Përparimi kishte lindur në fshatin Landovicë, komuna e Prizrenit. Shkollën fillore nga klasa e parë deri në të katërtën e kreu në Landovicë, ndërsa nga klasa e pestë deri në të tetën në lagjen Arbana (Dushanovë). Kujdestar klase kishte Imer Buqën, i cili në atë kohë jepte lëndën e gjuhës shqipe. Shokë më të afërt në atë periudhë kishte Fatmir Hoxhën, Arsim Thaçin etj. Shkollën fillore e kreu me nota shembullore.
Në vitin 1991 u regjistrua në gjimnazin e Prizrenit. Kujdestar klase në gjimnaz kishte Milaim Iljazin (profesor i edukatës fizike). Kjo ishte gjenerata e parë që kishte filluar mësimin në shtëpi-shkolla, jo në shkollat normale. Në atë kohë Perparimi shoqërohej kryesisht me Fatmirin dhe të tjerë, por më së shumti me Driton Ukimerin (me të cilin gjendet edhe në disa fotografi).
Me themelimin e LDK-së në Landovicë, unë Faik Berisha, së bashku me disa shokë, formuam edhe Forumin Rinor në kuadër të LDK-së. Perparimi në atë kohë njihej pak në Landovicë, pasi shumicën e kohës e kalonte në Arbana dhe në Prizren.
Në atë kohë luanim futboll në turnire të ndryshme. Në një rast po luanim në Arbana dhe aty u takuam me Perparimin. Edhe pse ishte më i ri (në vitin 1992 kishte 16 vjeç), luante shumë mirë futboll. I thashë pse nuk vjen me ne kur kemi ndeshje, dhe ai pranoi. Që nga ajo ditë u bëmë gjithmonë bashkë.
Më pas, edhe në fshat, u angazhua me ne në aktivitetet e LDK-së. Edhe pse i ri, ishte shumë i pjekur në shumë gjëra. Në qendrën sportive kishim termin pothuajse 3–4 vite pa ndërprerje, ku luanim futboll me shumë ekipe.
Gjatë kësaj kohe kemi luajtur edhe me ekipe të ndryshme si ai i Mushtishtit, Hoqës së Qytetit, Samia etj. Në të gjitha këto ndeshje, Perparimi ishte gjithmonë me ne, së bashku me Xhavitin, Bajramin, Blerimin e të tjerë.
Me formimin e Ligës së Hasit (futboll i vogël), ku ishin rreth 20 ekipe, u angazhuam me KF Flamurtarin e fshatit Gjonaj. Aty fituam edhe Kupën e Hasit. Shpesh flinim në atë fshat dhe merrnim pjesë në dasma e aktivitete të ndryshme.
Më vonë kaluam në KF Bashkimi nga Krusha e Madhe, që luante në Ligën e Tretë të Kosovës. Në këtë kohë udhëtonim gjithmonë së bashku. Perparimi kishte veshur numrin 8, ndërsa unë numrin 9.
Në atë periudhë, fshati Landovicë ishte gjithmonë aktiv dhe i organizuar. Kishim edhe aktivitete vullnetare për ndërtimin e shkollës së re.
Perparimi spikati si lojtar i mirë dhe u ftua nga KF Studençani në Ligën e Dytë të Kosovës. Aty kaluam shumë kohë së bashku, shpesh edhe duke fjetur në Studençan.
Gjatë kësaj kohe shpesh përballeshim edhe me maltretime nga policia serbe gjatë udhëtimeve. Situata në Kosovë po përkeqësohej çdo ditë.
Me fillimin e organizimit të UÇK-së, filluam edhe ne angazhimet tona në Drenoc të Rahovecit, ku bartnim armatim dhe kryenim detyra logjistike. Perparimi ishte gjithmonë i gatshëm dhe i palodhshëm.
Më 27 maj 1998, Perparimi bie në pritë dhe vritet së bashku me bashkëluftëtarët e tij. Lajmi ishte shumë i rëndë për të gjithë ne dhe për familjen e tij.
Varrimi i tij u bë me pjesëmarrjen e pothuajse gjithë fshatit. Ishte një ditë shumë e rëndë për të gjithë.
Pas luftës, në nder të tij u organizuan shumë turnire futbolli, akademi përkujtimore dhe aktivitete të ndryshme sportive. Stadiumi i qytetit të Prizrenit mori emrin e tij, si nderim për kontributin dhe sakrificën.
Në kujtim të Perparimit janë realizuar edhe dokumentarë, ndër ta “DHIMBJET E MAJIT” dhe “Futbollisti i Lirisë”.
Ndoshta për dikë është pak, për dikë shumë, por për Perparimin gjithmonë ka edhe më shumë për të thënë. Jo vetëm nga unë, por nga të gjithë ata që e njohën në shkollë, sport dhe jetë.
Lavdi Perparimit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
