Feti Mehdiu: Zëri i dëshmorëve

(Shehidët kurrë nuk vdesin,“ata janë të gjallë por ju s`e kuptoni  dot. ( Sureja  Bekare, nr. 145)

 

Hej, hej…, heeej…

A po dëgjoni more! Hej…

Juve po ju thërras

Pikërisht,

juve,

Që vraponi rrugëve të Kosovës së lirë

Për të kënaqur qëllimet tuaja të mjera;

 

Juve,  që vraponi të grabitni vetura,

Të rrëmbeni gjësende të huaja nëpër skuta…

Dhe kur ziheni pisk.

Provoni të njollosni gjakun tonë.

Juve,

po ju them,

Që nuk turpëroheni   të përmendni  emra të njësive luftarake

Dhe të  komandantëve e ushtarëve ë tyre

Që derdhën gjakun për lirinë e popullit të Kosovës,

Jo për qëllime  matrapazësh,

Siç jeni ju,

Që as familjet e heronjve nuk i leni të qeta;

Se juve, ju duhet luksoz,

Banesa në kryeqendrën e Kosovës.

 

Juve po ju them,

Që kur derdhej gjaku për lirinë e Kosovës.

Kush e di ku keni qenë!

Keni qenë ku mos, po,

 por në luftën tonë jo, pasha të Madhin Zot!

Jo, kurrë…

Ju, nuk e dini çka do të thotë të luftosh1

As të vdesësh për lirinë e atdheut,

Ju nuk e dini, jo, çka do të thotë.

Të japësh jetën për lumturinë e brezave që vijnë.

Ju nuk mund ta kuptoni

Çka do të thotë të derdhësh gjakun për lulëzimin E

vendit

Ku të ka lindur stërgjysh e katër-gjysh

Ku kanë lind bijtë dhe bijat tuaja,

E do të lindin brezni të reja,

Nipër e stërnipër – e ata do të lindin në lirinë

Me gjak të paguar.

Ju  as nuk mund të besoni

Se ne që derdhëm gjakun për Kosovën e lirë

Për lirinë e atyre që do të vijnë

Nuk kemi vdekur, jo!

Kemi garancë nga i Madhi  Zot

Ne jemi gjallë,  por ju s’ e kuptoni dot!

 

Heeeej… juve po ju them!

Juve që me veprat tuaja po e përbaltni Gjakun tonë!

Mblidhni mendjen! Sa nuk është bërë vonë!

Veni gishti kokës…

Ne që dhamë jetën, nuk e humbëm,  ne  fituam,

Ne jemi hije  që mbulon tërë Kosovën

Nga lufta e  rraskapitur

Dhe nga ju e tronditur…

Po, po,  pikërisht tërë Kosovën.

 tërëve ju kam përpara

Si në shuplakë të dorës.

U shoh se çka punoni.

Në tërë Kosovën jemi ne,

Të palarat tuaja i shohim  si në pasqyrë.

Një ditë kur të mbushet kupa

Ajo pasqyrë do të thyhet në fytyrën tuaj.

Mos pritni deri atëherë   se do të jetë vonë!

Plagët që do të lënë veprat tuaja të ndyra

Në fytyrat tuaja

Nuk do t` i shërojë as koha.

Koha nuk dëshiron të merret me ju,

Por, ju?! Ju e teproni!…

Se do t` fshihej  kurrë mos u mashtroni!

 

Këtu ju kam, në shuplakë të dorës:

Mitrovicë e Kamenicë,

Kaçanik e Llapushnik.

Elez-Kan e Komoran,

Gjakovë me Pejë e Rugovë,

Rahovec e Prizren

Besianë e Gjilan,

Hija jonë ju incizon.

Ju mendoni,  është kohë e turbullt,

Të veproni si të doni:

Jo!

Jo!

Vetveten  e mashtroni

 gjaku  ynë kthjellë e pastron.

Nuk është  sikur gjaku i  juaj

Ju nuk mund të besoni!

Por ne, që  na vjen keq për ju,

Ju thërrasim të mblidhni mendjen

para  se t` ju arrij mallkimi i gjakut tonë.

Gjaku i jonë nuk mund të shkelet,

Mos provoni  ta përbaltni!

Dijeni se hija jonë hakmerret rëndë!

A dëgjoni?! Ore…, heeej…

Gjaku jonë do t` i godasë të gjithë matrapazët

Që provojnë të luajnë me idealin tonë,

Me  gjakun tonë,

Ne nuk vdesim, jo,

Ne jetojmë për gjithmonë…

 

Prishtinë, tetor 1999,  

( Për herë të parë  botua në Frymëzimi nr. 10, 2001, Gjakovë)

 

 

Sevëme Fetiqi: Nëse duhet t’i nderojmë dëshmorët, duhet ta ndjekim rrugën e tyre

 

Në Heidelberg të Gjermanisë me rastin e manifestimeve të FLAKËS SË JANARIT u mbajt  Akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e TRINOMIT TË LIRISË.

 

 Më 18 Janar në Heidelberg të Gjermanisë , në organizim të Shoqatës shqiptare kulturo-artistike „ILIRIA“ dhe Shoqatës së Gruas „NËNA TEREZË“ u mbajt Akademi Përkujtimore për Trinomin e Lirisë: Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, si dhe në pjesën e dytë të programit u bë promovimi i librit të Prof. Dr. Nusret Pllanës „ TERRORI I SERBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT 1844-1999“. Me këtë Akademi, u ndez FLAKA E JANARIT, e cila për çdo Janar i përkujton pishtarët e idealeve të Lirisë, veprën dhe flijimin e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë. Në mesin e shumë bashkatdhetarëve e bashkëveprimtarëve të dëshmorëve në fjalë, të pranishëm ishin edhe shumë aktivist, përfaqësues të shoqatave dhe lidhjeve nga Freiburgu, Shtutgardi, Frankfurti ,Manhajmi etj, ish-luftëtar të UÇK-së, krijues dhe shkrimtarë, si dhe stafi diplomatik nga Shtutgardi. Me intonimin e Hymnit dhe mbajtjes të një minut heshtjeje për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit , u hap Akademia Flaka e Janarit. Me fjalën e tij të rastit, Akademinë e hapi Kryetari i Shoqatës nikoqire „ILIRIA“, Sheremet Pantina, i cili ndër të tjera theksoi se Trinomi i Lirisë, luftoi dhe veproi për Bashkimin e shqiptarëve, për Bashkimin Kombëtar, dhe sot pa marrë parasysh, ata individ, cilës Parti i takojnë, duhet të luftojnë për të mirën e popullit, për ta realizuar amanetin e gjithë atyre, që luftuan për lirinë, të cilën ne sot e gëzojmë. Pastaj, me përshëndetje dhe përgëzime në foltore u paraqit edhe bashkorganizatorja, përkatsisht Kryetarja e Shoqatës së Gruas “NËNË TEREZA“ në Heidelberg, znj. Afërdita Xheladini. Nga stafi Diplomatik, fjala iu dha, Konsulit të Republikës së Kosovës në Shtutgard z. Kadri Dakaj. Nga bashkëveprimtarët e dëshmorëve, të Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, foli z.Fahredin Tafallari. Takimin e përshëndetën edhe veprimtari e ish i burgosuri politik z. Tefik Ramadanit, për të vazhduar me bashkveprimtarin dhe mikun e Jusufit e Kadriut, z.Nusret Hajdari, i cili kishte ardhur nga Zvicra. Në fjalimin e tij para së gjithash ai theksoi: „Sa herë që i kujtoj dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë, nuk mund të mos e kujtoj heroin Fahri Fazliun dhe porosinë e tij „NËSE DUHET T´I NDEROJME DËSHMORET- DUHET TA NDJEKIM RRUGËN E TYRE. Takimi me Jusufin dhe shokët e tij, për mua dhe familjen time ishte privilegj dhe udhërrëfyes i përjetshëm në rrugën time. Jo rastesisht, kujtoj vazhdimisht Jusufin dhe Fahriun, këta dy heronjë-poet, të cilët Bashkimin e Kombit nuk e kishin farsë politike, por edukatë patriotike familjare… Kur kujtohen heronjtë në mërgim, dhembja është më e madhe, mungesa e tyre është e përshpirtshme, djeg në zemër”.

 

Kjo mbrëmje kishte me qenë jo e plotë, nëse për nder të artistit dhe poetit të madh Jusuf Gërvalla, nuk ishin lexuar poezi kushtuar jetës dhe veprës së tij. Poezitë e tyre i lexuan poeti dhe shkrimtari z.Ali Berisha, poeti dhe publicisti z.Kadri Gërvalla dhe poetja Sevëme Fetiqi. Me recitimet e bukura dhe me plot emocione patriotike të dhuruara të pranishmëve, u paraqitën të rejat shqiptare Jessie (Xhesi) Raad dhe Blerta Pantina. Pas një pauze të shkurtër, ku mysafirët u shërbyen me specialitete nga kuzhina tradicionale shqiptare, në pjesën e dytë të Programit, u shfaq përmes kinoprojektorit, një film dokumentar mbi masakrat dhe dhunën e pushtuesit serb mbi popullsinë shqiptare, si dhe rrugëtimi i librit të Prof.dr Nusret Pllana. Fjalën përuruese për këtë libër e tha Kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, poeti z. Hasan Qyqalla, ku mes tjerash tha: “… Autori, i qaset me mishërim kronologjisë së dhembshme, duke nxjerrë edhe fakte të mjaftueshme për dhunën, terrorin e gjenocidin që ushtronte në mënyrën më barbare e më perfide. Dmth. synon te del në pah e vërteta e errtë apo e pandriçuar gjer më tani e historisë sonë kombëtare, sa e dhembshme po aq edhe krenare, mbase Liria jonë është shkruar me alfabetin e gjakut. Prandaj formësohet bindshëm kjo thënje, kur autori në fjalë, pra Prof. Pllana, nxjerrë nga varri eshtra identifikimi të personaliteteve e veprimtarëve nëpër kohë . Kronologjia e varrimeve dhe persekutimeve është e gjatë dhe faktike, dëshmi reale që na ofron autori në këtë libër shkencor. Shtrohet pyetja, çfarë e shtyri autorin t’i qaset gjurmimeve nëpër arhiva, duke shpalosë me qindra dosje, që (ndoshta) i kishte mbuluar bloza e harresës?! Kujtoj, se bëri një kthesë në udhëkryqet ndërkombëtare drejtë demantimit të paragjykimeve përkatësisht tentim gjykimeve të luftëtarëve të Lirisë, duke bërë përpjekje të njollosjes apo ballansimit surreal të luftës së lavdishme të UÇK-së me okupatorin serb. Padyshim, duke qenë edhe vet pjestarë aktiv i luftës së lavdishme, autori ofron fotodokumentare të terrorit, dhunës, masakrimit, sakatosjes, rrëmbimit, izolimit deri në përpjekje të shfarosjes apo ekstardimit nga trojet etnike, që padyshim është një vazhdimësi e apetiteve të klyshëve të Rusisë, siç thot edhe Gj. Fishta…!”

 

Në këtë Akademi ishte i ftuar edhe i nderuari z.Michel Alemadi, Kryetar i Këshillit të Emigrantëve në Heidelberg të Gjermanisë. Ai pas shikimit të filmit dokumentar dhe shpalosjes së librit të Prof. Dr. Nusret Pllanës, ndër të tjera i emocionuar, tha : „Njerëzit ende nuk mund të kuptojnë dhe të dijnë , çfarë terrori dhe masakra të pamshirëshme janë bërë ndaj një populli të pafajshëm, që kërkonte vetëm lirinë e vet për të jetuar. S´do duhej të harrohen, edhe pse falja është diçka hyjnore. Ky dokument dhe këto dëshmi duhet të paraqesin një fakt të vërtetë dhe të prekë ndërgjegjen e popullit serb per pendim dhe veprat e tyre mizore ndaj popullit shqiptar si dhe kërkim faljeje nga ky popull…“ Kryetari i Shoqatës“ ILIRIA“ dhe nikoqiri i kësaj Akademie, në shenjë respekti dhe nderimi për veprën e tij të madhe, z. Pllana, i dhuroi një Mirënjohje për veprimtari dhe përkushtim ndaj popullit shqiptar. Për këtë mirënjohje, gjatë falenderimit të tij, Prof. Dr. Nusret Pllana ndër të tjera tha: „Kjo mirënjohje nuk më takon vetëm mua por tërë popullit shqiptar, qe u vra dhe u masakrua gjatë viteve të vështira për ne 1944-1999. Këtë libër nuk e shkrova unë, ky u finalizua konkretisht nga mijëra e mijëra të masakruar, të persekutuar, të vrarë, civilë, luftëtarë, pleqë, të rinj, gra e fëmijë…Për këtë, mund të them lirisht, se ky libër është ribotuar 5 herë, ka shetitur nëpër Botë, më se 13 vite. I ështe dhuruar edhe shumë Bibliotekave  Ndërkombëtare, si në Amerikë, Gjermani, Australi,… etj. Për tu botuar dhe ribotuar ka kushtuar në vlerë të çmimeve astronomike… Duke iu falënderuar nga zemra mërgimtarëve tanë që jetojnë në tërë Botën, dhe me ndihmën e tyre të pa rezervë e gadishmërinë të më ndihmojnë financiarisht, por edhe të më mbështesin moralisht, kam arritur, që këtë libër dhe terrorin e pushtuesit serb mbi shqiptarët ta sensibilizoj në tërë Botën dhe të shkaktoj reagime edhe te vet serbët. Vetëm një gjë s´mund të kuptoj, është pse deri sot vetëm Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, kanë heshtur dhe kanë qenë indiferent ndaj financimit të ribotimeve të këtij libri, kur dihet se ky libër është një monument historik, një dëshmi e gjallë dhe e punuar në foto pa asnjë pikë dyshimi. Kam menduar, se nëse vetëm e shkruaj si teori dhe shkrim të thjeshtë, do të zgjoj shumë keqkuptime ose paradokse. Për këtë arsye kam vendosur, që të kemi sa më shumë matreiale të mbledhura arkivore, shumë dëshmi e foto. Kështu do të zgjoj interesim në qarqet botërore. Unë edhe njëherë, ju falënderoj shumë, ndjehem i nderuar për këtë MIRËNJOHJE, ndjehem i lumtur, që jam në mesin tuaj dhe ndjehem krenar që ky libër edhe njëherë përurohet për nder të Flakës së Janarit, me ç´rast përkujtohen Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu, tre lufëtarë të mëdhenjë dhe ideator të Lirisë. Paqi gjithmonë suksese e Akademi të tilla të organizuara në nivel të lartë patriotik dhe kombëtar. Ne si popull kudo qofshim, kurrë mos e harrofshim terrorin e bërë ndaj popullit tonë, duke u përpjekur që t´ju lëmë breznive të reja sa më shumë dëshmi të krimit më të madh të shek. XXI. Akademia vazhdoi edhe deri në orët e vona të mbrëmjes, duke debatuar pyetje- përgjegje, si dhe në fund u dha edhe një program kulturor- artistik ku vallëzuan valltaret e reja seksionit të kulturës të Shoqatës „ILIRIA“ nën udhëheqjen e z. Ilberije Raad, përcjellë me këngë patriotike dhe popullore, mysafirët i argëtoi këngëtari i mirënjohur Halil Kryeziu, poashtu anëtar aktiv në këtë Shoqatë . Gadi të gjithë mërgimtarët, u kthyen në shtëpi të pasur me një libër më shumë, në Bibliotekat e tyre. Krejt në fund i kthehemi asaj thënjeje të Kelvin Kuejxhit: „ Askush nuk është nderuar ndonjëherë për atë që ka marrë. Nderimi ka qenë për atë që ai ka dhënë“, mbase Prof.Dr. Nusret Pllana është i nderuar, sepse i ka dhënë kombit të vet shumë . Presim edhe shumë libra dhe punime shkencore nga ky profesor i madh, por kuptohet tash e tutje për paqën dhe Bashkimin Kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …