar po prej tyre si intervista të gjata, duke u mburur se ҫdo gjë që kishte ndodhur brenda juridiksionit të zonave të tyre operative, ishte bërë me dijeni të plotë të tyre, ku asgjë nuk kishte ndodhur pa e ditur këta. Epo, atëherë, përse nuk i dalin për zot kësaj çështjeje sot, por bëhen dëshmitarë të akuzës, duke na gënjyer se gjoja janë thirrur nga Gjykata Speciale?!

Tashmë ҫdo shqiptar që e ndjen veten të mbërthyer në kurthin që këta “komandantë dëshmitarë trima”, të cilët po e trumbetojnë dëshminë para kësaj Prokurorie si patriotizëm, dhe të tjerë që nuk dinë si të bëjnë, le të ndjekin rrugën që ndoqi një bashkëluftëtar tjetër i tyre, Mahir Hasani, i cili e ҫoi ҫështjen në gjykatë, sepse prokuroria, me thirrjen e saj ka shkelur edhe Kushtetutën e Kosovës, pikërisht Nenin 31(5) të saj, si dhe pikën 6(2) të Konventës Europiane për Mbrojtjen e Të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Pra, të dashur ish-luftëtarë që e ndjeni veten shqiptarë, bëni atë që duhet ta bënte Organizata e Veteranëve të UҪK-së, por që ka vendosur të bëhet edhe ajo palë me Prokurorinë dhe tradhtarët e tjerë; merrni një avokat e mos u paraqisni, por kundërshtojeni fletë-thirrjen e prokurorisë.

E gjithë kjo nuk do të thotë, se ata që kanë abuzuar me autoritetin e UҪK-së gjatë luftës edhe pas saj nuk duhet të japin llogari deri më një, por kjo nuk mund e nuk duhet të ndodhë vetëm për UҪK-në. Këto vepra duhet të hetohen dhe gjykohen njëkohësisht me krimet e serbëve në Kosovë.

Një prokurori e tillë duhet të ndjekë shembullin e komisionit të pajtimit që ngriti Afrika e Jugut pas Aparteidit, ku viktimat dilnin publikisht e akuzonin kriminelët. Kjo do të ishte drejtësi dhe jo dëshmitarët e fshehur, sikundër vepron Prokuroria Speciale. Mos u turpëroni, por bëhuni burra e të ndërgjegjshëm! Mos i lini të papërgjegjshmit e të pandërgjegjshit t’u tregojnë rrugën. Me veprimin tuaj, duke refuzuar fletë-thirrjen, të arrini të bëni atë që filozofi Karl Gustav Jung e përkufizonte kështu: “Bëjini të pandërgjeshmit të vetëdijshëm, përndryshe i pandërgjeshmi do të udhëheqë jetën tuaj dhe ju do ta quani atë fat.”

Tiranë, 28 tetor 2019

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …