FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil REXHA: O ATDHETARË, A JENI GJALLË?

Ishim të pushtuar, por ishim të gjallë! Në përpjekje për të ndërruar strukturën e popullsisë, për të asimiluar popullin tonë, pushtuesit krahas luftërave e masakrave, bënin edhe shpërnguljen e popullsisë, duke krijuar qindra fshatra muhaxhirësh, apo edhe koloni shqiptare nëpër botë, shkatërruan të mirat tona kulturore, penguan arsimimin e masave! Një pjesë e atdhetarëve, i kundërviheshin kësaj politike, duke lënë gjurmë në histori! Janë të njohur emrat e atdhetarëve që u vranë, apo mbajtën shumë vite burg, për të penguar shpërnguljet, për të avancuar proceset pozitive, për të edukuar atdhedashurinë, e derdhën gjak edhe për liri, e pasardhësit e të vrarëve dhe ata që i mbijetuan dhunës, pavarësisht pasojave, ishin krenar për veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes shqiptare!

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, kishte një etje të madhe për arsimim dhe lexim! Atdhetarët kishin dy fronte: politikën sllaviste dhe dogmat fetare dhe politikat klerike! Politikës titiste-sllaviste që organizoi shpërnguljet e dhunshme për Turqi, atdhetarët i kundërviheshin me propagandë, por edhe me kërcënime, se do ta minojnë trenin që ndihmonte shpërnguljen! Një interesim të veçantë, atdhetarët kishin për historinë, gjuhën dhe letërsinë kombëtare! Historia e Skënderbeut dhe Rilindjes Kombëtare ishte një themel i fortë, për edukimin atdhetar të masave! U botuan, u shpërndanë dhe u lexuan shumë libra! Dhe, si rezultati saj, opinioni i shumicës së njerëzve, ishte kombëtarish dhe intelektualisht në nivel të lartë! Me dhjetra atdhetarë u vranë, me qindramijë atdhetarë u keqtrajtuan e u dënuan me burgje, por morali i atdhetarëve nuk u thye, veprimtaria kombëtare vazhdoi në kontinuitet!

Pas viteve të ’90-ta lufta speciale e armiqve, përmes shqipfolësve, sulmoi boshtin: ,,historia është rrenë!” Në emër të ideologjisë u sulmua historia, gjuha dhe letërsia! Në rrethe të gjera u sulmuan gjitha vlerat që bëjnë identitetin tonë! U shkatërruan edhe të mirat materiale! Pas viteve ’90, shumë individ kishin krenarinë të paraqiteshin se kishin ikur nga Shqipëria në Jugosllavi apo në Greqi, që ishin armike të Shqipërisë (krenohen me tradhtinë)!

Tragjike ishte ekzodi me tragete drejt Perëndimit, ku shqiptarët u paraqitën ashtu siç nuk janë? Tragjike janë edhe shpërnguljet e vazhduara të shqiptarëve nga viset e pushtuara në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, ku popullsia shqiptare jeton në ndrydhje të ndjenjave kombëtare dhe në mjerim ekonomik! Gjatë luftës çlirimtare, krahas vrasjeve dhe masakrave, barbarët bënë edhe shpërnguljet masive të shqiptarëve të Kosovës! Dëshmitarë shqiptarë kundër heronjëve të lirisë, pa hezituar, deklarojnë se ishin të ndjekur nga UÇK-ja, sepse kishin qenë të uniformuar në policinë e Millosheviqit! Gjatë 30 viteve, kemi injorim të identitetit kombëtar, ku sulmohet gjithçka e këtij vendi dhe madhërohet gjithëçka e jashtme edhe nga ata që kurrë nuk i kanë parë ato vende! Sot kemi historianë e ushtarakë që nuk e kanë lexuar historinë e Skënderbeut dhe të kryengritjeve shqiptare, kemi gjuhëtarë, mësimdhënës që kanë lënë librat dhe u janë kthyer dogmave!

Sot kemi zhvillim ekonomik e mirëqenie kombëtare e sociale, të kurorëzuara me lirinë nga lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, megjithatë ky Atdhe për shumë njerëz është një gogol, nga i cili duan të ikin, duke idealizuar botën tjetër! Sot, nëse vepron në të mirë të Atdheut, nuk vritesh as burgosesh, por fatkeqësisht nuk reflekton një veprimtari e tillë! Atdhetarët kanë rënë në gjumin letargjik! Nuk ka aktivitete ku pasqyrohen atributet e veçanta që ka Atdheu ynë, Shqipëria dhe shqiptarët, që edhe pse jetojnë mes Lindjes dhe Perëndimit, nuk i kanë as të këqijat e Lindjes dhe as të Perëndimit, nuk reflektojnë atdhedashuri, duke rënë nën ndikimin e klimave aktuale, nuk ka aktivitete që ta pengojnë shpërnguljen masive! Madje, ka të tillë, që institucionet  i nxorën nga balta, i avancuan në pozita dhe të tillët, naivisht shajnë Atdheun (Shtet i Kosovës, apo Nënë Shqipëri)! Ka të tillë, që udhëheqin me masat dhe publikisht përdhosin simbolet dhe vlerat kombëtare!

Në këtë katrahurë të Atdheut, ku janë atdhetarët, ku janë intelektualët e mirëfilltë? Spektatorë, apo në gjumë? Në të keqen që është Atdheu, në mungesë të aktivitetin tonë, historia do të na mallkojë! Ne kemi një rrugë të trasuar, vetëm duhet të angazhohemi për të zvogëluar të keqen! Të veprojmë aty ku jemi, me mundësitë që kemi, për të mirën e Shqipërisë! Bijtë e Shqipërisë të veprojnë për të mirën e Shqipërisë!

Prill 2023

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar …