Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, ka prezantuar vizionin e tij për menaxhimin afatgjatë të burimeve ujore në Kosovë, duke theksuar se investimi në ujë është investim në sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në një video të realizuar në zonën e Dragaqinës, Hoxhaj tha se ndërtimi i një liqeni të madh akumulues në këtë rajon do të sillte përfitime të mëdha për bujqësinë, ekonominë dhe furnizimin me ujë për komunat e Suharekës, Prizrenit dhe më gjerë. “Uji sot është një prej burimeve më të rëndësishme strategjike. Kosova duhet të investojë në projekte që garantojnë siguri ujore për gjeneratat e ardhshme dhe mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, theksoi Hoxhaj. Ai nënvizoi se Partia Demokratike e Kosovës synon realizimin e pesë projekteve të mëdha ujore në Dragaqinë, Kuqiq, Pollatë, Disivojcë dhe Firajë, duke i konsideruar ato investime kyçe për të ardhmen e vendit. Në mesazhin e publikuar bashkë me videon, Hoxhaj theksoi se në një kohë kur shumë vende të botës po përballen me mungesë të ujit dhe ndryshime klimatike, Kosova duhet të fokusohet në ndërtimin e infrastrukturës strategjike ujore dhe në shfrytëzimin e potencialeve të saj natyrore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
