Publicisti Fitim Selimi ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e kritikuar për atë që ai e konsideron si ulje të standardit moral dhe politik të udhëheqjes. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, të cilin e ka titulluar “Prijësi dhe poshtërsia”, Selimi i është drejtuar drejtpërdrejt Kurtit, duke shkruar: “Albin! Ke marrë përcaktim të ulët dhe të dënueshëm, këtë mos e harro!”. Selimi ka ndërtuar reagimin e tij mbi idenë se, sipas tij, sjelljet dhe qëndrimet e individëve në shoqëri ndikohen edhe nga mënyra se si sillet udhëheqja politike. Ai ka argumentuar se kur një prijës, sipas tij, ul standardin moral, individë të caktuar marrin guxim të shfaqin publikisht sjellje që në rrethana të tjera nuk do t’i shfaqnin. “Poshtërsia rrallëherë bëhet guximtare vetvetiu. Ajo pret një prijës që ta thërrasë, ta trimërojë dhe t’i japë ndjenjën se ligësia tashmë është e lejueshme”, ka shkruar Selimi. Më tej, publicisti ka paralajmëruar atë që e përshkruan si fund të një cikli politik, duke pretenduar se pushteti mund ta fuqizojë përkohësisht një klimë të tillë, por nuk mund ta shndërrojë atë në vlerë morale. “Historia e ka një ligjësi të pamëshirshme: pushteti mund ta trimërojë ligësinë për një kohë, por nuk mund ta bëjë atë virtyt”, ka deklaruar ai. Në pjesën përmbyllëse të reagimit, Selimi ka përdorur një gjuhë metaforike për të përshkruar ndryshimin politik, duke thënë se me rënien e një prijësi që, sipas tij, e ka nxitur këtë qasje, edhe mbështetësit e saj do të mbeten pa “strehë dhe pa maskë”. “Dhe fundi i saj po afrohet!”, ka përfunduar Selimi reagimin e tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
