Faruk Izet Rama (6.7.1976 - 27.3.1999)

Faruk Izet Rama (6.7.1976 – 27.3.1999)

Familja Rama e fshatit Koliq, e cila jeton në fshatin Shkabaj të Kastriotit, luftës për çlirimin e Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë: Farukun, Agronin, Albertin, si dhe shtatë martirë: Xhevatin, Xheladinin, Hamiden, Shqipen, Syzanën, Bejtushin dhe Ismetin. Kjo familje, e cila dikur jetonte në fshatin Koliq të Prishtinës është shpërngulur nga atje për shkaqe ekonomike dhe tash jeton në fshatin Shkabaj të Kastriotit (ish-Obiliq)

Tradita atdhetare e kësaj familjeje ka qenë e njohur qysh në kohën e sundimit turk. I pari i kësaj familjeje, Nezir Rama ka marrë pjesë në luftë për çlirimin e Shkodrës nga forcat ushtarake serbe e malazeze, në vitin 1912. Për shkak të rezistencës kundër pushtuesit serb, anëtarë të kësaj familjeje janë keqtrajtuar e burgosur në kohë dhe rrethana të caktuara.

Faruku ishte i biri i Izet dhe Adlije Ramës. U lind më 6 korrik të vitit 1976 në fshatin Shkabaj të Kastriotit. Mësimet e para i mori në Kastriot, ku vazhdoi edhe mësimet e shkollës së mesme të cilat i ka kryer me sukses shembullor. Për shkak të kushteve jo të volitshme ekzistenciale dhe me qëllim për të ndihmuar prindërit e familjen Faruku i ri nuk vazhdon studimet, ashtu sikurse shumë shokë të gjeneratës së tij.

Meqë ishte fëmija i parë, qysh i ri filloi të merret me tregti dhe punë të ndryshme fizike, me të cilat ndihmonte babanë, i cili po ashtu bënte përpjekje për të siguruar kushte elementare për bijtë dhe bijat. Nën ndikimin e babait e xhaxhallarëve, merr një edukatë të drejtë familjare e kombëtare.

Duke qenë se ishte në dijeni të ekzistimit dhe veprimit të LKÇK-së përmes kushëririt të tij, Agron Izet Rama, në vitin 1996, Faruku bëhet pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Njihet me veprimtarin, Agron Xhemajli dhe me pjesëtarë të tjerë të kësaj Lëvizjeje, e cila programin e vet veprues e kishte orientuar në rezistencë aktive dhe luftë të armatosur për çlirimin e Kosovës. Duke qenë se Lëvizja vepronte ilegalisht, ajo po ashtu ilegalisht nxirrte edhe organin e vet “Çlirimi”, i cili përgatitej në kushte dhe rrethana të ilegalitetit të thellë dhe po ashtu shpërndahej në shumë qytete dhe fshatra të Kosovës. Kreu i kësaj Lëvizjeje, më vonë dëshmor i kombit, Bahri Fazliu, me bashkëmendimtarët e tij kishte arritur, t’ia çirrte maskën politikës durimtare e pacifiste të LDK-së, politikë kjo e cila kishte stopuar për shumë vjet lëvizjen e vërtetë çlirimtare kundër forcave okupatore serbe në vendin tonë, duke satanizuar çdo përpjekje aktive çlirimtare.

Faruk Izet Rama, përveç se shpërndante ilegalisht “Çlirimin” ndihmonte lëvizjen edhe me aktivitete të tjera. Ishte në rrjedhë të furnizimit me armatim ndaj edhe vepronte me shumë maturi e gjeturi, duke pasur kurdoherë pranë kushëririn dhe shokun e idealeve çlirimtare Agron Ramën. Në punën e tij ilegale kishte edhe mbështetjen e familjarëve e veçmas të baba Izetit, të cilin policia serbe e kishte burgosur e keqtrajtuar me pretekst se mbante armë ilegalisht.

Faruku me dy kushërinjtë, Agronin dhe Albertin, përbenin një treshe ilegale mjaft të përshtatshme për aktivitetin e LKÇK-së, meqë ata shërbenin si grup që ndërlidhte veprimet e pjesëtarëve të kësaj Lëvizjeje nga ana e Llapit me zonën e fshtarave të rrethit të Qyqavicës.

Duke sjellë në kujtesë veprimtarinë ilegale të asaj kohe, Izet Rama, rrëfen për aktivitetin ilegal të të birit, Farukut dhe dy nipave të tij, Agronit dhe Albertit. “E merrja me mend se po vepronin ilegalisht edhe pse asnjëherë nuk i kisha zënë në vepër. Në kohën kur te dera e shtëpisë e gjeta një numër të gazetës ilegale “Çlirimi”, fillova të dyshoj se kush po e shpërndante tinëz. Një ditë bisedova me Agronin, meqë ishte më i moshuar dhe fillimisht ai bëhej sikur dinte gjë. “Është dikush axhë”- më tha. “Po,” ia ktheva dhe “ai dikush me siguri je ti e Faruku, se dikush i përtejmë nuk hyn këtu për qëllime të tilla”. Agroni buzëqeshi dhe pranoi, duke qenë i sigurt se jo vetëm që nuk do ta qërtoja, por do ta përkrahja. Prej asaj kohe, Agroni, Faruku dhe Alberti nuk kanë fshehur më asgjë prej meje.”

Në maj të vitit 1998, Faruk Rama, Agron Rama dhe Albert Rama, duke qenë në rrjedhë të aktiviteteve luftarake të LKÇK-së shpërndanin armët ilegale në vende të caktuara, ku kishte zgjeruar radhët Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Shtëpia e tyre në Shkabaj, qe kthyer në një bazë të sigurt të LKÇK, e cila asokohe kishte bashkuar armët me UÇK-në me qëllim për të luftuar bashkërisht kundër forcave okupatore serbe.

Faruku së bashku me Agronin, i cili meqë ishte më i moshuar dhe më herët kishte kontaktuar me ilegalët e LKÇK-së, kanë marrë pjesë edhe në furnizimin me ushqime e veshmbathje të pikave të UÇK-së të fshatrave rrëzë Qyqavicës.

Faruku qysh i ri u dallua për guxim dhe zgjuarësi. Për shkak të pjesëmarrjes në protesta e demonstrata e larguan nga puna. Ai mbante kontakte të vazhdueshme ilegaliteti me kushëririn Agron Rama.

Për punën e palodhshme që ata bënin, sidomos gjatë natës, për angazhimin e këtyre tre luftëtarëve të UÇK-së në radhët e luftës për liri dinin edhe prindërit e tyre, Izeti e Ismeti, por edhe familja e ngushtë Rama. Ata, për më tepër ndihmoheshin nga prindërit, të cilët kujdeseshin dhe vëzhgonin lëvizjen e forcave serbe, që vazhdimisht granatonin lagjen e Ramajve nga distanca. Edhe pse në kushte të një presioni të tillë nga armët serbe, Ramajt nuk tundeshin dhe nuk i linin shtëpitë shkret për të gjetur shpëtim në Prishtinë apo jashtë Kosovës. Ata tashmë e dinin se djemtë po vepronin në drejtim të forcimit të radhëve çlirimtarëve, andaj edhe iu ndihmonin me të gjitha mundësitë e tyre.

Agroni, Faruku dhe Alberti, falë syçeltësisë, guximit, vetëmohimit dhe përkushtimit për të qenë pjesë e luftës çlirimtare, vazhdimisht ishin në lëvizje, duke kryer sa e sa detyra me të cilat ngarkoheshin. Ata dinin t’i maskonin mirë veprimet e tyre ilegale, por edhe armët, të cilat i vendosnin në vende, ku zor se mund të zbuloheshin. Kishin kontakte ilegaliteti edhe me njësitin ilegal BIA, (njësit gueril i sajuar nga tri nistoret: Bahri, Ilir, Agron), që vepronte brenda në qytetin e Prishtinës.

Më 27 mars të vitit 1999, tri ditë pasi kishin filluar bombardimet e aeroplanëve të NATO-s kundër makinerisë së krimit të regjimit të Beogradit, forcat serbe, të cilat paraprakisht mund të kishin hetuar veprimet e tre luftëtarëve të lirisë, fillojnë rrethimin e kësaj familjeje.

Në shtëpi ndodheshin edhe tre luftëtarët: Faruku. Agroni dhe Alberti si dhe shumica dërrmuese e anëtarëve të kësaj familjeje. Në orën 14 e 30 minuta forcat militare dhe paramilitare serbe kishin vënë rrethimin nga kishin filluar sulmin kundër familjes fqinje. Ata vrasin, Latif Halimin dhe bijën tij Shqipen, ndërsa plagosin Mehmetin, një pjesëtar tjetër i kësaj familjeje. Izet Rama, babai i Farukut dhe xhaxhai i Agronit e Albertit, së bashku me fëmijët e vegjël, bashkëshorten Adlijen, bijën trijavëshe, Fitoren dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, të gjithë tok, arrijnë të tërhiqen nga shtëpia nën breshërinë e predhave. Në shtëpi kishin mbetur të gatshëm për të luftuar dhe për t’u ndeshur ballë për ballë me forcat serbe: Faruk Rama, Agron Rama dhe Albert Rama. Ndërkohë pasi kishte larguar disa anëtarë të familjes, kthehet për të ndihmuar tre luftëtarët edhe xhaxhai i tyre, Bejtushi.

Lufta ishte krejtësisht e pabarabartë. Tre luftëtarë të lirisë, të ndihmuar nga xhaxhai i tyre po përballeshin me dhjetëra militarë e paramilitarë serbë, të armatosur me të gjitha llojet e armëve. Ashtu sikur kishin vepruar bashkë si një trup i vetëm, ashtu edhe kishin rënë të tre tok, duke luftuar deri kur trupat e tyre i kishte përshkuar tejpërtej arma barbare serbe. Ata luftuan dhe ranë trimërisht, duke ndjekur shembullin e legjendarit Adem Jashari dhe të sa e sa trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Serbët, të cilët po ashtu kishin pësuar humbje, pasi depërtojnë në shtëpitë e vëllezërve Rama, fillojnë orgjinë e tyre të egër të barbarisë dhe mizorisë. Kriminelët serbë pushkatojnë të gjithë anëtarët e familjes Rama, që kishin mbetur në rrethim. Me këtë rast ata martirizuan: Bejtush Ramën, 40 – vjeçar, xhaxhai e tre dëshmorëve, pastaj kushëririn e tyre Xheladinin, 48-vjeçar, bashkëshorten e Xheladinit, Hamiden dhe dy bijat: Shqipen 17-vjeçare dhe Syzanën, e cila kishte vetëm 10 pranvera jetë. Barbarët serbë pushkatuan edhe Bejtush Ramën, po ashtu xhaxha i tre dëshmorëve. Në kohën kur ishte kthyer nga puna, Ismet Rama, babai i dëshmorëve Agron dhe Albert Rama dhe kur po bënte përpjekje të futej në shtëpi për të mësuar se çka kishte ndodhur, kriminelët serbë e martirizojnë edhe atë, mu para dyerve të shtëpisë një breshëri plumbash. Akti heroik i rënies së tre dëshmorëve më 27 mars të vitit 1999, si dhe martirizimi i shtatë anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, shënoi atë ditë edhe një ngjarje tjetër të lavdishme të luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe një fitore tjetër, e cila ishte paguar me shumë gjak të derdhur.

Faruk, Agron dhe Albert Rama pushojnë në përjetësi në “Varrezat e dëshmorëve në “Velani” të Prishtinës.

Faruku ka lënë prindërit: Izetin dhe Adlien, vëllezërit: Arbenin e Armendin dhe motrat: Fatmiren e Fitoren e cila ishte tri javësh kur ka rënë dëshmor vëllai i saj.

Familja Rama ka marrë mirënjohje për tre dëshmorët.

Ende nuk është ngritur pllaka përkujtimore, në nderim dhe përjetësim të veprave heroike të këtyre tre dëshmorëve të kombit, pjesëtarë të familjes Rama. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Familja Morina nga fshati Gjergjaj i komunës së Drenasit, gjatë viteve 1939–1945 ishte vatër e …